KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Shenjtërimi i Kishës se re Katedrale të Shën Dhimitrit në Berat
“Çdo kishë orthodhokse është vend paqeje, ngushëllimi, vend, ku njerëzit gjejnë jo vetëm Perëndinë, por edhe veten e tyre. Njëkohësisht është vend vëllazërimi, ku takohemi me respekt me njëri-tjetrin. Për më tepër, është vend ripërtëritjeje shpirtërore dhe shenjtërimi. Vend lavdërimi i Perëndisë, ku bashkekzistojnë e vërteta, dashuria dhe bukuria. Kisha e re Katedrale e Beratit, ndërsa lartësohet në qendër të qytetit, përbën mushkërinë e tij kryesore.”
Duke theksuar me këto fjalë rëndësinë e kishës së hirshme për jetën e besimtarëve, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, shenjtëroi ditën e diel, 26 tetor 2014, në të kremten e Shën Dhimitrit, Kishën e re Katedrale të Beratit, që i kushtohet këtij shenjtori të Kishës sonë. Në Shërbesën e Shenjtërimit morën pjesë Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, Episkopi i Amantias Nathanaili dhe shumë klerikë.
Që herët në mëngjes dhjetëra e dhjetëra besimtarë, mes tyre shumë të rinj, nga qyteti antik dhe me tradita të veçanta në besimin orthodhoks, por dhe e gjithë zona e Myzeqesë dhe nga zona të tjera të vendit, kishin mbushur oborrin e Kishës, duke marrë pjesë me lutjen e tyre në aktin e hirshëm të Shenjtërimit, me litaninë e lipsaneve të shenjta dhe në vazhdim, me shenjtërimin e Tryezës së Shenjtë dhe në Liturgjinë Hyjnore. Në shërbesa morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, autoriteteve lokale, deputetë të zonës etj.
Katedralja e re e ndërtuar mjeshtërisht, me sipërfaqe totale 527 m2 dhe lartësi 22 m, u themelua në vitin 1994, mes shumë vështirësish dhe në një kohë kur qyteti i Beratit ishte goditur nga një epidemi kolere. Nisi të ndërtohet në vitin 2002, me projektin arkitektonik dhe supervizimin e Zyrës Teknike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Shpenzimet për përfundimin e kësaj vepre arritën në 850.000 euro, fonde që erdhën si donacione nga burime të ndryshme jashtë vendit, me përkujdesjen personale të Kryepiskopit Anastas.
Nga muaji qershor deri në tetor të vitit 2014, janë shenjtëruar shtatë kisha të shenjta, në zona të ndryshme të Shqipërisë, të cilat zbukurojnë vendin dhe transmetojmë mesazhe besimi e shprese: dy në Tiranë, në Shkodër, Pogradec, Aliko, Këlcyrë dhe Berat.
Tiranë 28.10.2014
Foto: Dhjakon Stefan Ritsi