Në vende të ndryshme të vendit janë duke u zhvilluar kampet verore ditore për fëmijë. Në këto kampe fëmijët marrin pjesë për 4-5 orë në ditë. Programi i kampeve është mjaft i pasur dhe kjo bën që fëmijët të mësojnë shumë gjëra të rëndësishme dhe të bukura.
Studentët e Akademisë Teologjike, me bekimin e Episkopit të Apolonisë, Hirësisë së Tij Nikollës, dhe nën drejtimim e pedagoges Anastasia Pamela Barksdale, zhvilluan kampet ditore për fëmijë në Shën Vlash dhe në Rrushkull. Studentët organizues të këtyre kampeve morën pjesë në një program trajnimi në Akademinë Teologjike në mënyrë që të fitonin më tepër eksperiencë në mësimdhënie. Kampet ditore në këto dy vende kishin si temë: “Lajmi i Mirë dhe Shenjtorët e Shqipërisë”.
Përgjatë kampit fëmijët mësuan jetët e shenjtorëve, mësimet e tyre mbi dashurinë për Perëndinë dhe ndaj njëri-tjetrit. Çdo fëmijë mori si dhuratë një bluzë e cila kishte si logo pikërisht këtë mesazh. Fëmijët panë një film të përgatitur nga Zyra e Katekizmit mbi jetën e Shën Kozmait dhe ata morën një libër me ikona për ta ngjyrosur me pamje nga jeta e Jisu Krishtit dhe e katër shenjtorëve të njohur shqiptarë: Shën Astit, Shën Vlashit, Shën Joan Vladimirit dhe Shën Kozmait.
Dita e fundit e kampit ishte një peligrinazh në manastirin historik të Shën Kozmait, për të marrë pjesë në festimet e 300-vjetorit të lindjes së tij. 53 njerëz morën pjesë në pelegrinazh, duke përfshirë fëmijët dhe prindërit e tyre.
Kampe për fëmijë u zhvilluan edhe me fëmijët e grupeve të katekizmit të Kryezjarrit, Librazhdit dhe Shelcanit. Tema e kampit ishte Liturgjia Hyjnore. Ky kamp kishte si qëllim t’i udhëhiqte fëmijët drejt kuptimit dhe pjesëmarrjes në Liturgjinë Hyjnore. Programi i kampit përmbante lutje, këngë, lojra, punë dore, koktej, shëtitje, etj. Ditët kaluan shumë shpejt dhe fëmijët morën me vete mësimin dhe dashurinë për Perëndinë dhe gëzimin që ofroi të qënit së bashku.
Ndërkohë kampet e fëmijëve vazhdojnë në vende të tjera. Në Gjinar të Elbasanit është duke u zhvilluar këto ditë kampi veror ditor për fëmijë. Në këtë kamp marrin pjesë një numër i madh fëmijësh dhe tema e kampit është: “Zoti është bashkë me ne”.
Zyra Qendrore e Fëmijëve përgatitet për kampe të tjera fëmijësh. Nga data 1-6 shtator, do të ketë kamp për fëmijë në Tiranë, pranë Liqenit Artificial, në Kishën e Shën Prokopit. Në këto data do të ketë kamp për fëmijë edhe në Kavajë, pranë Kishës së Shën Nikollës. Ndërsa nga datat 9-13 shtator do të zhvillohet kamp për fëmijë në Sukth.
Mosha e fëmijërisë është një moshë mjaft domethënëse në jetën e njeriut, është moshë ku njeriu hedh bazat e formimit të tij. Tek Fjalët e Urta 22:6 thuhet: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”.