Vizitat e Kryepiskopit Anastas në Mitropolinë e Korçës kanë qenë gjithmonë të rrethuara nga një dashuri dhe ngrohtësi e veçantë. Duke nisur që nga pritja në kufijtë e Mitropolisë, pranë Linit, nga mjaft makina me klerikë e besimtarë e deri tek dashuria dhe kujdesi i veçantë në çdo meshim, vizitë apo veprimtari. Edhe më të veçantë këtë vizitë të Fortlumturisë së Tij e bënte fakti që ajo zhvillohej në përvjetorin e 22 të Fronëzimit të tij si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Pas Shenjtërimit të Kishës së Pogradecit, të dielën, 3 gusht, Kryepiskopi e kreu Liturgjinë Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në qytetin me tradita të shquara të Korçës, i ndihmuar nga Mitropoliti Joan dhe Episkopi Nathanail, si dhe 20 klerikë të tjerë. Kisha, si gjithmonë, ishte e mbushur plot e përplot nga besimtarë të devotshëm që ndiqnin e merrnin pjesë me devocion në çdo pjesë të meshës. I pranishëm ishte edhe Prefekti i Korçës, përfaqësues nga parti e shoqata, Konsulli i Greqisë etj.
Në predikimin e tij Kryepiskopi Anastas duke theksuar mesazhin e Ungjillit të ditës, theksoi se në jetët tona nuk duhet të mbetemi tek konstatimi i problemeve, por duhet te japim kontributin tonë, sado të vogël, duke pasur si udhëheqje dhe mbështetje Zotin Jisu Krisht. Gjithashtu, Kryepiskopi foli për kujtimet dhe lidhjet e veçanta me këtë qytet që në çastet e para të ardhjes në vendin tonë.
Në fund të Liturgjisë, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, falënderoi nxehtësisht Kryepiskopin për veprën e tij në këto 22 vjet që nga Fronëzimi, duke theksuar falënderimin dhe mirënjohjen që të gjithë besimtarët dhe më gjerë duhet të tregojnë për këtë vepër të jashtëzakonshme.