TË PAKTËN, KINI RESPEKT PËR TË VËRTETËN!
 
Replikë e botuar sot në gazetën “DITA” (11.03.2015)
 
Redaksisë së Gazetës “Dita”

 

    Gazeta juaj përsëri i habiti orthodhoksët shqiptarë me sulmin kundër Kishës Orthodhokse dhe me minimin që i bën në mënyrë indirekte harmonisë fetare. Në numrin e saj të datës 23 shkurt 2015, z. Bedri Islami, duke marrë shkas nga një deklaratë e shkurtër e Nënkryetarit të Parlamentit, z. Vangjel Dule, botoi një artikull të gjatë, gjoja “analizë”, me titull “Të rivrasim papa Kristo Negovanin”. Ky artikull është i mbushur me referime të pavërteta dhe të pabazuara në histori. Nga ana tjetër, më 28 shkurt 2015, në gazetën tuaj u botua një tjetër artikull me titull: “Na mjafton një Shën Kozma”, i prof. Skënder Gjonit, me sulme, pa lidhje me të vërtetën, kundër Kryepiskopit tonë, me etiketime të sëmura ndaj personazheve politikë dhe në përgjithësi i mbushur plot urrejtje kundër Greqisë, me hiperbola retorike e fantazime rreziqesh për të ardhmen. Qarqet në të cilat bëjnë pjesë të dy artikullshkruesit zbatojnë taktikën e njohur: “Shpif, shpif, se diçka do të mbetet”, e kjo ka vlerë veçanërisht për njerëzit e thjeshtë që nuk e dinë si është e vërteta. Kështu errësojnë persona dhe ngjarje me blozën e errët të dyshimit të lig. Ne që po ju drejtohemi, jemi klerikë dhe laikë besimtarë orthodhoksë shqiptarë, që prej shumë vitesh e njohim fare mirë realitetin dhe ndjejmë detyrimin që të flasim për të vërtetën në mënyrë analitike.  

     Z. Islami, që nuk është anëtar i Kishës Orthodhokse, ripërtyp retorika të dala mode, pohime dhe shpifje të cilat orthodhoksët i kanë denoncuar në vazhdimësi si të gënjeshtërta dhe që nuk përkojnë me realitetin. Ai ngul këmbë se Kryepiskopi “e ka mbushur Shqipërinë me priftërinj grekë”. Ia bëjmë të qartë se në Shqipëri, përveç Kryepiskopit  janë vetëm 4 klerikë qytetarë grekë, nga të cilët një është arvanitas dhe 5 gra laike. Ndërsa në komunitetet e tjera fetare punojnë me qindra klerikë, murgesha dhe laikë të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve nuk flasin fare gjuhën shqipe dhe predikojnë në gjuhë të huaj. Prej fillimit të vitit 1992, Kryepiskopi Anastas u përpoq të krijojë një kler shqiptar të arsimuar dhe deri më sot ka dorëzuar më tepër se 160 klerikë shqiptarë.

    Z. Islami përsërit tezën se në Kishën Orthodhokse Liturgjia Hyjnore kryhet në gjuhën greke. Me siguri që nuk ka vizituar ndonjë kishë orthodhokse ku meshohet: në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Berat, Korçë etj., që të ndjekë ndonjë shërbesë. Nëse do ta kishte bërë këtë, do të ishte siguruar se të gjitha bëhen në gjuhën shqipe. Por, në fund të fundit, përse tërë kjo armiqësi ndaj gjuhës greke, në të cilën janë shkruar Ungjijtë dhe ku kryhet lavdërimi i Perëndisë për shekuj në Kishën Orthodhokse? Ditën dhe natën në qytete dhe fshatra të Shqipërisë dëgjohen lutje në arabisht. Por kur dikush lexon një lutje në gjuhën greke, pseudopatriotë të ndryshëm rendin të thërrasin “Skandal! Rrezik!”. Vallë si e konceptojnë lirinë fetare këta njerëz? Apo mos vallë Greqia është një vend armik? Në Greqi kanë gjetur punë me qindra mijëra shqiptarë, duke ndihmuar në përgjithësi ekonominë e këtushme. Sigurisht që të ardhmen e Shqipërisë nuk e ndihmon propaganda nacionaliste kundër fqinjëve, fobitë dhe urrejtja. Shkaku që dëgjohen zëra ekstremistë nacionalistë kundër Kryepiskopit Anastas, është fakti se ai beson dhe kontribuon në respektin e ndërsjellë dhe në mirëkuptimin midis popujve. Mos vallë gjatë gjithë këtyre viteve qeveritë shqiptare thonë gënjeshtra, kur pohojnë se vendi fqinj është “partner strategjik”? Se jemi së bashku në NATO etj? Se po ecim së bashku në Evropën e Bashkuar? Përse kjo skizofreni?

