Botuar në gazetën “Tirana Observer”, dt. 20.04.2015.

Propaganda ateiste në regjimin diktatorial shqiptar ndryshoi në varësi të kohës, në varësi të sulmit ndaj klerit dhe institucioneve fetare dhe kryesisht si nevojë e përshtatjes në kursin komunist të sulmit ndaj ideologjisë fetare dhe nevojës së brendshme për instalimin e regjimit dhe forcimin e pushtetit komunist.
Faza e parë e propagandës ateiste 1945-1967: Në shtypin e shkruar komunist si gazeta: “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”, “Jeta e Re”, etj, raportohet me detaje në faqet e para rreth gjyqeve të dënimit të klerikëve duke i akuzuar si tradhtarë të atdheut dhe bashkëpunëtor të pushtuesve të huaj. Feja përgjatë këtyre viteve lidhet me prapambetjen, zakonet prapanike, besëtytnitë, Kanunin, dhe traditat e vjetra që për regjimin e komunist, ishin të papranueshme. Feja barazohet me shfaqjen e huaj ideologjike, besimin e kotë, plagë e shoqërisë së vjetër, ideologji borgjeze, klasë shfrytëzuese, mbeturinë e së kaluarës, reaksionare etj. Vatikani në propagandën ateiste barazohet me: agjenturë e spiunazhit imperialist, strofkë e zezë agresioni dhe spiunazhi, demagogsocial, armik i bashkimit të punonjësve, kolonialist etj.
Librat më të rëndësishëm të besimeve fetare si Bibla e Kurani, ritet fetare si: Syneti, Mbajtja e Ramazanit, Falja, Shehadeti, festat fetare si: Pashkët, Krishtlindja, Bajrami etj anatemohen si të dëmshme, të pavërteta, mashtrime, legjenda shekullore dhe të kota që sbëjnë asgjë tjetër veçse mbajnë popullin në shtypje, skllavërim dhe mashtrim. Vendet e Peligrinazhit fetar si Kisha e Shna Ndout në Laç, Manastriri i Shna Vlashit në Durrës, Teqeja e Bektashinjve në Malin e Tomorrit, Shenjtorët e fesë dhe Profetët si: Jezu Krishti, Imam Aliu, Profeti Muhamet, sipas propagandës ateiste s’janë asgjë tjetër vetëm shpikje të fesë për mbajtur njerëzit të frikësuar, të shtypur me qëllim shtrirjen dhe ruajtjen e sundimin e tyre.
Baza ideologjike e propagandës ateiste ishin : Filozofia marksiste-leniniste, Marksi mbi fenë, këshillat e Leninit për ateistët, fjalimet e Enver Hoxhës, dhe porositë e Komitet Qendror. Në regjimin komunist shqiptar propaganda antifetare ishte pjesë e politikës proletare, pjesë e luftës së klasave punëtore me qëllim çlirimin e saj dhe përmbysjen e kapitalizmit e ndërtimin e shoqërisë socialiste. Gjatë kësaj faze, shtypi i shkruar komunist raporton me detaje pushkatimin me gjyqe e pa gjyq të klerikëve dhe kryesisht atyre katolik. Në këto vite fillojnë të hidhen themelet të forta të ateizmit që do shpërthente në mbarë Shqipërinë më 6 shkurt 1967.
Faza e dytë e propagandës ateiste 1967-1976 karakterizohet nga një propagandë masive e stilit të revolucionit kulturor kinez, për shembjen dhe shkatërrimin e tempujve të besimit fetar në Shqipëri. Është periudha e Revolucionit Kulturor Kinez dhe lufta ndaj fesë kthehet në një çështje madhore kombëtare. Lufta ndaj ideologjisë fetare dhe klerit merr trajtën e një luftë klase ku sipas propagandës ateiste në shtypin e shkruar, kjo luftë ndaj fesë është një nevojë e ngutshme për revolucionin e gjithë mënyrës së jetës së fshatarësisë shqiptare ku ftohen të përfshihen në aksion kombëtar kolektivi i punonjësve, rinia e qyteteve, intelektualët, Organizatat e Masave, fshatarët, me qëllim zhdukjen e çdo tradite e a besimi të vjetër, të kalbëzuar dhe triumfin e socializmit.
