Fjalimi i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës,

Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë,

† ANASTASIT

NË CEREMONINË E SHENJTËRIMIT TË KISHËS SË SHENJTË

TË TIRANËS “NGJALLJA E KRISHTIT”

1 qershor 2014

 

    “Kjo është dita që bëri Zoti, le të ngazëllohemi dhe le të dëfrehemi në të” (Ps.117:43)

    Tërëshenjtëri, Patriark Ekumenik i Konstandinopojës, zoti Vartholome; Shkëlqesia Juaj, President i Republikës;  Fortlumturitë Tuaj, Primatë dhe Hirësi përfaqësues të Kishave Orthodhokse Lokale,i nderuar zoti Kryetar i Parlamentit, i nderuar zoti Kryministër i, i nderuar zoti Kryetar i Bashkisë, përfaqësues të nderuar të Komuniteteve Fetare në Shqipëri, zotërinj ambasadorë, vëllezër dhe motra të shtrenjtë,

    1. Ndjenja falënderimi, mirënjohjeje dhe ngazëllimi përmbushin shpirtrat e orthodhoksëve të Shqipërisë, ndërkohë që kujtojmë bamirësitë e jashtëzakonshme të Perëndisë gjatë 23 viteve të fundit. Dhe në mënyrë spontane na vjen në mendje përsëri kontakti i parë personal me popullin e vuajtur orthodhoks të këtij vendi.

    Në fillimet e vitit 1991, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike mori nismën dhe më ngarkoi të vija në Shqipëri si ekzark patriarkal, për të shqyrtuar se çfarë kishte mbetur nga shkatërrimi ateist. Ishte qershori i vitit 1991 kur, me dy persona të tjerë që më shoqëronin, mbërritëm në aeroportin e Tiranës. Na priti një grup i vogël burrash të moshuar, të munduar nga persekutimi i gjatë. Prej andej u drejtuam për te kisha – rrënojë e Ungjillëzimit. Që në çastin e parë m’u desh të përcaktoja mesazhin thelbësor të misionit tim. Kërkova të marrin të gjithë nga një qiri dhe pyeta se si i thonë në gjuhën shqipe “Hristos Anesti”. Ndeza qiriun duke thirrur “Krishti u Ngjall”. Njëri pas tjetrit, ndezën qirinjtë edhe besimtarët e tjerë të paktë të ndodhur aty, të cilët u përgjigjën me lot në sy: “Vërtet u Ngjall”. Nga ai çast, “Krishti u Ngjall” u bë mesazhi me të cilin rrugëtuam deri më sot. Ky mesazh fali dritë në vjeshtën melankolike dhe në dimrin e akullt që pasuan. Ai mbizotëron në pranverën shpirtërore që më në fund na fali Perëndia. Ngjallja e Krishtit u bë simboli më shprehës i Kishës sonë.

    Me mirënjohje të thellë, Tërëshenjtëri, kujtojmë gjithmonë, si kleri dhe populli, dashurinë dhe përkujdesjen sypafjetur të Patriarkanës Ekumenike, të Kishës Mëmë, në vitet e errëta të persekutimit totalitar dhe veprimet Tuaja personale të drejtpërdrejta për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pikërisht në këto çaste të Shenjtërimit të Kishës së re Katedrale, “përsëri dhe përsëri”,  ndiejmë detyrimin të shprehim me gjithë shpirt falënderimet tona.

   Gjithashtu nga zemra Ju falënderoj edhe Ju, Fortlumturi Patriarkë të Jerusalemit z. Theofil, të Serbisë z. Irine, të Rumanisë, z. Daniel dhe Ju Fortlumturi, Kryepiskopë, të Qipros z. Hristostom, i Athinës z. Jeronim, i Varshavës z. Sava si edhe Ju Hirësi Mitropolitë, përfaqësues të Patriarkanave të Aleksandrisë, Antiokisë, Rusisë, Bullgarisë dhe Gjeorgjisë, sepse patët mirësinë të merrni pjesë në këtë ditë historike për Kishën e Shqipërisë.