    Të dy artikullshkruesit nuk dinë as emrin e saktë të Kishës sonë. Ky emër nuk është Kisha Autoqefale Shqiptare, por “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Emri i vërtetë i Kishës sonë (që nga koha që ka Autoqefalinë), tregon se të gjithë banorët orthodhoksë të vendit, pavarësisht origjinës (shqiptarë, grekë, arumunë, sllavë etj.) janë anëtarë të kësaj Kishe me të drejta të barabarta. Sa i takon Kosinës, Përmetit dhe Boboshticës janë sajesa arbitrare. Kryepiskopi nuk ka pasur kurrë lidhje me to. Për përdhosjen e kishës në Përmet është diskutuar shumë dhe kjo çështje është trajtuar deri dhe në Parlamentin Evropian, ndaj nuk nevojitet të zgjatemi. Duke kapërcyer çdo lloj caku paturpësie ose duke mos njohur kuptimin e fjalëve, z. Islami mbërriti në pikën e fundit të mjerimit, duke e quajtur Kryepiskopin tonë “nekrofil”. Le të hapë fjalorin dhe le të mësojë se kjo fjalë është greqisht dhe do të thotë “devijacion seksual, kontakt erotik me të vdekur” (- nekrofili= dëshirë patologjike për kontakt seksual me kufoma, – nekrofil, që vuan nga nekrofilia). Me vulgaritete të këtij lloji ndërmerr të fyejë një personalitet të tërëndritshëm, të njohur për moralin e kristaltë.

    Z. Islami gjithashtu e akuzon Kryepiskopin se ndërton kisha. Mëkat është ky? Me veprën e tij, me të vërtetë të mrekullueshme, që ka kryer, Kryepiskopi ka ndihmuar jo vetëm komunitetin orthodhoks, por u ka ofruar punë qindra familjarëve shqiptarë, duke ndihmuar ekonominë shqiptare në përgjithësi. Kryepiskopi Anastas, nuk erdhi në Shqipëri dje dhe as nuk fshihet ndokund. Ka mbi 23 vjet që jeton e punon këtu. Ne e kemi ndjekur nga afër në të gjitha vështirësitë dhe sprovat e vendit. Ai u ka qëndruar pranë njerëzve në nevojë, duke i ndihmuar ata pa bërë dallime fetare ose të tjera, duke i mbështetur me të gjitha fuqitë (si, në peripecitë e vitit 1997, në Vlorë me tragjedinë e Otrantos, në përmbytjet e ndryshme në Veri dhe në Jug të vendit, duke ofruar gjatë gjithë këtyre viteve me qindra tonë ushqime, ilaçe, veshje etj.). Në periudhën e vështirë të vitit 1999, me iniciativën e tij u mobilizuan organizmat fetarë ndërkombëtarë, si Këshilli Botëror i Kishave dhe arriti të mbledhë mbi 10 milionë dollarë për të ndihmuar 33000 refugjatë të fesë myslimane nga Kosova. Sigurisht, z. Islami i injoron të gjitha këto fakte ashtu siç injoron p.sh. dhe Qendrën Diagnostike Mjekësore, të cilën Kryepiskopi e ka themeluar dhe e ka pajisur me aparaturat më të mira e më bashkëkohore, e cila vetëm në 12 vitet e fundit u ka shërbyer qindra mijë shqiptarëve, pa bërë diferencime. Për këto nuk kërkoi kurrë as shpërblim dhe as mirënjohje. Dhe sigurisht, as nuk priste kaq shumë helm dhe kaq shumë urrejtje për faktin se ka 23 vjet rresht që  i bën vetëm  mirë Shqipërisë.

