Në emër të Atit, Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.
Me anë të hirit të Perëndisë, krerët e Kishave fort të Shenjta Orthodhokse Autoqefale, për besimtarët orthodhoksë anembanë dheut, për të gjithë vëllezërit tanë të krishterë, si dhe për çdo njeri të vullnetit të mirë, bekim nga Perëndia dhe përshëndetje dashurie e paqeje prej nesh.
“Falënderojmë Perëndinë përherë për të gjithë ju, dhe ju kujtojmë në faljet tona, duke kujtuar pa pushim punën e besimit tuaj dhe mundimin e dashurisë, dhe durimin e shpresës në Zotin tonë Jisu Krisht, përpara Perëndisë edhe Atit tonë” (1 Thes. 1:2-4).
1. Të mbledhur me anë të hirit të Perëndisë së Tërëmirë, me ftesën e Kryepiskopit të Konstandinopojës dhe Patriarkut Ekumenik, Vartholomeut në Fanar, në datat 6 deri më 9 mars, diskutuam së bashku me dashuri vëllazërore për çështje që sot kanë lidhje me Kishën tonë të Shenjtë. Dhe duke bashkëmeshuar në Zotin në Kishën e tërëhijshme patriarkale të Shën Gjergjit me rastin e së Dielës së lavdishme të Orthodhoksisë, po ju drejtojmë këto fjalë dashurie, paqeje dhe ngushëllimi.
Kisha jonë Orthodhokse Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, që ndodhet në botë, përjeton sfidat e çdo epoke. Kisha e Krishtit, besnike ndaj Traditës së Shenjtë, është në dialog të vazhdueshëm me çdo epokë, bashkëvuan me njerëzit dhe bashkëndan shqetësimet e tyre. Sepse Zoti ynë “Jisu Krisht, është i njëjti, dje dhe sot e në jetë të jetëve” (Hebr. 13:8-9).
Tundimet dhe sfidat e historisë janë të forta veçanërisht në ditët tona dhe të krishterët orthodhoksë nuk mund të qëndrojnë të paangazhuar dhe indiferentë ndaj tyre. Për këtë arsye jemi mbledhur “së bashku në një vend” (Vep. 2:1), për të reflektuar mbi problemet dhe tundimet me të cilat përballet qytetërimi sot, i cili ka “jashtë luftime, përbrenda frikë” (2 Kor. 7:5). Këto fjalë apostolike janë të vlefshme edhe për Kishën sot.
2. Duke reflektuar ndaj vuajtjeve të njerëzve sot anekënd botës, shprehim mbështetjen për martirizimin dhe admirimin tonë për dëshminë e të krishterëve në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe në pjesë të tjera të botës.
Sjellim në mendje martirizimin e dyfishtë: për besimin e tyre dhe për ruajtjen e marrëdhënieve historike me njerëz të bindjeve të tjera fetare. Ne denoncojmë mungesën e paqes dhe të stabilitetit, që po i nxit të krishterët të braktisin vendin ku Zoti ynë Jisu Krisht u lind dhe nga ku Lajmi i Mirë u përhap në mbarë botën.
Bashkëvuajmë me viktimat e tragjedisë në Siri. Ne dënojmë çdo formë terrorizmi dhe fyerje të fesë. Rrëmbimi i mitropolitëve Pavël dhe Juhana, të klerikëve të tjerë, si dhe të murgeshave të manastirit të Shën Theklës në Maalula mbetet një plagë e hapur dhe kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm.
U bëjmë apel të gjitha palëve të angazhuara për ndalimin e veprimeve ushtarake, për lirimin e robërve dhe për vendosjen e paqes në rajon nëpërmjet dialogut. Të krishterët në Lindjen e Mesme janë majá paqeje. Paqe për të gjithë popujt do të thotë paqe për të krishterët. Ne mbështesim Patriarkanën e Antiokisë në shërbesën e saj shpirtërore dhe humanitare, si dhe përpjekjet e saj për stabilizimin e rajonit dhe rikthimin e të gjithë refugjatëve.
3. Ne lusim nxehtësisht për negociata paqësore dhe për pajtimin që vjen si rezultat i lutjes në krizën që po ndodh në Ukrainë. Denoncojmë kërcënimet e okupimit të dhunshëm të manastireve dhe të kishave të shenjta, dhe lutemi për kthimin e vëllezërve tanë që tashmë ndodhen jashtë kungimit kishtar me Kishën e Shenjtë.
4. Një kërcënim fondamental për drejtësinë dhe paqen -si nga ana lokale ashtu dhe globalisht- është kriza ekonomike. Degëzimet e saj janë të dukshme në të gjitha shtresat e shoqërisë, ku kërkohen vlera të tilla si integriteti personal, solidariteti vëllazëror dhe drejtësia. Origjinat e kësaj krize nuk janë thjesht financiare. Ato janë morale dhe shpirtërore në karakterin e tyre. Në vend të konformimit me idhujt e botës, që janë pushteti, lakmia dhe hedonizmi, ne theksojmë thirrjen tonë për të transformuar botën duke përqafuar principet e drejtësisë, paqes dhe dashurisë.
Për shkak të egoizmit dhe abuzimit me pushtetin, shumë njerëz minojnë shenjtërinë e personit njerëzor, duke neglizhuar të shohin fytyrën e Perëndisë tek më të parëndësishmit e vëllezërve dhe motrave tona (shih Matth. 25:40-45). Shumë mbeten indiferentë ndaj varfërisë, vuajtjes dhe dhunës, të cilat janë bërë plagë e qytetërimit.