    Prania juaj këtu, në të Dielën e sotme, e cila përkon me kujtimin e 318 Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik, thekson me një emfazë të veçantë unitetin e Orthodhoksisë, të vërtetën se “në qoftë se një pjesë vuan, gjithë pjesët vuajnë bashkë me të; ose në qoftë se nderohet një pjesë, të gjitha pjesët gëzohen bashkë me të” (1Kor. 12:26-17). Pra ngjarja e sotme nuk përbën nder të madh vetëm për Kishën e Shqipërisë, por njëkohësisht është edhe një dëshmi më e gjerë e  Orthodhoksisë Mbarëbotërore,  “që shtrihet nga njëri skaj i botës në tjetrin”.

    Dita e sotme vulos një periudhë historike Pësimi, Varrosjeje dhe Ngjalljeje të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Nuk do t’u referohemi  kushteve, rrugëve pa krye, keqkuptimeve, shpifjeve, vështirësive objektive, sprovave të vështira apo arritjeve gjatë këtyre 23 viteve të gjata. Tashmë nuk mund të vihet në dyshim se, në një epokë pasigurie dhe trazirash, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me praninë  dhe nismat e saj sociale të shumanshme, forcoi besimin, dashurinë dhe shpresën e popullit orthodhoks dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Me aktivitetin e saj, kontribuoi në mënyrë thelbësore në një periudhë historike kritike, për rindërtimin e përgjithshëm dhe zhvillimin shpirtëror e social të Shqipërisë.

    2. Simbol i qartë i rindërtimit të mundimshëm nga themelet në të gjitha fushat, i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është kjo Kishë e re Katedrale. Konceptimi i përgjithshëm i arkitekturës së saj gërshetohet me shumë simbolika të Traditës Orthodhokse. Burim frymëzimi, ka qenë arritja madhështore e arkitekturës orthodhokse, “Shën Sofia”, duke kërkuar mënyrë të re shprehjeje, të bazuar në teknologjinë bashkëkohore. Kisha mbështetet në katër shtylla të mëdha, që formojnë kryqin. Sipër tij lartësohet kubeja me 52 dritare, simbol i javëve të vitit dhe në majën e saj mbizotëron mozaiku i Pantokratorit, i të Gjithëpushtetshmit, që lidh kohën e krijuar me përjetësinë.

    Në absidën e Hierores, një tjetër mozaik i madh lidhet me triumfin mbarëbotëror të të Ngjallurit, me porosinë dhe me premtimin me të cilin mbyllet Ungjilli sipas Mattheut: “M’u dha çdo pushtet në qiell dhe mbi dhé. Shkoni pra mësoni të gjithë kombet… Dhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në fund të jetës” (Matth. 28:19-20). E gjithë skena lidhet me fillesën e re hierapostolike që nisi në Kishën Orthodhokse para rreth një gjysmë shekulli. (Pikturimi parashikohet të plotësohet me Darkën Mistike dhe skena të tjera).

    Në këtë pikë, lejomëni të bëj një parantezë. Para pak ditëve, u mbushën pesëdhjetë vjet nga dorëzimi në prift (24 maj 1964) i personit që po ju flet dhe largimit të tij, po atë ditë, për në Afrikë. Ishte përfaqësues i një grupi të ri që dëshironte ringjalljen e Hierapostullimit të jashtëm Orthodhoks dhe që, duke dëgjuar porosinë e fundit të Zotit të Ngjallur “Shkoni….”, dëshironte të shkonte në kufij të rinj, për të transmetuar mesazhin e Ngjalljes, në njerëz të etur për të vërtetën e Ungjillit, të cilëve u ishte bërë padrejtësi. Shumë vonë, nga Afrika, iu përgjigj thirrjes për një tjetër rrugëtim, për në Shqipërinë e plagosur nga persekutimi ateist.

    Hyrja qendrore në pjesën perëndimore të Katedrales, të  sjell në mendje përqafimin e hapur, që në heshtje u drejton ftesën e Zotërisë së shtëpisë, të Krishtit “ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar dhe unë do t’ju preh ju” (Matth.11:28). Një ftesë që përmbledh mesazhin e misionit tonë.