    Z. Islami akuzon Kryepiskopin se pranon delegacione greke. Kryepiskopi takohet me delegacione dhe ambasadorë zyrtarë, parlamentarë nga vende të ndryshme. Ai vetë është  personalitet ndërkombëtar i njohur dhe i respektuar, dhe është e natyrshme që shumë veta duan ta takojnë. Edhe kjo është e dyshimtë? Madje edhe faktin se disa qarqe në Greqi, gjatë periudhës së vështirë që përballej vendi i tyre, e propozuan Kryepiskopin për President të Republikës së Greqisë, si një person të pranuar gjerësisht, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, u munduan ta paraqesin si provë të rrezikshmërisë së tij. Sigurisht, Kryepiskopi shpejtoi të deklarojë se “hierarku orthodhoks ka një detyrë kishtare konkrete dhe nuk mund të ketë poste politike”. Të dy artikullshkruesit në fjalë rreken ta paraqesin si politikan Kryepiskopin.  Është më se e qartë se paragjykimi etnik ua errëson logjikën. Por personaliteti i tij nuk është i njohur dhe i respektuar vetëm në Greqi. Ai njihet dhe respektohet dhe në ambiente kishtare ndërkombëtare. Shumë organizma ndërkombëtarë, si Këshilli Botëror i Kishave, Konferenca e Kishave Evropiane, por edhe organizmi mbarëbotëror fetar “Fetë për Paqen” (Religions for Peace),  e kanë vlerësuar me nderet më të larta. Shumë universitete në vende të ndryshme të botës e kanë shpallur “Doktor Nderi”. Gjithashtu edhe në Shqipëri është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës, i Korçës dhe është nderuar me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës z. B. Topi.

    Në lidhje me dashurinë e Kryepiskopit për gjuhën shqipe, Fortlumturia e Tij studion vazhdimisht, lexon, kupton dhe flet saktë shqip. Ai mbërriti në Shqipëri në moshë të madhe (62 vjeç) dhe nuk ka mundësi të bëjë referate ose predikime. Por dihet nga të gjithë se meshon dhe mban mesazhe televizive në gjuhën shqipe. Respektin dhe dashurinë e tij për gjuhën shqipe e tregon gjithashtu fakti se që në vitin 1994 ngriti shtypshkronjën për botimin e periodikëve, gazetave, librave në gjuhën shqipe, përkujdeset për botimin e dhjetëra librave në shqip. Madje ka ngritur dhe financuar shkolla të të gjitha niveleve, ka dhënë bursa për mijëra nxënës për arsimimin e tyre në gjuhën shqipe. Ai i nxit vazhdimisht klerikët dhe bashkëpunëtorët e tij për një njohje sa më të mirë të saj. Për herë të parë në histori nga goja e tij u dëgjuan thënie liturgjike në shqip, në Konstandinopojë, Athinë, Bukuresht, Moskë, në Nish të Serbisë, në Sofie, Damask, Bejrut, Aleksandri etj., gjatë bashkëmeshimeve me primatë të tjerë orthodhoksë.

    Deri më sot u është dhënë shtetësia shqiptare qindra të huajve, turq, arabë, italianë, etj., që më së shumti nuk i njeh kush. Dhe gjoja na qenka e rrezikshme t’i jepet një greku, që shërbeu dhe punoi në një nga periudhat më të vështira për përparimin dhe begatinë e Shqipërisë, për vëllazërimin, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe ndihmën reciproke midis popujve të Ballkanit. Problemi nuk krijohet nga dhënia e nënshtetësisë shqiptare, por nga mosdhënia e saj një personaliteti që ka ndihmuar Shqipërinë nga ana humanitare, kulturore dhe ekonomike, siç e parashikon ligji për dhënien e nënshtetësisë. Bëhet fjalë për një fyerje jo vetëm ndaj një personi, por kjo është fyerje ndaj komunitetit më të madh të krishterë të vendit. Kryepiskopi ynë e ka përfaqësuar dhe nderuar më së miri Kishën tonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe vetë vendin, në ambiente fetare në rang botëror.

