Reshjet masive të rëna në fillim të muajit shkurt u bënë shkak përmbytjesh në shumë qytete të Shqipërisë. Zona më e prekur ishte ajo e Jugut të Shqipërisë e cila përkon me Mitropolinë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës. Fshatra të shumtë në qytetet e Vlorës, Fierit dhe Beratit u prekën nga këto përmbytje duke sjellë dëme të mëdha ekonomike për banorët. Shumë shtëpi u përmbytën nga uji dhe u dëmtuan kryesisht pajisjet dhe orenditë shtëpiake. Reshjet shkaktuan dëme të mëdha në prodhimin bujqësor si dhe në gjënë e gjallë.

     Duke u solidarizuar me personat qe ndodhen në këto vështirësi të mëdha, të gjitha enoritë e Mitropolisë sonë u angazhuan për të mbledhur ndihma ushqimore dhe veshmbathje. Nën përkujdesjen e Mitropolitit u përgatitën 50 pako me ushqime si dhe 50 pako me veshmbathje. Zëvendësia e Beratit, përgatiti 50 pako ushqimore gjithashtu dhe Zëvendësia e Vlorës përgatiti 50 pako të tilla. Kontingjenti i mësipërm u dorëzua pranë Shtabit të Emergjencave Civile pranë Komunës Novoselë dhe u erdhi në ndihmë të dëmtuarve në zonën e Vlorës.

    Zëvendësia Fier përgatiti 100 pako ushqimore si dhe Zëvendësia Lushnjë përgatiti 90 pako të tilla. E veçantë në Zëvendësinë e Lushnjës ishte kontributi i besimtarëve të Enorisë së Ungjillëzimit në Divjakë, familjet e së cilës përgatitën nga 1 pako ushqimore, gjithsej 40 të tilla, duke lënë në to dhe nga një shënim. Ky kontingjent u dorëzua pranë Shtabit të Emergjencave Civile pranë Komunës Levan dhe shkoi në ndihmë të të prekurve në zonën e Fierit. Çdo pako ushqimore kishte koston prej 750 lekësh, shuma totale e kësaj ndihme arrin 255 000 lekë.

    Mitropolia e Hirshme e Beratit, Vlorës dhe Kaninës në bashkëpunim me disa besimtarë dhe donatorë zemërgjerë do të vazhdojë ende në ditët në vijim, ndihmat për familjet e dëmtuara nga kjo përmbytje.