    Një tablo e ndritshme e kaltër prej qelqi, të çon tek ylberi, shenja e paqes dhe e shpresës pas përmbytjes. Sipër hyrjes qendrore, lartësohet një kryq prej bakri, i rrethuar nga dy kallinj, simbol i dashurisë sakrifikuese dhe i përkushtimit, siç e përcaktoi Krishti para Pësimit të Tij: “Në mos rëntë kokrra e grurit në dhé e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë pemë” (Jn. 12:24). Ky varg është përcaktues për të gjithë rrugëtimin.

    Sa i takon kambanores, katër llambadhe paskale të çojnë te katër Ungjillorët, të cilët shpallin Ngjalljen e Krishtit. Kishëza e Lindjes së Krishtit, rikujton se të gjitha nisën nga përulësia dhe dashuria e Fjalës së bërë njeri. Katedralja rrethohet nga Qendra Sinodike dhe ajo Kulturore, duke nënvizuar bindjen tonë se kultura lidhet direkt me jetën e Kishës. Të gjitha theksojnë se në traditën orthodhokse e vërteta, dashuria dhe bukuria lidhen në mënyrë të ndërsjellë.

    Në realizimin e ngritjes së kësaj Kishe Katedrale, kontribuuan shumë njerëz të njohur dhe anonimë: Si fillim, kryeministrat e Shqipërisë, që kanë shërbyer gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Shumë donatorë dhe bashkëpunëtorë nga vende të ndryshme. Diptikët e lutjes së Kishës, përfshijnë qindra emra, të atyre që kontribuuan në ngritjen e saj. Falënderimi ynë ndaj të gjithë këtyre, mbetet i sinqertë dhe shumë i thellë.

    Shpresojmë se kjo Kishë Katedrale do të jetë -siç u lutëm në Shërbesën e Shenjtërimit- “liman për ata që ndodhen në stuhi, spital ku shërohen pasionet, strehë e të sëmurëve”, burim ngushëllimi, dashurie dhe shprese, duke kontribuuar në zhvillimin e një jete liturgjike dinamike dhe të jetës shpirtërore orthodhokse. Gjithashtu ajo do të ofrojë, frymëzim të pandërprerë për të “vazhduar liturgji pas Liturgjisë”. Që jeta jonë e përditshme të transformohet në një liturgji personale, ku me predispozitë dhoksologjike, do të ndajmë me njerëzit tanë, me vepra dhe fjalë, dhuratat që na ka falur Perëndia.

    3. Brenda kufijve të këtij gëzimi dhe bekimi të përgjithshëm, na kërkohet të tregojmë kujdes edhe për mesazhin mistik, të cilin e dërgon Perëndia për secilin nga ne personalisht me rastin e këtij shenjtërimi: Detyrimin që ne kemi për ripërtëritjen personale të qenies sonë që të jemi “tempuj të Perëndisë së gjallë”.

    Në fjalën e tij “Në të Dielën e re”, shën Grigor Theologu gërsheton thirrjen për ripërtëritje rrënjësore të të gjithave, e cila kryhet me Ngjalljen e Krishtit, me detyrimin e të krishterit për një përpjekje të pareshtur rinovuese. Mesazhi i tij kryesor kulmon me apostrofin: “Le të kremtojmë shpirtërisht këtë përurim”. “Të vjetrat shkuan, ja ku u bënë të gjitha të reja”. “Në këtë të kremte jep fryte, ndryshohu me ndryshimin e mirë”. “Ripërtërihuni, o vëllezër, dhe hidhni tej njeriun e vjetër, jetoni në risinë e jetës”. “Kështu ripërtërihet njeriu, kështu le të nderohet dita e ripërtëritjes”. “Ripërtërihu!” e nxit Kisha secilin nga ne. Përkushtoja me korrektesë jetën tënde Perëndisë së dashurisë.

