Rreth 380 të rinj e të reja, të moshës nga 18-30 vjeç, përfaqësues të grupeve rinore nga qytete të ndryshme të vendit, u mblodhën të shtunën, 13 dhjetor 2014, në Qendrën Kulturore të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të Lidhjes Orthodhokse të Rinisë së Shqipërisë, që është krijuar në përputhje me Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kjo Lidhje ka si qëllim pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën e Kishës, kultivimin e miqësisë, njohjen më të mirë të besimit orthodhoks, dëshminë e krishterë dhe shërbimin.

    Me koordinator Episkopin e Apollonisë Nikolla, Asambleja u zhvillua në dy pjesë: Në pjesën e parë, grupe rinore nga qytete të ndryshme shfaqën një program festiv Krishtlindjesh. Në pjesën e dytë, Kryepiskopi Anastas mbajti ligjëratën me temë: “Duke kërkuar katër vlera të mëdha jete”, me pikënisje vargun e T.S. Eliot“Ku është urtësia që e kemi humbur brenda dijes? Ku është dija që e kemi humbur brenda informacionit?”. Kryepiskopi, duke përfunduar tha: “Uroj me gjithë shpirt: Le të jetë ecuria e jetës suaj një ngjitje e vazhdueshme, nga informimi i thjeshtë drejt dijes sistematike, nga dija drejt urtësisë “që vjen që lartazi”. Një lartësim i vazhdueshëm nga egocentrismi drejt lirisë së vërtetë. Nga lidhje të papërgjegjshme në dukje afektive, në lidhjen e qëndrueshme  afektive të vërtetë të bekuar nga Perëndia dhe kryesisht drejt përjetimit esencial të dashurisë së krishterë. Një hap final nga pjesëmarrja mekanike në ceremoni fetare, drejt besimit të gjallë  te Perëndia, ku Shpirti i Shenjtë mbizotëron dhe vulos jetën tonë me dritën, energjitë, fuqinë e Tij. Një besim që e bën qenien tonë të hapet drejt pafundësisë, duke pasur bashkudhëtare praninë e Atij që është Dashuri. Krishtit që është githçka”.

    Më pas vijoi zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv. Në fillim Episkopi i Bylisit, Asti, u bëri të njohur anëtarëve të Asamblesë mënyrën e zhvillimit të votimit. U votua lista e kandidaturave që u propozua direkt në sallë prej të pranishmëve të ndarë në katër grupe: ai i Kryepiskopatës dhe të tri Mitropolive.

    Në fund, Këshilli Ekzekutiv, i përbërë nga 13 anëtarë (7 të rinj dhe 6 të reja), zhvilloi takimin e parë në zyrën e Kryepiskopit, i cili theksoi se të rinjtë orthodhoksë duhet të kenë një rol të përgjegjshëm, ripërtëritës dhe parësor në Kishë.

 

15 dhjetor 2014

 

Zyra e Shtypit

e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë