Jemi të indinjuar nga cënimi i rrethimit të Katedrales së Tiranës
Komuniteti i Krishterë Orthodhoks i Beratit, i indinjuar, proteston për ekzekutimin e vendimit të njëanshëm të Qeverisë për të hequr rrethimin e Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës. Ky veprim cenon rëndë autoritetin kishtar, por edhe sigurinë e Kishës dhe të objekteve që ndodhen brenda rrethimit.
Ne solidarizohemi me vëllezërit tanë të komunitetit orthodhoks të Tiranës dhe u qëndrojmë pranë në këto ditë të vështira duke dëshmuar unitetin tonë, jo vetëm në këtë rast por në të gjitha sprovat e vazhdueshme që ka kaluar dhe po kalon Kisha jonë.
I bëjmë thirrje Qeverisë, e cila krenohet në botë me harmoninë tonë fetare, të respektojë dhe të jetë garante e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” dt. 22/01/2009 ligji 10057, duke mbrojtur vendet e shenjta dhe duke rritur sigurinë e tyre.
Shpresojmë që autoritetet qeveritare të reflektojnë rreth këtij veprimi si dhe të bashkëpunojnë për të gjetur në kohë zgjidhjen e këtij problemi.
Berat, më 08/03/2015
DEKLARATË, PROTESTË PËR PRISHJEN E RRETHIMIT TË KATEDRALES