    Por kryesorja, ajo që i kërkohet çdo besimtari, është dhe mbetet se si do të bëhemi tempuj të Shpirtit të Shenjtë. Jo me përgjithësime dhe abstraksione, por duke kultivuar frytin e Shpirtit të Shenjtë në jetën tonë të përditshme. Dhe se si me jetën tonë, do të jemi dëshmitarë fuqisë së Kryqit dhe gëzimit të Ngjalljes. Le të urojmë njëri – tjetrin, që drita e tërëndritshme ngjallësore, të ndriçojë qenien tonë, të fuqizojë besimin tonë te Krishti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur dhe të mbështesë përpjekjet tona për përparimin shpirtëror të vendit tonë e të mbarë botës.

    Le të lutemi që kjo Kishë Katedrale të bëhet simboli i një Orthodhoksie të hapur ndaj botës bashkëkohore- vend ku do të përjetohet dhe do të predikohet misteri i Perëndisë Triadik, ekonomia hyjnore në Krishtin me anën e Shpirtit të Shenjtë; një fidanishte e vërtetë e kultivimit shpirtëror të besimtarëve me ndërgjegjen ngjallësore që përqafon të gjithë Ekumenin, botën dhe rrezaton të vërtetën, fuqinë dhe bukurinë e Orthodhoksisë.

    “Atij që sipas fuqisë që veprohet te ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Krishtit Jisu në gjithë brezat në jetë të jetëve. Amin” (Efes.3:20-21).

 

 

FJALIMI I TËRËSHENJTËRISË SË TIJ,

PATRIARKUT EKUMENIK,

VARTHOLEMEUT,

GJATË SHENJTËRIMIT TË KISHËS KATEDRALE

TË NGJALLJES SË KRISHTIT, TIRANË

(1 qershor 2014)

 

***

 

    Shkëlqesia Juaj, zoti President  i Republikës së Shqipërisë,

    Fortlumturi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, dhe i Gjithë Shqipërisë, vëlla i shtrenjtë në Krishtin dhe bashkëmeshtar, zoti Anastas,

    Fortlumturi dhe vëllezër fort të nderuar në Krishtin, Primatë të Kishave Fort të Shenjta Orthodhokse të Jerusalemit, Serbisë, Rumanisë, Qipros, Greqisë, Polonisë bashkë me personat e nderuar që ju shoqërojnë,

    Fort të shenjtë, Hirësitë Tuaja, përfaqësues të Kishave të shenjta Orthodhokse në vende të ndryshme,

    Fort të shenjtë dhe Hirësi, vëllezër të shenjtë,

    Popull i zgjedhur dhe i bekuar i Perëndisë,

 

    Na ka mbledhur sot kjo ngjarje e madhe dhe historike: Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së Shenjtë të Ngjalljes, e cila vërteton edhe ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri. Ne të krishterët shpresëtarë e orthodhoksë dallohemi për faktin se besojmë në ngjalljen e të vdekurve, duke pasur të parë Zotin tonë të Ngjallur, Jisu Krishtin. Jisu Krishti u ngjall me fuqinë Tij dhe bashkëngjall me Veten e Tij të gjithë besimtarët, i fton të gjithë njerëzit që të marrin pjesë në ngjallje. Për ata që nuk besojnë te Jisu Krishti ngjallja duket si mit. Por, nga përvoja e shenjtorëve, ne kemi përvojën e Ngjalljes, e cila është edhe realiteti, dhe përvoja jonë biomatike. Në këtë kuptim, edhe shenjtërimi i kësaj Kishe të shkëlqyer Katedrale të Ngjalljes, përbën sot një provë, se Ngjallja është realiteti, se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila dikur ishte e vdekur për shkak të persekutimeve ateiste, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet.

    Patriarkana Ekumenike, Kisha Mëmë e Konstandinopojës, ndien një gëzim të gjithanshëm, duke parë mrekullinë e rilindjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri dhe përgëzon nga thellësia e zemrës të gjithë ata që kontribuuan në ngjalljen e saj. Punëtori i parë, sigurisht, ka qenë i Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe i Gjithë Shqipërisë, zoti Anastas, njeri me shumë përvojë dhe plot me zell e dashuri hyjnore. Bashkëpunëtorët e tij, ky numër i madh klerikësh dhe laikësh të zellshëm, anonimë dhe me emër, të njohur dhe më së shumti të panjohur. 