Lufta masive kundër fesë dhe ideologjisë fetare, në propagandën ateiste ishte jo vetëm një shprehje e lirë e vullnetit popullor, por edhe një hap i rëndësishëm i çlirimit të ndërgjegjes njerëzore dhe edukimin ateist të shoqërisë. Propaganda ateiste e “shenjtëron” luftën e regjimit ndaj klerit duke fajësuar fenë për nivelin e ulët kulturor, për shtypjen për dëmin në fushën e alfabetit dhe gjuhës shqipe. Lufta kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive dhe zakoneve prapanike cilësohet nga propaganda si jetike në luftën e klasave për fitoren e socializmit, fitore që rrezikohej nëse ekzistonin ende njerëz që janë skllevër të botëkuptimit idealist fetar dhe të zakoneve prapanike.
Gjatë kësaj faze, feja barazohet me: drogë e rrezikshme, pe i këputur,antipatriotike, zakon i keq, mish i huaj në mendjen dhe trupin e njerëzve, ideologji e pushtuesve, koncept i huaj, armike e gruas dhe rinisë, gënjeshtare, vegël e feudalëve dhe e borgjezëve etj. Pas fjalimit të 6 shkurtit nga Enver Hoxha “mbi revolucionarizimin e mëtejshëm të popullit dhe partisë” dhe mësimeve e urdhërave të Partisë-shtet, në të gjithë Shqipërinë rinia masive por edhe organizatat e masave udhëhoqën fushata kombëtare duke shembur, shkatërruar e tjetërsuar mijëra kisha, xhami, tyrbe, mekame, kuvende, azile, shkolla fetare. Propaganda ateiste pasqyrohet jo vetëm në faqet e shtypit por dendur në libra, broshura e artikuj që sulmojnë e stigmatizojnë fenë, fushatë që gjen pasqyrim në kinematografi, shtëpitë e kulturës, radio, televizion, shkolla dhe në qendrat e punës.
Faza e tretë e propagandës ateiste nis nga viti 1976-1990 kur u ndalua me kushtetutë besimi fetar deri në rikthimin e lirisë fetare. Shqipëria shpallet si shteti i vetëm ateist në botë. Propaganda ateiste me të gjitha levat e organizata e masave të Partisë survejon mbeturinat fetare e bestytënore në shoqërinë komuniste shqiptare duke u demaskuar publikisht në faqet e shtypit dhe para njerëzve në qendrat e punës.
Propaganda ateiste fokusohet te leksionet, mbrëmjet poetike, diskutimet kokë me kokë, argumentimi bindës, teorik e praktik, zbërthimi i mësimeve të partisë me qëllim ngritjen dhe forcimin e themeleve ateiste të shoqërisë. Në propagandën ateiste, feja shihet si ideologji reaksionare në shërbim të klasave sunduese, e përdorur gjithmonë nga regjimet antipopullore si mbështetje për helmimin e ndërgjegjes së masave popullore, për zbutjen dhe shuarjen e luftës së klasave, për sabotimin e luftrave të drejta e nacional çlirimtare të popujve. Vatikani trajtohet në propagandën ateiste si qendër e politikës reaksionare dhe në shërbim të kapitalizmit, imperializmit, neokolonializmit, revizionimit etj.
Feja në propagandën ateiste barazohet me: arsenalin politik dhe ideologjik të Perestrojkës, pjellë arbitrare e reaksionit, mjegullat e obskurantizmit, opium për njerëzit, veprimtari agjenturore, instrument kundërrevolucionar në duart e borgjezisë revizioniste, maskë e diversionit politik e ideologjik të Vatikanit, benzinë e zjarreve të këqija, ndihmesë revizionistëve për trullosjen e rinisë etj. Praktimi sado i përlargët i ndonjë riti a rituali fetar konsiderohet si një vepër e dënueshme penale dhe klasifikohej si agjitacion dhe propagandë kundër shtetit.
Sokol Paja