https://lh6.googleusercontent.com/-815CNzF1lv8/VS-HcJHWJGI/AAAAAAAANJE/3N0svx40FTg/w574-h372-no/foto%2Bper%2Bweb%2B3.jpgBotuar në gazetën “Panorama” dt. 14.04.2015, Tiranë

    Teksa pas ditëve festive të Pashkës, i hodha një sy gazetave të ditës në një kioskë afër Kishës së Ungjillizimit në Tiranë, befas sytë më shkuan tek një foto në faqe të parë të kryepiskopit Anastas dhe të Ben Blushit, me një titull përbri “Kur fryma e etërve nuk vdes…” të atë Gjergj Metës. Por kur u thellova pak më shumë vura se Gjergj Meta nuk përmendte Blushin në shkrimin e tij por se ky I fundit I bënte një analizë kryepiskopit Anastas.

    U habita për këtë shkrim, sepse me sa di z. Blushi është një njeri që deklarohet vetë si ateist dhe kjo është një zgjidhje e lirë e personit dhe respektohet, por të analizosh një personalitet fetar pa pasur shtysat dhe përvojën  dhe përgatitjen teorike fetare të domosdoshme, mu duk paksa e tepruar. E në fakt që në fillim, Blushi pohon se nuk është besimtar “megjithatë i ndjek për arsye kulturore e në disa raste politike, ritet fetare”.

   Më pas përbetohet se është një ateist, i rritur pa ndikime dhe disiplina fetare, prisja këtu edhe ndonjë prapashtesë se feja është prapanike dhe anakronike, që rëndom i gjen në gjuhën e socio-ateizmit. Në vazhdim ngre dyshimet e veta në lidhje me ekzistencën e Krishtit, por nuk ndalet këtu, e gjen të vërtetën sipas tij. Pohon se kjo është një legjendë, e mahnitshme thotë, për të treguar se është një shkrimtar që e kupton trillin nga e vërteta… dhe si një materialist dialektik, pa përtuar fare kërkon provën e madhe të ekzistencës së Zotit, si ata shkencëtarët që po stërmundohen për të gjetur thërrmijën e Zotit.

    Por Blushi, nga ana e tij, nuk lodhet aq shumë dhe parashtron pa u menduar gjatë dilemat e tij. Deri këtu një fenomen normal i jetës së një njeriu të rritur në periudhën më të errët të diktaturës në Shqipëri, me kufizimet e mëdha ideore dhe shpirtërore që e karakterizoi atë, me gjurmët e traumave psikike dhe kulturore të rënda që ne morëm të gjithë gjatë viteve më të bukura të jetës sonë fëmijërore dhe rinore në këtë vend. Pohime që në fakt të ngjallin dhimbje për përhumbjen e thellë që na shkaktoi fryma e etërve të socio-ateizmit, për aberacionin e rëndë psiko-moral, për shkatërrimin e madh të ndërgjegjes dhe të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të së drejtës më të hershme të njeriut për të gjetur elementin e “llojit hyjnor” siç thotë kryepiskopi Anastas përbrenda vetes.

    Më pas përdor gjuhën e drunjtë të akuzatorëve të fesë,  këtu më ngjasoi me një rast që përmendet në jetën e kryepiskopit shën Llukait të Krimesë, një prej profesorëve më të mëdhenj të kirurgjisë në Bashkimin Sovietik, jeta e të cilit ngjason më së shumti me atë të kryepiskopit Anastas Janullatos.

    Teksa Shën Llukai operonte dhe shëronte me mijëra njerëz në mbarë BS, midis tyre edhe gjeneralë dhe zyrtarë të lartë të regjimit komunist, teksa i ofronte mbarë njerëzimit arritje dhe gjetje të reja në mjekësi që shpëtuan me mijëra jetë, regjimi nuk vlerësonte aspak titujt shkencore, punën e mrekullueshme të këtij kryepiskopi kirurg të famshëm, që mori çmime ndërkombëtare, por i kërkonte prova të pakundërshtueshme të ekzistencës së Zotit dhe e dënonte me gulag. Edhe në rastin tonë, Blushi, në aktpadinë e tij, i kërkon Anastasit provën e madhe të ekzistencës së Zotit.

