Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë), zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, vazhdon trajnimet dhe nismat e reja në zona të ndryshme të vendit. Vetëm muajt e fundit ajo ka ofruar trajnime të vazhdueshme për personelin shëndetësor të zonave rurale dhe ka ndërmarrë nisma të reja për bletërritjen, si një përpjekje për fuqizimin e ekonomive familjare në komunën e Gjinarit.
Që prej janarit 2014 Diakonia Agapes mbështetur financiarisht nga Bread for the World Austria, po zbaton në komunën Librazhd Qendër të Librazhdit, projektin “Fuqizimi i grave përmes kujdesit shëndetësor”. Kujdes të veçantë gjatë këtij projekti i kushtohet aftësimit të personelit shëndetësor përmes trajnimeve, të cilat rrisin cilësinë e shërbimeve të ofruara në komunitet.
35 anëtarë personeli (mjekë dhe infermierë) nga zona, u trajnuan në takime 3 ditore për temat “Parandalimi i kancerit të gjirit” zhvilluar në periudhën 31 maj – 14 qershor 2014 dhe “Parandalimi i kancerit të qafës së mitrës” mbajtur më 21 qershor – 5 korrik 2014”. Për të dyja këto trajnime, Diakonia Agapes, ka marrë njohjen për akreditim nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim me aprovimin e së cilës janë organizuar edhe trajnime të tjera të personeleve shëndetësore të komunës Shushicë në Elbasan dhe për personelin e Rrogozhinës.
Trajnime të kësaj natyre janë me vlerë për personelin shëndetësor sidomos për ata që shërbejnë në zona rurale. Si në çdo aktivitet që synon ngritjen profesionale të personeleve në kontakt të drejtpërdrejtë me komunitetin, e një rëndësie të veçantë ka qenë mbështetja e marrë nga Drejtoria Shëndetit Publik Librazhd, drejtuesit e personelit shëndetësor si dhe kryesia e komunës Librazhd Qendër. Në gjysmën e dytë të vitit 2014 projekti do të vazhdojë me aktivitetet që synojnë edukimin shëndetësor të grave banore në Librazhd Qendër dhe fuqizimin e tyre.
Diakonia Agapes ka filluar gjithashtu nismën e re për bletërritjen në komunën e Gjinarit. Kjo nismë mundësohet financiarisht nga OCMC (Qendra Misionare e Krishterë Orthodhokse) në SHBA. Diakonia Agapes trajnon fermerët e kësaj komune për zhvillimin e bletarisë. Pas aftësimit me njohuri teknike fermerët do të kenë mundësi të vazhdojnë një tjetër etapë të kësaj iniciative: aplikimin e njohurive të fituara në familjet e bletëve për të cilat ata ishin bashkëfinancues dhe për të cilat do të kujdesen në vazhdimësi. Atyre nuk do t’ju mungojë asistenca teknike e specialistëve bletërritës në zonë që së bashku me aplikimin e saktë të shërbimeve dhe me motivimin e fermerëve premton për rezultate shumë të mira, familje të forta bletësh, mjaltë cilësor dhe në të ardhmen ekonomi më të qëndrueshme familjare.