Shkolla e Muzikës Bizantine është tashmë një realitet i bukur. Bëhet fjalë jo vetëm për ringjalljen e një tradite mijëvjeçare, por edhe për një hap cilësor, duke përgatitur psaltë me njohuri të gjera për muzikën bizantine dhe atë në përgjithësi. Ndaj e diela e 16-të nëntorit, ishte një ditë historike, sepse u diplomua  brezi i parë i psaltëve profesionistë.

   Kjo ceremoni u krye nga presidenti i shkollës, Kryepiskopi Anastas, në kishën katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, në fund të Liturgjisë Hyjnore, në praninë e episkopëve, klerit, studentëve, pedagogëve dhe besimtarëve të shumtë.

   Në fillim të saj foli Fortlumturia e Tij Anastasi, duke theksuar se: “Është bërë një përpjekje për shumë vjet nga shumë bashkëpunëtorë të shtrenjtë dhe të dashur për të pasur sa më shumë psaltë jo vetëm në Tiranë, por në mbarë Shqipërinë. Unë dua të falënderoj dy koret tona, që na përfaqësojnë më së miri. Sepse koret përfaqësojnë zërin e popullit dhe nëpërmjet tyre ne mund të ndjejmë më shumë Liturgjinë Hyjnore. Dua të falënderoj korin e z. Milto Vako, si dhe korin bizantin, që drejton me shumë përkujdesje z. Theodhor Peci”.

    Përpara besimtarëve u ndanë diplomat për gjashtë studentët që përfunduan studimet, brenda një atmosfere festive shoqëruar me shumë duartrokitje.

   Më pas Kryepiskopi Anastas shtoi:“Me sa kuptoj duartrokitjet nuk janë vetëm për të tashmen por dhe për të ardhmen që këta studentë të mos jenë të mirë, por të shkëlqyer në këtë art. Këta djem ishin bursantët tanë për dy vjet dhe kushtet në konviktin e Thavorit janë shumë të mira. Prandaj ka rëndësi ajo që thotë Zoti se“kujt i jepet shumë, shumë ka për t’iu kërkuar”. Pra, vazhdim të mbarë që e gjithë Shqipëria të gëzojë traditën e bukur të Muzikës Bizantine. Por kjo nuk do të thotë që ju t’i lini vetëm këta që të psalin, se ata psalin si përfaqësuesit tanë, ne duhet të mësojmë më shumë himne që të psalim së bashku në adhurim”.   

    Ceremonia u mbyll duke u psalur nga të gjithë himni “Cili Perëndi është aq i madh sa Perëndia ynë. Ti je Perëndi i vetëm që bën çudira”.                    

 

Theodhor Peci