5. Kisha është thirrur të artikulojë fjalën e saj profetike. Ne shprehim shqetësimin tonë të vërtetë rreth prirjeve lokale dhe globale që minojnë dhe gërryejnë principet e besimit, dinjitetin e personit njerëzor, institucionin e martesës dhe dhuratën e krijimit.
Ne theksojmë shenjtërinë e padiskutueshme të jetës njerëzore nga zënia deri në vdekjen natyrale. Ne njohim martesën si bashkim të burrit me gruan, që reflekton bashkimin midis Krishtit dhe Kishës së Tij. Misioni ynë është ruajtja e ambientit natyral si kujdestarë dhe jo si pronarë të krijesës. Në këtë periudhë të Kreshmës së Madhe, ne nxisim klerin dhe popullin tonë të tregojnë frymë pendese, të jetojnë pastërtinë e zemrës, përulësinë dhe faljen, duke dhënë dëshminë e mësimeve përherë aktuale të Zotit tonë Jisu Krishtit në shoqëri.
6. Kjo mbledhje e krerëve është një rast i bekuar për ne që të forcojmë unitetin tonë nëpërmjet kungimit dhe bashkëpunimit. Ne i qëndrojmë përkushtimit tonë për rëndësinë e jashtëzakonshme të sinodialitetit në lidhje me unitetin e Kishës. Ne ripohojmë fjalët e Shën Joan Gojartit, Kryepiskopit të Konstandinopojës, se “emri i Kishës nuk do të thotë ndarje, por unitet dhe marrëveshje”. Zemra jonë është kthyer nga Sinodi i shumëpritur i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse, për të dëshmuar unitetin e saj, si dhe përgjegjësinë e përkujdesjen që Kisha ka për botën bashkëkohore.
Kjo Mbledhje vendosi që puna përgatitore për Sinodin duhet të intensifikohet. Një Komitet i veçantë ndërorthodhoks do të punojë nga shtatori 2014 deri në Pashkën e Shenjtë 2015, i ndjekur nga një Konferencë Parasinodike Panorthodhokse që do të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2015. Të gjitha vendimet, si gjatë Sinodit ashtu edhe përgjatë etapave parapërgatitore të tij, do të merren me konsensus. Sinodi i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse do të mblidhet nga Patriarku Ekumenik në Konstandinopojë në vitin 2016, me përjashtim të rasteve, nëse ndodh diçka e papritur. Sinodi do të kryesohet nga Patriarku Ekumenik. Bashkëvëllezërit, krerët e Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale do të ulen në të djathtën dhe në të majtën e tij.
7. Hierapostullimi është i ndërlidhur pandashmërisht me unitetin. Kisha nuk jeton për vete, por është e detyruar të dëshmojë dhe të ndajë dhuratat e Perëndisë me të gjithë, me ata që janë afër dhe larg. Duke marrë pjesë në Falënderimin Hyjnor dhe duke u lutur për ekumenin, për botën, jemi ftuar të vazhdojmë këtë liturgji pas Liturgjisë Hyjnore, duke ndarë dhuratat e së vërtetës dhe të dashurisë me të gjithë njerëzimin, në përputhje me porosinë e fundit të Zotit dhe sigurinë që Ai na dha: “Shkoni pra, mësoni të gjitha kombet… Dhe ja, unë do të jem me ju deri në fund të jetës” (Matth. 28:19-20).
8. Jetojmë në një botë ku multikulturalizmi dhe pluralizmi janë realitete të paevitueshme, të cilat janë në ndryshim të vazhdueshëm. Ne jemi të ndërgjegjshëm për faktin se asnjë çështje në kohën tonë nuk mund të merret në shqyrtim apo të zgjidhet pa iu referuar aktualitetit global, se çdo lloj polarizimi midis lokales dhe ekumenikes, të mbarëbotshmes, çon vetëm në shtrembërim të mënyrës orthodhokse të të menduarit.
Prandaj, edhe përballë zërave të mosmarrëveshjeve, të veçimeve dhe të ndarjeve, ne jemi të vendosur të shpallim mesazhin e Orthodhoksisë. Ne pranojmë faktin se dialogu është gjithmonë më i mirë sesa konflikti. Tërheqja dhe izolacionizmi nuk janë kurrë opsione. Ne riafirmojmë detyrimin tonë në të gjitha rastet për të qenë të hapur në kontaktin tonë me “tjetrin”: me njerëz të tjerë dhe kultura të tjera, si edhe me të krishterë të tjerë dhe njerëz të feve të tjera.
9. Përmbi, dhe përtej të gjitha sfidave, ne shpallim Ungjillin e Perëndisë, i Cili “kaq shumë e deshi botën” saqë “banoi ndër ne”. Kështu, ne orthodhoksët i qëndrojmë besnikë kësaj shprese. Pavarësisht vështirësive, megjithatë guxojmë të shpresojmë në “Perëndinë e gjithëfuqishëm, që është, që ishte dhe që do të vijë” (Zbul. 1:8). Sepse ne e kemi ngulitur në mendje se, fjala e fundit -fjala e gëzimit, dashurisë dhe e jetës- i takon Atij, të Cilit i përket tërë lavdia, nderi dhe adhurimi në jetë të jetëve. Amin.
Fanar, 9 mars 2014
+ Vartholomeu i Konstandinopojës
+ Theodhori i Aleksandrisë
+ Theofili i Jerusalemit
+ Kirilli i Moskës
+ Irineu i Serbisë
+ Danieli i Rumanisë
+ Neofiti i Bullgarisë
+ Ilia i Gjeorgjisë
+ Krisostomi i Qipros
+ Jeronimi i Athinës
+ Sava i Varshavës
+ Anastasi i Tiranës