    Shtysa e gjithë këtyre ka qenë dëshira për t’i bërë të ditur botës dashurinë e Perëndisë për njeriun, në përputhje me porosinë e Zotit: “Do të më jeni dëshmitarë në të gjithë ekumenin, botën, deri në skajet e dheut”. Sepse çfarë gjëje tjetër kryen Kisha përveçse të dëshmojë vazhdimisht e në çdo drejtim dashurinë e Perëndisë për njeriun dhe të shfaqë Ungjillin? Të transmetojë lajmin e gëzuar, se Perëndia u shfaq në mish dhe të  ofrojë paqen dhe dashurinë, si dhurata të pakapërcyeshme për njerëzit?

    Bëhet fjalë për dëshmi, që pranohet lirisht ose hidhet poshtë lirisht, sipas zgjedhjes së çdo personi. Kisha dhe të krishterët nuk i imponojnë askujt të pranojë dëshminë për të vërtetën. E megjithatë, u persekutuan në të shkuarën me ashpërsi dhe pa mëshirë, njësoj sikur të propozonin dhe të predikonin në shoqëri teori të dëmshme. U përndoqën paqebërësit, u bënë shpifje kundër atyre që ishin njeridashës dhe të drejtë. Madje në shumë raste, njerëz që nuk kanë njohje për ato që ndodhin “në brendësi”, prej atyre që kanë dhe që mbartin pushtetin, i kundërshtuan dhe i hodhën poshtë predikimet e dashurisë. Megjithatë, ne të krishterët vazhdojmë të dëshmojmë të vërtetat e përjetshme se gëzim të pashtershëm ka në Krishtin, i Cili u fal zemrave të besimtarëve paqen shpirtërore, që nuk zhvlerësohet dhe që nuk u hiqet kurrë. 

    Qëllimi i dëshmisë sonë, është pjesëmarrja e bashkënjerëzve tanë në gëzimin tonë. Duke besuar në fjalën e Zotit “se më i lumtur është ai që jep sesa merr” (Veprat 20:35-36), japim pa kurrfarë interesi dëshminë tonë rreth faktit se gëzimi dhe paqja ekziston te Krishti. Oferta e të krishterëve nuk shteron te fjalët, por realizohet edhe me anë të ndihmave materiale të domosdoshme dhe të shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.  Provë e jashtëzakonshme e kësaj, janë veprat e mëdha filantropike e arsimore dhe në përgjithësi për të gjithë njerëzit, të cilat Kisha Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri nëpërmjet Fortlumturisë Suaj të nderuar, vëlla Anastas, i ofroi popullit, me gjithë mjetet e pakta që kishte në dispozicion.

    Historia, nga ana tjetër, na vërteton se Kisha Orthodhokse gjatë gjithë kohës frymëzohet nga dëshira për të ofruar dhe gjithmonë ofron, madje edhe duke kapërcyer mundësitë e saj, sepse gëzohet me gëzimin e tjetrit dhe synon të gëzojë nëpërmjet ofrimit të gëzimit te bashkënjerëzit tanë. Nuk numëron pasuesit, nuk regjistron arritjet materiale, gëzohet duke shpërndarë gëzim dhe lehtësim dhe i fton ata që janë të munduar e të ngarkuar të vijnë te Krishti, që të marrin prehje për shkak të mijëra mundimeve dhe të këqijave të jetës.

 

***

 

    Kisha motër Orthodhokse që ndodhet në Shqipëri, u persekutua në të shkuarën deri në zhdukjen e saj të plotë. Pas vuajtjes së skajshme, i erdhi ringritja dhe çlirimi, pas sprovës, vlerësimi.

