“Vlerat e demokracisë amerikane nuk pranojnë në mënyrë absolute diskriminimin e të tjerëve sipas besimit, etnisë apo bindjeve”
– Përgjigje e disa klerikëve ndaj disa qëndrimeve të z. Ekrem Bardha kundër Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë – botuar në gazetën “Panorama”, dt.21.6.2014.
Të shprehësh opinionin tënd lirisht është një nga themelet e demokracisë. Ta përdorësh këtë të drejtë për të mbjellë dasi dhe gënjeshtra, e minon atë. Për fat të keq, kjo e dyta haset shpesh në shtypin tonë të tranzicionit të përhershëm. Por, kur këtë e bëjnë edhe persona që janë qytetarë të vendeve me demokraci të konsoliduar, prej të cilëve pritet edhe një shembull, kjo është edhe më e dënueshme.
Në gazetën “Panorama”, të së hënës, 16 qershor 2014, ka një shkrim të tillë, me titull “Me Janullatosin Kisha është e varur nga influenca greke e sllave, nga “shqiptaro-amerikani” Ekrem Bardha, që nga sa duket nga mënyra e të shprehurit, amerikane ka vetëm paratë.
Së pari, ai pretendon se “Kryepeshkopi Anastas e ka zhveshur këtë kishë nga autoqefalia e Fan Nolit.” Nuk e di nëse z. Bardha ka qenë me pushime dhe nuk e ka ndjekur atë që ndodhi më 1 Qershor në Tiranë, por e njoftojmë se në kryeqytetin e Shqipërisë u mblodhën të gjitha Kishat Ortodokse të botës, 4 patriarkë, 4 kryepeshkopë dhe përfaqësuesit e 4 patriarkëve të tjerë, pikërisht për të afirmuar atë që na e mohon z. Bardha. Kisha Ortodokse e Shqipërisë jo vetëm është plotësisht Autoqefale, si asnjëherë në historinë e vendit tonë, por është e barabartë me të gjitha Kishat e tjera Ortodokse, të cilat pa asnjë përjashtim e njohin dhe e pranojnë si të tillë. Kjo është vepër madhore e punës së jashtëzakonshme të Kryepeshkopit Anastas, që e ka ngritur Kishën tonë më lart se kurrë.
Kujtojmë se në vitet ’20-30 Kisha jonë përpiqej për Autoqefalinë, por nuk njihej nga askush si e tillë. Në vitin 1937, Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës dha Tomosin që e njohu kanonikisht këtë Autoqefali, por ajo as u kristalizua e as u afirmua në raport me Kishat e tjera, për shkak të pushtimit fashist e nazist. Pas luftës, regjimi komunist më parë e izoloi Kishën, si të gjitha fetë dhe më pas e shkatërroi. Pra, Autoqefalia për të cilën flitet kaq shumë, asnjëherë nuk arriti të bëhej reale, e njohur nga të gjitha Kishat e tjera… Në vitin 1991, zgjimi nga nata ateiste ishte shumë i dhimbshëm. Kishte vetëm 15 klerikë në moshë të thyer dhe asnjë peshkop ortodoks apo kandidat për t’u bërë i tillë. Nuk kishte kisha, zyra, burime financiare. Asgjë! Shteti garantoi lirinë fetare, por nuk dha asgjë, madje as ato që kishte grabitur regjimi ateist… në këtë situatë katastrofike e gjeti Kishën tonë Kryepeshkopi Anastas, i cili la misionin e tij në Afrikë, ku kishte dhënë një kontribut të njohur nga gjithë bota ortodokse dhe më gjerë dhe erdhi në Shqipëri, për të nisur mrekullinë e ringjalljes nga hiri të besimit dhe Kishës. Ngjarja madhështore dhe historike e 1 qershorit ishte pikërisht, dëshmia e ringjalljes së Kishës dhe e garantimit përfundimtar të Autoqefalisë së saj.
