– Në ndihmë të fermerëve të zonave të varfra –
Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë) – Zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me mbështetjen financiare të DORCAS AID International Albania, që nga muaji shtator 2014 po realizon projektin pilot 1-vjeçar “Sherbela – risi zhvillimi për fermerët”, në komunën Sinaballaj, Rrogozhinë. Një nga partnerët kryesorë të projektit është dhe Shoqata e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave të komunës Sinaballaj. Qëllimi i këtij projekti pilot, i cili zbatohet për herë të parë në këtë komunë, është rritja e të ardhurave të familjeve të varfra të saj, duke përdorur teknikat dhe teknologjitë bashkëkohore të kultivimit të sherbelës.
Përfituesit e drejtpërdrejtë të projektit janë 20 familje të varfra (100 persona) të komunës Sinaballaj, ku çdo familje është mbështetur financiarisht për krijimin dhe kultivimin e 1 dynym sherbelë. Projekti është konceptuar në mënyrë që përfituesit të jenë kontribuues në realizimin e investimit (ku 80% e vlerës së fidanëve u financua nga projekti, ndërsa 20% u financua nga përfituesit). Projekti gjithashtu synon rritjen e kapaciteteve të fermerëve në teknikat dhe praktikat bashkëkohore të kultivimit të sherbelës dhe menaxhimit të fermës; ngritjen e 20 parcelave të reja me sherbelë; si dhe rritjen e bashkëpunimit të komunitetit nëpërmjet rritjes së kapacitetit të Shoqatës së Përdorimit të Pyjeve dhe Kullotave të kësaj komune.
Aktivitetet e para të organizuara nga Diakonia Agapes ishin prezantimi i projektit për fermerët në fshatrat Sinaballaj, Fliballie dhe Hemenraj të komunës Sinaballaj dhe shkëmbimi i përvojës me fermerë të tjerë të suksesshëm nga Malësia e Madhe, të cilët tashmë e kanë shtrirë aktivitetin e tyre bujqësor kryesisht në kultivimin e sherbelës. Njëkohësisht u vizituan prodhues fidanësh, si dhe grumbullues të sherbelës.
Trajnimet teorike dhe demostrimet praktike për kultivimin e sherbelës, dhe asistenca për çdo fermer nga specialisti i bujqësisë i zonës, mundësuan aplikimin e teknikave të reja të kultivimit të sherbelës, si dhe suksesin e investimit. Në kuadër të projektit janë ofruar trajnime për marketingun e sherbelës dhe si organizohen e funksionojnë shoqatat me bazë fermerët dhe shërbimet. Gjatë kësaj periudhe u përgatitën materiale të ndryshme informative, si dhe broshura për kultivimin e sherbelës, parimet e bujqësisë organike, zinxhiri i tregtimit të bimëve medicinale etj.
Diakonia Agapes nëpërmjet këtij projekti synon: inkurajimin e përdorimit të metodave bashkëkohore në bujqësi nëpërmjet kultivimit të sherbelës si një investim afatgjatë; kontributin në ndryshimin e mentalitetit të fermerëve në lidhje me strukturën e mbjelljes së tokës, orientimin për kultivimin e kulturave bujqësore më efektive; përmirësimin e përdorimit të të gjitha burimeve të disponueshme të tokës dhe mbi të gjitha shfrytëzimin e sipërfaqeve të braktisura të tokës në këtë zonë. Ky projekt njëkohësisht siguron mundësi për vetëpunësim të fermerëve, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Suksesi i tij do të motivojë banorët e zonës për të qëndruar në fshat, duke krijuar mundësi për të ndërtuar aty jetesën e tyre.
Mimoza Bezhani