https://lh4.googleusercontent.com/-p6oTSlUmOrM/U0UABsfjknI/AAAAAAAAATs/zlJeoFRksRE/s577-no/logo.png

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

PËRSE BËHET NJË SHTREMBËRIM I TILLË DINAK?

 

 

Botuar në gazetën “Telegraf” dt. 18.04.2015

    Në gazetën “Telegraf” të datës 15.04.2015, u botua përsëri një artikull fyes antiorthodhoks, me titull  «Janullatos, koncesionar me 100%  aksione në 3 HEC-e dhe dora e Perëndisë del se është futur në mënyrë të paligjshme në xhepin e fitimeve të koncesionarëve”. Ato që thotë gazetari Përparim Halili në lidhje me veprën hidroenergjetike, nuk përbëjnë asnjë lajm të ri. Gjithçka, me detaje, është botuar me kohë në rrjetet zyrtare të shtetit shqiptar. E vetmja gjë e re është përpjekja për të shtrembëruar faktet dhe shpifja, me retorikë histerike të një niveli të ulët, ndaj personit iniciator të këtij kontributi të madh shoqëror.

    Vepra hidroenergjetike në fjalë, është një investim i madh në sektorin energjetik në dobi të Shqipërisë. Nuk i takon Kryepiskopit, por Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kryepiskopi Anastas, si person ekonomikisht i pavarur, me pensionin e tij universitar dhe, duke bërë një jetë modeste, nuk mban asgjë për vete apo për ndonjë tjetër. Të gjitha ia ka ofruar Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Veprimet e Kryepiskopit bashkëvendosen me organet kompetente kishtare. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, me autoritetin ndërkombëtar që gëzon dhe besimin e madh që kanë ndaj tij organizmat fetarë evropianë e botërorë, është ai që mori iniciativën dhe që kujdeset për grumbullimin e fondeve të nevojshme të ndërtimit të veprës, që me siguri do të mbetet dhe do shërbejë vendit.

 

    Të dhënat reale që nuk mund të vihen në dyshim

    a) Sipas ligjit 10057, të datës 22.01.2009, “Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella” nenet 10 dhe 18 etj., Kisha Orthodhokse lejohet të ushtrojë aktivitet ekonomik që synon mbështetjen e veprës së saj shpirtërore, sociale, filantropike dhe arsimore. Me vendim të Gjykatës së Tiranës, (2498/19.3.2009), që u nxor sipas detyrimit të ligjit në fjalë “Kryepiskopi ka të gjitha detyrimet dhe të gjitha të drejtat e parashikuara nga Kanonet e Shenjta dhe nga Statuti. Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë është Prof. dr. Anastasios Gerasimos Yannoulatos”.   

    b) Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, neni 59, thotë: “Sinodi i Shenjtë mund të krijojë shoqëri të veçanta me përgjegjësi të kufizuar”.

    c) Qëllimi  i shoqërisë  “Energjia Ekologjike”, e krijuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, siç deklarohet në statutin e saj, është: «Studimi, ndërtimi dhe funksionimi i veprave energjetike bazuar në burimet e rinovueshme ose ofrimi i shërbimeve në Shqipëri dhe jashtë saj, me synimin ekskluziv krijimin e burimeve financiare për veprën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, bazuar në parimet e ndershmërisë, transparencës dhe zbatimit të përpiktë të legjislacionit në fuqi».

    Investimi në fjalë, do të mbështesë edhe ekonomikisht “Autoqefalinë” e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, veprën e saj sociale, filantropike dhe kulturore. Pra, të ngjall dyshim fakti, përse disa qarqe kanë si qëllim shpifjen dhe minimin e kësaj përpjekjeje. Kjo është një vepër madhështore, që tashmë po jep kontributin e saj në zhvillimin e vendit, duke iu ofruar punësim direkt mbi 100 punonjësve shqiptarë dhe ka një kontribut afatgjatë social akoma edhe më të gjerë. Pikërisht, këtë vepër, gazetari në fjalë, u përpoq ta akuzojë si të paligjshme dhe të rrezikshme dhe njëkohësisht të sulmojë me një dëshirë të sëmurë antiorthodhokse Kryepiskopin Anastas, i cili është frymëzuesi dhe protagonisti i saj, duke përdorur etiketime përbuzëse dhe që nuk qëndrojnë në të vërtetë. Teksti i z. Halili do të mbetet një shembull i gazetarisë së pandërgjegjshme, shtrembëruese, që ka si synim keqinformimin e opinionit publik. Por realiteti nuk mund të vihet në dyshim. Dhe balta e akuzave dinake nuk i reziston dot rrjedhës së ujit të pastër të së vërtetës.

 

Zyra e Shtypit
 
e Sinodit të Shenjtë
 
17.04.2015
 
 

 https://lh4.googleusercontent.com/-ya_6jzeyQzI/UQeTCEOcS6I/AAAAAAAAB8Q/OQktrAZ0AvM/s640/Sinodi%20-%20Janar%202013.jpg