Pasditen e së dielës, dt.1.qershor 2014, ora 18.oo, programi i ditës vijoi një koncert festiv rinor në Qendrën Kulturore moderne, në amfiteatrin poshtë Kishës Katedrale. Në të morën pjesë të gjitha delegacionet, miqtë e ftuar, politikanë, intelektualë e besimtarë orthodhoksë dhe veçanërisht shumë të rinj, që e bënë atmosferën të hareshme. Koncerti u hap me Himnin “Krishti u Ngjall” të kënduar nga Kori i Kishës i drejtuar nga dirigjenti Milto Vako, i shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjentit Edmond (Aristotel) Doko, të interpretuar në 6 gjuhë (shqip, greqisht, sllavisht, rumanisht, arabisht dhe anglisht). Më pas vijuan tri pjesë orkestrale nga tre autorë orthodhoksë, Josif Minga, Thoma Gaqi dhe Vasil Tole. Shfaqja vijoi me himnin me “Beko Zotin”, interpretuar nga kori i Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, nën drejtimin e Milto Vako.
Më pas skenën do ta “pushtonin” të rinjtë orthodhoksë, me grupet e tyre të himneve bizantine, këngës së lehtë të krishterë, asaj popullore dhe të valleve. Publiku duartrokiti Korin “Shën Joan Kukuzeli”, me studentë të Shkollës së Muzikës Bizantine, Tiranë, nën drejtimin e Theodhor Peci. Korin “Shën Joan Damaskini”, përbërë nga studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit, Shën Vlash – Durrës” dhe nxënës të Liceut kishtar “Kryqi i Nderuar”, Sukth – Durrës – nën drejtimin e Harallamb Tereziu. U vlerësuan dhe morën duartrokitje edhe kori i të rinjve të Beratit, nën drejtimin e Agron Gjyzarit , Kori i shkollës Shqiptaro-Amerikane “Protagonistët”, Tiranë, nën drejtimin e znj. Agi Nano, grupi artistik i vajzave te konviktit “Trëndafili i pafishkur”, Bularat, Gjirokastër, grupi artistik i të rinjve orthodhoksë të Korçës dhe orkestrina popullore e Qendrës shpirtërore “Ngjallja e Krishtit”, Këlcyrë – nën drejtimin e Atë Romano Tralos. Shfaqja pastaj ia la vendin valleve të hareshme të grupit të Gjinarit, krahina e Shpatit dhe grupit artistik të fëmijëve të Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës, Shën Vlash – Durrës. Më pas shfaqja vijoi me Korin dhe Orkestrinën e Radios “Ngjallja”, Tiranë, nën drejtimin znj. Joli Goro dhe pjesën “Dedikim”, krijuar dhe interpretuar nga Kristian Koroveshi.
Shfaqja u mbyll me dy filma dokumentarë që u ndoqën me shumë interes nga të pranishmit: “Faza nga ndërtimi i Katedrales së re “Ngjallja e Krishtit” dhe “Çaste nga ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Në fund të rinjtë i përshëndeti Patriarku Ekumenik Vartholomeu dhe Kryepiskopi Anastas.