Argumente të themeluara mbi histori imagjinare!

 

    Në datën 27 mars 2015, në faqen e parë të gazetës “Telegraf”, u informuam për një “bisedë sekrete” të bërë publike në artikullin e prof. Eshref Ymeri me titull: “Një bisedë mes Janullatosit dhe Vangjel Dules”. Dialogut të cilit i referohet autori është i muajit gusht 2014, publikuar në faqet e internetit, aspak për t’u marrë seriozisht, pasi është tërësisht i imagjinuar në formën e mesazheve sms-ve të dërguara nga celulari. Sa për informacion, Kryepiskopi Anastas asnjëherë nuk ka pasur e as ka përdorur ndonjëherë celularë. Këto publikime autori i artikullit në fjalë i trajton sikur ato të përbënin burime historike të pakundërshtueshme.   

    Personalisht u bëra kurioz të shoh se për çfarë bëhet fjalë dhe cilat janë këto burime. Pasi kërkova në adresat e referuara, ashtu siç edhe shumë të tjerë mund ta konstatojnë lehtësisht, vura re se bëhej falë për një farsë sarkastike dhe aspak serioze, siç qarkullojnë shumë postime të tilla sot në botën e madhe dhe të pakontrolluar të internetit, ku çdokush mund të vendosë lajme dhe ngjarje nga më të çuditshmet, qofshin ato nga më të fantazuarat e deri te qesharaket.

    Bazuar në këto argumente të pavërteta dhe pa lidhje, autori ngre akuza aspak serioze me qëllimin e vetëm ofendimin e personave të rëndësishëm publikë. Një gjë e tillë sigurisht nuk përputhet me statusin e një studiuesi serioz. Një dezinformim i këtij lloji i opinionin publik dëmton mbi të gjitha harmoninë fetare në vendin tonë.

    Sa për kontributin dhe personalitetin e Kryepiskopit Anastas, treguesi më i mirë është vepra e tij, si dhe vlerësimet e vazhdueshme që ka marrë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit tonë, në ringritjen dhe zhvillimin mahnitës të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në kontributin konkret gjatë gjithë këtyre viteve të periudhës së demokracisë në të gjithë sektorët e jetës dhe shoqërisë sonë.

 

+ Nikolla
Episkop i Apolonisë
 
                                                                                                                                                                       

Botuar në gazetën “Telegraf”, e mërkurë, dt. 01.04.2015