    Nga viti 1991 e deri tani që po flasim, kanë ndryshuar qeveri, presidentë, kryeministra. Shumica e tyre e vlerësojnë veprën dhe personalitetin e Kryepiskopit Anastas. E njohin si udhëheqësin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Emri i tij me cilësinë e Kryepiskopit përmendet edhe në ligjin nr. 10057 22/1/2009 dhe gjendet në vendime të gjykatave shqiptare. Shumë vende të zhvilluara do ta kishin për nder të rreshtonin me dëshirë ndër qytetarët e tyre një personalitet të këtij niveli. Të gjitha Kishat Orthodhokse në mbarë botën, e nderojnë në mënyrë të veçantë dhe e respektojnë (gjë që u shfaq më së miri në Shenjtërimin e Kishës Katedrale të Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, më 1 qershor 2014).

    Fakti se ka pasur edhe të tjerë që e kanë luftuar për arsye të ndryshme, nuk na habit. Historia e Kishës është e mbushur me shembuj të tillë të ngjashëm. Krishti i paralajmëroi me kohë nxënësit e Tij: “Nëse më kanë përndjekur mua dhe ju do t’ju përndjekin” (Jn.15:20). Dhe për më tepër “Të lumur jeni kur t’ju poshtërojnë dhe t’ju përndjekin dhe të thonë çdo fjalë të ligë kundër jush me gënjeshtër për shkakun tim” (Matth.5:11).

    Kot shqetësohet z. Gjoni teksa thur fantazi për të ardhmen. Respekti i orthodhoksëve për shenjtërinë e një personi nuk lidhet me kombësinë dhe shtetësinë e tij. Kritere të tjera kanë rëndësi. Ndërgjegjja e shqiptarëve orthodhoksë për shenjtërinë e Shën Kozmait (të cilën e luftojnë me mllef qarqe të caktuara antiorthodhokse), nuk ka lidhje me ndonjë lloj shtetësie. Në atë kohë ai ishte nënshtetas i Perandorisë Osmane, siç kanë qenë edhe të gjithë shqiptarët. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk është, siç do ta donin disa, një farë shoqate etnike, OJQ, që u krijua në shekullin e 20-të. Është themeluar nga Vetë Jisu Krishti. Pikërisht Këtë kanë orthodhoksët si udhëheqës dhe shembull. Orthodhoksia ka karakter ekumenik, të mbarëbotshëm. Kisha ka perspektivë mbarënjerëzore, me qëllim vëllazërimin e njerëzve dhe popujve në një shoqëri të dashurisë.

    Kur Kryepiskopi Anastas erdhi në Shqipëri, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ishte krejtësisht e shkatërruar. Ai kontribuoi më shumë se kushdo tjetër për ringritjen e saj, zhvillimin e plotë në një nivel që kurrë nuk është njohur më parë. Vepra e jashtëzakonshme fetare, sociale, shkencore, filantropike e Kryepiskopit Anastas është gjerësisht e njohur në qarqet ndërkombëtare kishtare. Ka prova të pakundërshtueshme, bilance zyrtare, libra, artikuj, në shumë gjuhë. Kisha e mrekullueshme katedrale në qendër të Tiranës, por edhe të tjera në Korçë, Berat, Fier, Shkodër, Durrës, do të na rikujtojnë kontributin e tij historik, të cilin më kot përpiqen ta vënë në pikëpyetje ata që ushqejnë dashakeqësi ndaj tij. Atë do ta kujtojnë me mirënjohje mijëra shqiptarë të të gjitha moshave, sepse i ndihmoi pa u kërkuar gjë. Por mbi të gjitha, figura dhe vepra e tij janë të vlerësuara lart në ndërgjegjen e besimtarëve orthodhoksë.

    Është koha, pra, që të gjithë ata që dëshirojnë me të vërtetë bashkekzistencën paqësore fetare të ndalojnë së fyeri, me të padrejtë dhe pa argumente, gjykimin e drejtë dhe patriotizmin e ne qindra mijëra shqiptarëve besimtarë orthodhoksë, që mburremi, dhe sinqerisht lavdërojmë Perëndinë që kreu i Kishës sonë është Kryepiskopi Anastas.


    Tiranë, 3 mars 2015

 
Prof. dr. Robert Andoni
 
Prof. dr. Aleksandër Sallabanda
 
Atë Emanuel Lusha
 
Atë Ilia Mazniku