    Lavdërojmë dhe falënderojmë nga thellësia e zemrës Zotin e Hirit, të Mëshirës, të Dhembshurive dhe të çdo ngushëllimi, sepse Ai mirëpëlqeu që nëpërmjet zellit apostolik të Fortlumturisë Suaj fort të dashur për ne, vëlla  i shenjtë i Tiranës, zoti Anastas dhe me anë të bashkëpunimit të zellshëm të shumë punëtorëve të Ungjillit, të njohur e të panjohur, dhe në pjesën më madhe që nuk duken, të ngjallë nga hiri Kishën Orthodhokse të Shqipërisë dhe ta rivendosë atë në “lavdinë e hershme”, me shkëlqim dhe plot jetë në rreshtat e Kishave orthodhokse autoqefale.  

    Rezultatet e dashurisë së painteres dhe të pakufishme ndaj të gjithëve, që tregoi dhe që vazhdon të tregojë Fortlumturia Juaj, nga çasti i parë i caktimit të misionit nga Patriarkana Ekumenike dhe i mbërritjes suaj në Shqipëri, në cilësinë e Ekzarkut të patriarkut të paharruar, Dhimitrit dhe në vazhdim, pikërisht pas një viti, si protodhjakon i përgjegjësisë dhe hierapostull, duke ndjekur besnikërisht shembullin dhe rrugën në këto vende të shenjta të Kozmait të Etolisë dhe duke mbajtur mbi vete çdo ditë për një çerek shekulli, kryqin e martirizimit dhe të dëshmisë, përbëjnë nga ky çast një parashijim të ngjalljes.  Janë një eksperiencë ngjallësore: Ne në Patriarkanën Ekumenike, pamë se Kisha Orthodhokse në Shqipëri, kaloi nga vdekja në jetë, sepse Ju, Fortlumturi, i deshët me të vërtetë vëllezërit. Nga ana tjetër e dimë se “ai që nuk do vëllain mbetet në vdekje” (1 Joan.3:15).

 

***

 

    Këtë Ngjallje të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë shijojmë sot dhe ne të gjithë. Në emër të vëllezërve primatë të Kishave Orthodhokse, por edhe të gjithë klerit dhe popullit e përgëzojmë, siç i ka hije, Fortlumturinë Tuaj dhe jemi të detyruar t’ju faleënderojmë, jo vetëm për veprën e mrekullueshme që keni kryer me hirin e Perëndisë gjatë kësaj periudhe të shërbimit tuaj si hierark i parë në Shqipëri, por edhe për plotësimin para pak ditësh, më 24 maj, të një pesëdhjetëvjeçari shërbese të frytshme në fushën kishtare, me dorëzimin Tuaj në prift dhe të dyzetvjetorit të vënies në lëvizje të veprës suaj të shkëlqyer hierapostolike në kontinentin e Afrikës. 

    Dëshmia nuk është vetëm shenjtërimi i kësaj Kishe kaq të bukur Katedrale. Është edhe ndërtimi nga themelet dhe rindërtimi i mbi 150 kishave e manastireve të shenjta në mbarë territorin e Shqipërisë. Themelimi i shtëpive të fëmijës, i kopshteve dhe i shkollave të Kishës, veçanërisht i Akademisë Theologjike të hieromartirit, Shën Vlashit në Durrës, për formimin e klerikëve kandidatë dhe kultivimin e shkencës së shenjtë të theologjisë, ngritja e një Qendre Mjekësore shumëkatëshe dhe shumëfunksionale, të pajisur më së miri, që ngjall admirim te të gjithë, si edhe e njësive mjekësore në zona të ndryshme të vendit, veprat botuese dhe përkthyese të një niveli të lartë, organizimi sistematik i katekizmit të popullit nëpërmjet Shkollës së Katekizmit në funksionim, Kompleksi i punishteve kishtare “Nazaret” dhe shumë e shumë vepra të tjera të mira, dëshmojnë përkujdesjen e Kishës për popullin në të gjitha fushat e jetës.