Së dyti, z. Bardha thotë se “Meshat në kishat ortodokse në Shqipëri duhet të jenë në gjuhën shqipe.” Nuk e dimë nëse ai ka informacion të gabuar apo gënjen me ndërgjegje, por mjafton që dikush të ketë dashamirësinë të vizitojë cilëndo kishë ortodokse të Shqipërisë dhe të shikojë pa ekuivoke, se meshat bëhen gjithmonë në shqip (përveç atyre të minoriteteve). Këtë dashamirësi, nga sa duket, nuk e kanë as shumë gazetarë, që vazhdojnë të përsërisin si papagaj të paguar se meshat “bëhen greqisht”, duke helmuar e mashtruar opinionin publik. Zoti Bardha merret gjerë e gjatë edhe me çështje politike, për të cilat është e drejta e tij, por duam ta informojmë, se Patriarku Irinej intervistën në fjalë e ka dhënë privatisht, i pyetur nga një TV privat, jashtë veprimtarisë zyrtare. Brenda Shërbesës së Shenjtërimit, Liturgjisë Hyjnore dhe takimeve të tjera, për të cilat ishte ftuar, si gjithë Kryetarët e Kishave Ortodokse, nuk ka asnjë lloj deklarate të tillë.
Z. Bardha e mbyll intervistën, duke thënë se Kisha nuk ecën në gjurmët e Nolit dhe se “kisha është e varur nga kisha serbe e greke”. I kujtojmë z. Bardha, se në ceremonitë e zhvilluara, na nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Peshkopi Nikon Liolin, që drejton dioqezën e Bostonit dhe Nju England dhe Arkidioqezën shqiptare të Kishës Ortodokse në Amerikë (OCA). Pra, është drejtuesi dhe përfaqësuesi i asaj Arkidioqezë që ka drejtuar Imzot Theofan Noli dhe është përfaqësuesi i besimtarëve ortodoksë që përbëjnë grigjën e saj. Imzot Nikoni e falënderoi ngrohtësisht Kryepeshkopin Anastas për punën e bërë, siç ka bërë edhe më parë dhe theksoi se trojet e Shqipërisë janë ndriçuar nga tre figura të mëdha; Apostull Pavli, Imzot Theofan Noli dhe Kryepeshkopi Anastas. Pra, në emër të kujt i bën z. Bardha konsideratat e tij fyese, kur nuk i përket minimalisht as besimit të krishterë?
Kjo mënyrë të shprehur dhe të sjelli ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nuk e forcon bashkimin kombëtar dhe harmoninë fetare, por i cenon ato si edhe ne klerikët shqiptarë që jemi vazhdimisht në shërbim të besimtarëve dhe vendit. Gjithashtu, bien ndesh me ato që z. Bardha pretendon se na sjell e përfaqëson, vlerat e demokracisë amerikane, e cila nuk pranon në mënyrë absolute diskriminimin e të tjerëve sipas besimit, etnisë apo bindjeve, siç bëhet në intervistë. Pa u ndalur pastaj në përgjegjësitë e intervistuesit, i cili në pyetjet tepër tendencioze dhe aspak objektive, ka derdhur gjithë anshmërinë dhe padijen e vet.
Atë Jovan Korroveshi, Tiranë
Atë Gjerasim Çakalli, Sukth
Atë Stavri Çipi, Elbasan
Atë Spiro Kostoli, Durrës
Tiranë,19 qershor 2014.
Fotografitë:
– Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, në Kishen e Shen Gjergjit në Boston, SHBA (së bashku me Imzot Nikon Liolin, Imzot Ilia Ketri dhe atë Artur Liolin), me rastin e 100-vjetorit te hapjes se saj.
– Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, me Kryepiskopin (Mitropolit) të Bostonit dhe New Egland dhe i Diaspores shqiptare në SHBA (OCA), Hirësi Nikon Liolin, pas fjalimit të rastit në drekën zyrtare pas Shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë, 1 qershor 2014.