    Nëse Anastasi me gjithë titujt shkencore dhe urtësinë e padiskutueshme që ka dhe që e pohon edhe Blushi për arsyet e tij, që i shtjellon më vonë, nuk arrin tia japë atij provën e ekzistencës së Zotit, atëherë pa dyshim që nuk ka më Zot për Blushin.  Dhe për këtë ai pret ditën e madhe të Pashkës, njësoj si judenjtë që prisnin edhe ata ngjalljen e Krishtit si një mbret tokësor që do të zgjidhte dilemat dhe vështirësitë e tyre, për ti parashtruar kryepiskopit dilemat e mëdha të tij. Natyrisht, kjo është përgjegjësia e një kryepiskopi orthodhoks, të sqarojë grigjën e tij, madje edhe ata jashtë saj, ateistët, për problemet e ekzistencës njerëzore, por ky nuk është rast i tillë.

    Z. Blushi përpiqet të luajë në mënyrë gazetareske me këto pyetje, për të nxjerrë vetë si konkluzion se Zot nuk ka dhe për pasojë edhe vepra e Anastasit si dishepull I Krishtit nuk bind Blushin ashtu si dhe etërit e bijtë e socio-ateizmit në këtë rast. Për ta përforcuar këtë gjë, përdor një term, të përmendur lodhshëm në shtypin e përditshëm “mesha shqiptare” që nuk ekziston tjetërkund në teologjinë botërore të krishterë dhe përpiqet të akuzojë Anastasin me moskryerjen e një “meshe shqiptare!”. A thua se na paska meshë greke, amerikane, angleze, italiane, ruse, bullgare etj!

    A thua se paska një Krisht shqiptar, grek, serb, Italian, bullgar, që dallon në kombe të ndryshme! A thua se fjala e shën Pavlit, për të na shpëtuar nga izolimi I nacionalizmit dhe urrejtja racore që lind prej tij: “Në Krishtin nuk ka jude, grek, romak” dhe në kontekstin e sotëm as shqiptar, bullgar, serb nuk ka ndonjë vlerë! Kështu na del një tjetër theologji, ajo e hyjnizimit të kombit dhe të nacionalizmit, diçka që ishte karakteristikë e socio-ateizmit.

    Këtu  z. Blushi mendon se i vë minën përfundimtare godinës së misionarizmit fetar të Anastasit, kur thotë në mënyrë akuzuese përse nuk bën “meshë shqiptare”, përse Zoti, nëse ekziston dhe e kupton,  nuk i thotë Anastasit të flasë shqip, përse Zoti në këtë rast nuk denjon të lejojë meshën shqiptare? Kjo është akuza më e lartë që bën Blushi në polemikën e tij anti-Zot në frymën e etërve socio-ateistë.

    Deri më sot, asnjë polemist, nuk kishte guxuar të ngrinte këtë aktakuzë të lartë, por Blushi me cilësinë e politiko-shkrimtarit nuk mënon fare, ai me fantazi të shfrenuar i ngre gishtin Zotit. E gjetëm fajtorin, pra si rëndom feja, Zoti na e ka fajin, dhe jo ne.  Natyrisht do të thotë se kjo është edhe pjesë e lirisë dhe e fantazisë së shkrimtarit, paçka se vetë nuk shquan dot se kur është politikan, zyrtar i shtetit, deputet, gazetar dhe shkrimtar.  A ka provë për akuzat e Blushit? Patjetër, duke mos gjetur gjë tjetër, sipas tij në krye qëndron krimi i rëndë se kryepiskopi qëllimshëm nuk flet shqip.

    Në këtë gjë ai pason të tjerët, nuk është aq origjinal në mendimin e tij. E godasin Anastasin sepse nuk flet shqip, nuk bën meshë shqiptare, nuk ka gjak shqiptar, nuk është një si ata … Ky është krim, është agjitacion e propagandë por e shkallës sipërore sipas fesë së socio-ateizmit, kjo kundërshton teorinë e kombit të formuluar prej Marksit, mund të ketë solidaritet dhe vëllazërim, por vetëm në emër të ateizmit dhe komunizmit, jo nga feja, sepse feja është opium I gjetur për kombet nga kapitalizmi dhe imperializmi për ti shfrytëzuar ato për qëllime materiale.