 

***

 

    Por, si Patriark Ekumenik dhe përfaqësues i Kishës së dialogut, të paqes dhe të mirëpëlqimit, në mënyrë të veçantë duhet  të kujtojmë si një prej arritjeve tuaja më të mëdha, Fortlumturi, kultivimin e klimës së pajtimit, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës paqësore midis të gjitha palëve të popullit të Shqipërisë. Prandaj dhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, ashtu siç i ka hije, është lidhja përbashkuese dhe elementi dinamik i përparimit të vendit. Këtë klimë pajtimi, bashkëpunimi dhe dialogu e kultivuat qysh prej fillimit, jo pa mundime për shkak të paragjykimeve dhe antitezave të rrënjosura, dhe arritët ribashkimin e ndasive dhe bashkëpunimin harmonik midis të gjithëve, për të mirën e përbashkët të përgjithshme. 

    Pra sot, të kremten e Treqind e tetëmbëdhejtë Etërve, që predikuan të vërtetën e Orthodhoksisë në Sinodin e Parë Ekumenik në Nike të Vithinisë dhe njëkohësisht, në kujtim të martirit të shenjtë, Justin Filozofit, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, ka ditën e saj të Zotit: ditën e Ngjalljes së saj, që vuloset me Shenjtërimin e Kishës së Ngjalljes. Sikundër Zoti doli fitimtar nga varri dhe shpërndau në botë rrezet e dritës së Ngjalljes së Tij, kështu edhe kjo Kishë doli fitimtare nga periudha e gjatë e sprovës dhe e tundimit, gjatë së cilës ndodhej e mbyllur “si në varr”.   

    Dhe tani nga kjo Kishë e bukur e Ngjalljes dhe nga të gjitha kishat e shenjta të ndërtuara rishtas apo të rindërtuara nga themelet, por veçanërisht nëpërmjet kishave të gjalla shpirtërore të besimtarëve të saj, shpërndan dritën e fitores kundër errësirës dhe vdekjes. Kjo Kishë Katedrale do të dëshmojë gjithnjë se “dyert e hadhit nuk do ta mposhtin atë” (Matth. 16:18-19).

 

***

 

    “Duke kujtuar të gjithë shenjtorët” në kryerjen e Adhurimit Hyjnor të pagjaktë dhe në “thyerjen e Bukës” madje shenjtorët dhe martirët mbrojtës që prej fillimit dhe deri në kohët e fundit, të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, nga hieromartiri Elefther dhe Vlashi të viteve të para të krishtera, shën Asti në Durrës, Mbreti i Shenjtë Joan Vladimirin, neomartiri shën Nikodhim nga Elbasani, deri  tek isapostulli i madh Kozma Etolosi, veten tonë dhe njëri-tjetrin dhe të gjithë jetën e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, Krishtit Perëndisë le t’ia parashtrojmë. Me ndërmjetimet dhe ndihmën e tyre lusim për forcimin e kësaj Kishe të shenjtë dhe të Kishës Orthodhokse në Shqipëri në jetë të jetëve. 

    Kjo Kishë e shenjtë, që shenjtëruam sot, është streha për çdo njeri; është dhënëse jete dhe frymëzimi për vepra të mira, shërbyese e njeriut, nënë e dhembshur, mjeke dhe mbrojtëse, çliruese nga robëri shpirtërore, dëshmitare e së vërtetës, tregues i rrugës drejt gëzimit dhe përjetësisë.

    Përgëzojmë Shkëlqesinë Tuaj fort të nderuar, zoti President i Republikës, Qeverinë e nderuar të Shqipërisë dhe të gjithë banorët e saj për këtë arritje, për këtë Kishë të shenjtë të përuruar, sepse rrezet e dritës, të dashurisë, bashkimit dhe vëllazërimit që burojnë prej saj, u drejtohen të gjithëve dhe u bëjnë mirë të gjithëve, pa kurrfarë dallimi.

    Dërgojmë tek të gjithë bashkëpunëtorët e kësaj vepre të mirë, pëlqimin e Patriarkanës Ekumenike dhe bekimin tonë atëror e patriarkal dhe urojmë me të gjithë shpirtin që hiri i Perëndisë t’u bëjë të mira të gjithë banorëve të këtij vendi dhe mbarë botës. Amin.