– Të pavërtetat e përsëritura nuk mund të bëhen të vërteta –

 

Artikull i Episkopit të Krujës, Hirësi Andon Merdani, botuar në Gazetën Shqip, dt. 08.09.2014, fq.8.

 

   Kohë mbas kohe opinionit publik i imponohet një debat me akuza e shpifje të rëndomta, deri në qesharake, në lidhje me figurën e Kryepiskopit Anastas, njëherësh dhe kreu i Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Në të shumtën e rasteve, ato vijnë nga individë të cilët as nuk e njohin atë personalisht, as nuk i përkasin besimit ortodoks e aq më pak të jenë besimtarë praktikantë të këtij besimi. Ky fenomen krijon një shqetësim të vazhdueshëm për besimtarët dhe klerikët ortodoksë, pasi opinioni publik manipulohet, duke i paraqitur një realitet i cili nuk ekziston brenda Kishës Orthodhokse. Ndonëse jemi përgjigjur vazhdimisht, shumë e shumë herë këtyre akuzave të padrejta, vala e sulmeve dhe e shpifjeve nuk ka ndaluar.

   Madje, sa herë që ka pasur ngjarje të gëzuara dhe të rëndësishme për Kishën Orthodhokse, jemi përballur me përbaltjen e veprës dhe punës së Kishës dhe të Kryepiskopit, duke e spostuar vëmendjen nga ngjarje kryesore dhe duke përsëritur akuza të padrejta, si për shembull ngjarja historike e Shenjtërimit të Katedrales “Ngallja e Krishtit”, në qendër të Tiranës. Ajo ishte një nga evenimentet më të rëndësishme në historinë e pasdiktaturës për Kishën Orthodhokse këtu në Shqipëri. Ky eveniment tërhoqi interesin dhe vëmendjen e gjerë të opinionit publikut, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, me pjesëmarrjen në festime të pjesës më të madhe të Krerëve të Kishave Orthodhokse simotra në të gjithë botën, por fatkeqësisht, për disa njerëz dhe grupe, një ngjarje e tillë duhej të zbehej e të shpërqendrohej vëmendja nga një festim i përligjur për të gjithë të krishterët ortodoks këtu në vend dhe më gjerë.

   Së fundi, më ra rasti të lexoj replikën e z. Nexhat Merxhushi, ndaj një artikulli të gazetës greke “Kathimerini”, publikuar në gazetën “Shqip”, dt. 6 shtator 2014, me titull: “Papagalli Ximas dhe harmonia fetare”. Në këtë artikull autori përpiqet të radhisë edhe një herë të gjitha akuzat e mundshme ndaj Kryepiskopit Anastas, si dhe të përbaltë punën dhe kontributin e tij në ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga gërmadhat, ku e kishte lënë regjimi i egër komunist. Është për të ardhur keq që këto sulme dhe akuza, krejtësisht të padrejta dhe të pavërteta dhe me një mllef të pajustifikuar, i prezantohen lexuesve.

   Nga që do kërkonte shumë hapësirë për t’ju përgjigjur të gjitha akuzave të vjetra e të pabaza, të cilave iu jemi përgjigjur vazhdimisht, do të ndalesha vetëm në disa prej tyre, pasi në gjykimin tim ato janë jo vetëm të pasakta dhe të pavërteta, por edhe të rrezikshme dhe për këtë arsye dhe në respekt të informimit të saktë të lexuesve nuk mund të lihen pa iu përgjigjur;

   Në replikën e tij me gazetarin ai akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë Kryepiskopin Anastas, ku shkruan: “Mund të konsiderohet nacionalizëm e islamizëm pse duam të flitet shqip në kishat tona? Mund të flitet për ekstremizëm islamik kur komuniteti mysliman në Shqipëri nuk ka reaguar në asnjë rast të vetëm kundër Janullatosit, kur ai ka provokuar rëndë këtë komunitet, duke zhvarrosur eshtra myslimanësh, apo kur pjesëtarëve të këtij komuniteti u ka ndërruar fenë në mënyrën më djallëzore e cinike, duke shfrytëzuar varfërinë dhe mjerimin e tyre?!”

   E para, nuk është aspak e vërtetë që në kishat ortodokse nuk flitet shqip, me përjashtim të vendbanimeve me shumicë minoritare. E dyta, artikullshkruesi kërkon të implikojë në mënyrë të padrejtë dhe manipulative Kryepiskopin Anastas në një ngjarje mediatike, ku prania e priftit ortodoks që kryen shërbesën e përshpirtjes gjatë zhvarrimit, detyrë kjo e çdo kleriku kur i kërkohet, iu dha në atë kohë me të padrejtë ngjyrime dhe skenare nga më të çuditshmet, të cilat nga hetimet e prokurorisë u faktuan si të pabaza. Autori gjithashtu përpiqet të përfshijë në këtë argument edhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, duke nxitur keqkuptime. Së treti, të gjitha pagëzimet që janë kryer nga ana e klerikëve ortodoksë gjatë këtyre viteve, i konsideron dhunim të të drejtës së besimit ndaj atyre që ai i quan të besimit mysliman, që iu paskan “ndërruar fenë”, madje edhe në mënyrë “djallëzore e cinike”!!!