   Por a është krim kaq i rëndë vërtet që Anastasi nuk është si ne, njëri nga ne, njësoj si ne?… Personalisht do të shqetësohesha shumë nëse Anastasi do të ishte si ne, sipas konceptit që mbizotëron sot në shoqërinë tonë. Jam i lumtur që kryepiskopi Anastas nuk ngjason me askënd nga skena politike dhe sociale e vendit tonë, jam i lumtur që kryepiskopi im është njeriu që sakrifikon jetën e tij për hir të grigjës, që si një atë i mirë rri zgjuar për mbarëvajtjen e bijve të tij, të krishterëve orthodhosë të Shqipërisë, që prej 23 vitesh vetëm dhuron dashuri, hir, mirësi, përdëllim, paqe në një vend si ky i yni, ku shkelet me këmbë dinjiteti i të gjithëve.

    Jam i lumtur që kryepiskopi Anastas dhuron gjithçka që ka dhe jep edhe jetën e tij për hir të dashurisë për njeriun, për njerëzit në nevojë, për bashkëkombasit e mi, të cilët korrupsioni, shtypja, injoranca, dhuna, ligësia e shoqërisë postkomuniste socio-ateiste i mashtron, i shtyp, i mban në errësirë me të gjitha forcat e saj. Jam i lumtur që kam një kryepiskop të tillë, jo vetëm unë, por shumica e orthodhoksëve, sepse kur na flet dhe kur na predikon, para se të flasë çdo gjuhë tjetër, ai flet Krishtin…

    Për Krishtin kemi nevojë ne, jo për fjalë boshe të thëna në gjuhën e keqpërdorur shqipe. Jam i lumtur se kam një kryepiskop i cili kur etërit tanë të socio-ateizmit shkatërronin dhe vrisnin në emër të fesë së tyre, shkonte me këmbë në mes të Afrikës, Amerikës, Azisë për të predikuar Krishtin e ngjallur. Kur këtu nuk lejohej as edhe shprehja më e vogël e keqardhjes dhe e dhembshurisë njerëzore për tjetrin, kryepiskopi jetonte në mes të afrikanëve të varfër dhe bashkëndante me ata vështirësitë. Jam krenar dhe i lumtur që kam një kryepiskop të tillë, që kur të tjerët e gjuajnë me gurë, i merr gurët siç thotë vetë dhe bën kisha.

    Kisha në shpirtrat tonë të rrënuar dhe të vuajtur, ku mbizotëron errësira dhe urrejtja. Për këtë disa nuk e duan Anastasin, sepse ai flet, predikon Krishtin, me fjalë ose pa fjalë nuk ka rëndësi, me jetë, me vepër, me heshtje, me dashuri… Ndryshe nga ne që luftojmë të mirën dhe Krishtin me çdo mundësi dhe mjet, që e urrejmë dhe e shkatërrojmë ikonën e tij, njeriun, në të gjitha format, duke e shfrytëzuar edhe besimin e tij, për qëllime “kulturore” dhe “politike”.

    Ju siguroj se edhe nëse kryepiskopi Anastas do të gjente prova të prejardhjes së tij të pastër shqiptare prej 14 brezash, edhe sikur të fliste në të gjitha dialektet e shqipes, përsëri do ta luftonin dhe akuzonin, sepse nuk e kanë me Anastasin në fakt, si edhe Blushi e pohon, por me Krishtin që ai përfaqëson. A nuk ka ndodhur kështu me klerikët e tjetër orthodhoksë nga Shqipëria, që i luftuan deri në elimenimin e tyre fizik? Apo mendon dikush se Noli po të ndodhej në Shqipëri, do të kishte një fat tjetër përveç pushkatimit dhe burgut?

    Në të vërtetë ky është misioni i kryepiskopit Anastas, të predikojë Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur, me çdo kusht, me çdo çmim, duke mos pyetur për sulmet apo provokimet, pengesat dhe ligësitë tona. Lavdi Zotit që e bën këtë vepër, kjo për ne orthodhokët është prova e Krishtit që ekziston, se kryepiskopi është ai që thotë, sepse e jetojmë këtë dhe e provojmë përdita besnikërinë e tij ndaj Kishës dhe ndaj nesh.

    Pavarësisht nëse Blushi e pranon ose jo këtë si provë të ekzistencës për Zotin, jeta e kryepiskopit Anastas është një shembull i rrugës që duhet të ndjekim nëse duam të flasim Krishtin e jo t’i shërbejmë vetes tonë, duke u tallur me ta, qoftë edhe me një shqipe të kulluar, por që përdoret për fitim të lig dhe për të sunduar të tjerët, siç e konstatojmë përdita, në shoqërinë tone. Edhe diçka e fundit, si orthodhoks dhe si korçar nga Korça nga të dy prindërit që jam, meqë edhe Blushi e keqpërdor edhe këtë term, për të provuar teoritë e tij.

