– Nderon me pjesëmarrjen e tij ambasadori i SHBA, z. Donald Lu. –
Shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, nëntëvjeçare dhe shkollë e mesme, sivjet do të nxjerrë brezin e parë të maturantëve, që me siguri do tregojnë nivelin e tyre të lartë në të gjitha drejtimet. Por, kjo gjë është bërë e mundur duke i kushtuar vëmendje të veçantë çdo hallke, duke nisur që nga parashkollorët dhe klasa e parë. Këto ditë ishin pikërisht nxënësit e klasave të para që i dhanë gjallëri shkollës me festat e tyre të abetares. Me një program të pasur dhe me cicërimat e tyre ata u shoqëruan nga duartrokitjet e vazhdueshme të prindërve, mësuesve, por edhe të ftuarve në këtë ditë të shënuar.
Programi u nda në dy ditë, 29 dhe 30 prill. Në ditën e dytë, nderoi me praninë e tij edhe ambasadori i SHBA, z. Donald Lu, bashkë me zonjën. Ndaj programi filloi me një këngë mirëseardhje në anglisht, për të vazhduar me recitime, skeçe e këngë për mbarimin e klasës së parë, për shkronjat etj. Në fund, fëmijët i përshëndeti ambasadori Lu, i cili shprehu kënaqësinë dhe falënderimin që mori pjesë në këtë veprimtari, i përgëzoi për nivelin e anglishtes dhe theksoi se kjo shkollë vërtet nuk është bashkëpunim midis qeverive, por është bashkëpunim midis dy popujve tanë. Më pas ambasadori Lu vizitoi mjediset e Shkollës shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, duke bashkëbiseduar me nxënësit në shqip dhe anglisht.
Shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët” në Tiranë, 9-vjeçare dhe shkollë e mesme, e hapur në vitin 2002, ka këtë vit që po mbaron 410 nxënës. Ajo ka një staf me nivel të lartë dhe shumë nxënës të talentuar, të dalluar në veprimtari brenda dhe jashtë vendit. Ajo dallohet si institucion serioz, që kujdesët në mënyrë të veçantë për çdo nxënës, në aspektet mësimor, social, shpirtëror e fizik, për të përgatitur protagonistët e së ardhmes. Dëshmi e kësaj është fakti se që tani janë mbyllur regjistrimet e nxënësve për klasën e parë për vitin e ardhshëm shkollor. Shpresohet që matura e parë që mbaron këtë vit shkollor të tregojë nivelin e lartë të përgatitjes. Për godinat e këtij kompleksi arsimor, që përfshin 2 godina të shkollës dhe dy për kopshtin dhe mjediset sportive, dhe për pajisjen e tyre janë investuar nëpërmjet donacioneve të siguruara nga Kryepiskopi Anastas 2.56 milion euro.
– Ambasadori Amerikan Donald Lu përgëzon fëmijët e shkollës “Protagonistët” me rastin e festës së Abetares (Video) –