Përmbytjet e ditëve të fundit në zonat e Jugut nxitën një garë solidariteti edhe midis besimtarëve orthodhoksë. Ndihmat e para u mblodhën në Mitropolinë e Beratit (Berat, Lushnjë, Fier, Vlorë) dhe u dorëzuan në shtabet e emergjencës në Novoselë e Levan. Por mbledhja e ndihmave dhe dhurimet vazhdojnë në të gjitha kishat orthodhokse të vendit.

    Një kontigjent i dytë me sasi ndihmash të tjera u dorëzua edhe sot, 11 shkurt, në magazinat e vëna në dispozicion të emergjencave në Tiranë. Për të përmbyturit ishin përgatitur me dhuratat e besimtarëve orthodhoksë 160 pako me ushqime dhe 330 bidonë (7 litërsh) me ujë. Dorëzimin e bëri Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti.

     Këto ndihma, si dhe ato të sjella nga Komuniteti Mysliman, u pritën nga Kryetari i Komitetit të Kulteve z. Ilir Hoxholli, i cili i falënderoi këto komunitete për mobilizimin dhe mesazhin që përcjellin në këto ditë të vështira.

    Procesi i mbledhjes së ndihmave do vazhdojë edhe në ditët në vijim, ku do tii bashkohen edhe nxënësit e institucioneve arsimore të ngritura nga Kisha Orthodhokse.