   Madje shpesh herë akuzat arrijnë nivelin e qesharakes. Ja një ndër akuzat që s’ishte dëgjuar deri më tani. “Janullatosi dhe pasuesit e tij përdorën “armën e intrigës së famshme greke”, siç thotë Konica. U arrit deri aty sa u hodh në erë natën “Shtëpia e Kulturës dhe e Flamurit” në Korçë, e Themistokli Gërmenjit, e cila gjet gurë mbi gurë në mëngjesin e 11 gushtit 2012.” Kjo akuzë nuk ka as edhe një lidhje me Kryepiskopin ose me Kishën dhe as me ortodoksinë, siç u pasqyrua edhe nga media në ato ditë.

   Si artikullshkruesi, ashtu edhe çdokush që mendon se për çështjet e fesë dhe të besimit ka tagrin të lëshojë akuza dhe etiketime të këtij niveli, duhet të kenë parasysh se vendi ynë vërtet gëzon harmoni fetare dhe për këtë mburremi, ashtu siç edhe ai vetë përpiqet të argumentojë, por të ofendosh dhe të shtrembërosh punën e klerikëve ortodoksë në Shqipëri, si fushatë në ndërrimin e fesë ndaj atyre që nuk i përkasin besimit ortodoks është shumë, madje tepër e rrezikshme. Gjithashtu, të përbuzësh dhe ironizosh ata besimtarë që kanë marrë pagëzimin e shenjtë, është në të njëjtën mënyrë e rrezikshme dhe diskriminuese për dinjitetin e tyre njerëzor. Si një bari shpirtëror i kësaj grigje, më duhet t’ju them se është tërësisht i papranueshëm dhe i patolerueshëm formulimi i tezave të tilla dhe t’i paraqisni ato si ‘mbrojtje’ ndaj atyre që janë pagëzuar, duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në çështje të besimit, si dhe të pacënueshmërisë të së drejtës kushtetuese të çdo individi për të zgjedhur lirshëm dhe pa frikë besimin e tij ose saj.

   Gjithashtu, përpjekja për të përfshirë në këto akuza edhe Komunitetin Mysliman, ose grupim tjetër fetar, është sa keqdashëse aq edhe e rrezikshme. Nga krahu tjetër, Komunitetet Fetare në Shqipëri pa përjashtim, kanë treguar vazhdimisht se nuk mund të bien preh e nxitjeve dhe provokimeve të tilla, të cilat cenojnë atë për të cilën duam t’i tregojmë të tjerëve se në Shqipëri me të vërtetë ekziston toleranca dhe harmonia ndërfetare. Një kontribut të pamohueshëm në këtë harmoni ka padyshim edhe Kryepiskopi Anastas, si drejtues i Komunitetit Ortodoks, i cili për mesazhet, iniciativat dhe pjesëmarrjen e tij është vlerësuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Dhe për hir të këtij kontributi ai është zgjedhur president nderi i organizatës më të madhe ndërfetare në botë “Fetë për Paqen”, me qendër në New Yorkdhe nuk ka kurrsesi si të jetë ashtu siç ju kërkoni ta përcaktoni, se “nuk i ka interesuar ndonjëherë harmonia fetare në Shqipëri”.

   Vepra e Kryepiskopit Anastas në ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, si asnjëherë tjetër në historinë e saj, është një kontribut i pamohueshëm dhe historik dhe i njohur tashmë botërisht. Fatkeqësisht ka njerëz, siç edhe ju e dëshmoni përmes shkrimit tuaj, të cilët çdo arritje të Kishës Orthodhokse në rindërtimin e kishave, restaurimin e monumenteve të kultit, edukimin e brezit të ri të klerit shqiptar në vend, ngritjen e institucioneve të arsimit, shëndetësisë dhe të nismave të ndryshme në zhvillim të vendit, i konsideroni thjesht se “janë arteria ku Janullatosi mundohet të përhapë helenizimin nëpërmjet gjuhës greke”. Qëndrime të tilla sigurisht që janë paradoksale, të pavërteta dhe rrjedhimisht keqdashëse, pasi çdo njeri që e do vendin e tij, gëzohet për përparimin e çdo komuniteti fetar në Shqipëri.

   Duke përfunduar, do të doja të shtoja se vendi ynë ka vërtet nevojë për shumë gjëra dhe se rruga që kemi hapur që nga fitorja e demokracisë ka treguar se është e vështirë dhe pavarësisht arritjeve dhe zhvillimeve transformuese që ka pësuar vendi ynë, mbetet shumë punë për të përballuar sfidat që na presin. Ato kërkojnë mendje të zgjuara, urtësi dhe mbi të gjitha vendosmëri për të punuar për të mirën e vendit dhe të ardhmen e tij. Shpërqendrimi shpeshherë nga sfidat e vërteta që po kalon sot shoqëria shqiptare dhe ngritja e tematikave dhe e debateve shterpë, është sa vonesë në këtë rrugë, po aq edhe e dëmshme. Për këtë arsye, ne si klerikë dhe bij të këtij vendi, jemi të vendosur të japim kontributin tonë në drejtimin e duhur dhe me ndihmën e Zotit uroj t’ja arrijmë.