    Më vjen keq që Blushi nuk e kupton apo bën sikur nuk e di rëndësinë e madhe të kontributit të krahinës sonë në lëmin e arsimit jo vetëm në Shqipërinë e sotme, por edhe në mbarë Ballkanin, gjë që kontribuoi në pavarësinë shpirtërore dhe shtetërore të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit. Duke shkelur mbi të vërteta dhe fakte historike të pastra, mjafton të kujtohet rasti i Voskopojës, që ai e anashkalon, keqgjykon ose paragjykon qëllimshëm akumulimin e madh të kulturës së madhe antike greko-romake nga korçarët gjatë pushtimit osman, kulturë që përbën bazën e civilizimit evropian të sotëm.

    Ai hedh poshtë me një të rënë të lapsit, tërë dijen e madhe, të cilën korçarët e bënë një trashëgimi të vyer, jo për tu asimiluar nga të tjerët, por për të dhënë dritë në botë dhe këtë dituri të madhe e quan ndikim të kishës greke dhe ka komplekse inferioriteti ndaj pjesës tjetër të popullsisë në Shqipëri. Gjë që jo vetëm nuk është e vërtetë, por edhe fyese edhe kur vetëm e mendon si një mendim. Z. Blushi lë mënjanë faktin se kur në Korçë dhe në zonën e saj ngriheshin shkolla dhe akademi, jo vetëm për klerikët, por për popullin e gjerë, ku predikohej dhe mësohej Krishti por edhe filozofët e mëdhenj dhe shkrimtarët e mëdhenj të antikitetit greko-romak, në pjesën tjetër të territorit të perandorisë osmane, kishte prapambetje të thellë, errësirë dhe analfabetizëm.

    Nuk kishte Kishë greke, siç qëllimshëm e keqpërdor këtë term, por ishte Kisha Orthodhokse e Lindjes, Nëna e gjithë të krishterëve, ku bënin pjesë të gjithë popujt e Ballkanit, ajo që u ofroi bijve të saj arsim dhe kulturë, edhe në gjuhët e tyre përkatëse. Kirilli dhe Metodi janë shembujt më të mirë për të përmendur në kësi rastesh por nuk janë të vetmit.  Ishte Kisha Orthodhokse që duke shfrytëzuar edhe pasurinë e madhe të botës greko-romake- bizantine, mbajti gjallë Krishtin dhe dritën e kulturës në shpirtrat e rajave të shtypur.

    Korça dha kontribut të madh në ndriçimin dhe në mbajtjen gjallë të shpirtit ekumenik, të mbarëbotshëm të Kishës së Krishtit, duke nisur nga ajo vetë dhe duke shkuar më pas në të gjitha vendet e rajonit, madje deri në Vjenë, pikërisht për të rrezatuar këtë kulturë kaq të vyer shpirtërore në botë. Për këtë të vërtetë nuk kemi asnjë kompleks ndaj shqiptarëve të tjerë, përkundrazi jemi krenarë sepse i dhamë Shqipërisë si komunitet, shtysën kryesore të pavarësimit edhe shpirtëror nga pushtuesi otoman, duke u kthyer në shenjë ndarjeje dhe rezistence vendimtare për politikën e tij asimiluese.

    Reshtat e korçarëve të ditur dhe bamirës të mëdhenj, por mbi të gjitha besimtarë të mëdhenj të Krishtit janë dëshmia më e mirë për këto që po them dhe se të jesh korçar, do të thotë të jesh në rradhë të parë njeri me besim të thellë në Perëndinë, njeri me dashuri të madhe për tjetrin, pavarësisht bindjeve të tij dhe njeri me dashuri të madhe për kulturën botërore, pa bërë dallime me frymë socio-ateiste nëse ajo është greke, romake, amerikane, evropiane apo shqiptare.

    Krishti u Ngjall! Për të gjithë ne! Kjo ngjarje unikale ka vlerë për të gjithë, për Shqipërinë, për Evropën, për botën, për mbarë njerëzimin, që nga brezat e parë e deri në ata që do të jetojnë edhe shumë kohë edhe pas nesh!

 

Gëzuar Pashkën!

Atë Anastas Bendo

Përkthyes, Kryeredaktor i Revistës “Kërkim”.