Martesa është thesar! Ajo është në qendër të çdo kulture dhe çdo kombi. Martesat e shëndosha janë themeli për familje të shëndosha, dhe familjet e shëndosha janë shtyllat e një shoqërie të fortë e me baza. Problemi qëndron se shpesh martesës nuk i japim kujdesin që meriton. Java e Martesës synon t’u kujtojë çifteve të martuara në Shqipëri t’i japin prioritet dhe të respektojnë njëri-tjetrin.

    “Java e Martesës” është një lëvizje ndërkombëtare e krishterë, e përhapur në 25 vende, duke përfshirë edhe vendin tonë. Rreth 2 milion njerëz, nga 20 vende të kontinentit, marrin pjesë në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të saj.

    Në besimin orthodhoks, Martesa është një nga shtatë misteret kryesore dhe vazhdimisht besimtarët thirren që të kenë një martesë sipas planit të Perëndisë.

    Përgjatë kësaj jave, me bekimin e Kryepiskopit Anastas u zhvilluan një sërë aktivitetesh për çiftet.

    Më 9 shkurt, në ambientet e Qendrës Kulturore Orthodhokse të Katedrales së Re “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvillua një aktivitet. Në të morën pjesë afërsisht 30 çifte, të cilët patën bekimin të kishin të pranishëm edhe Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas. Ai theksoi shenjtërinë e familjes dhe rëndësinë e saj në forcimin e mbarë shoqërisë.

    Çiftet kaluan një kohë të këndshme në një ambient të përgatitur dhe të zbukuruar enkas për ta. Ata morën si dhuratë librin: “Pesë gjuhët e dashurisë”. Disa nga çiftet ndanë madje edhe mendimet e tyre mbi këtë libër, duke e lidhur atë me jetën e tyre martesore.

    Të pranishmit u përshëndetën gjithashtu edhe nga Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, i cili theksoi se martesa është mbajtje premtimesh. Gjithashtu ai iu drejtua pjesëmarrësve me këto fjalë: Kujtoni gjithmonë në jetën tuaj besëlidhjen që keni me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë për martesën tuaj”.

    Një aktivitet tjetër në lidhje me martesën, u zhvillua më 12 shkurt, me të rinjtë orthodhoksë të Tiranës, po në ambientet e Qendrës Kulturore Orthodhokse.

    Dhjak Stefan Ritsi dhe bashkëshortja e tij, Aleksandra Ritsi theksuan para të rinjve se martesa ka dhe duhet të ketë Perëndinë në qendër dhe se e gjithë jeta martesore është afrim drejt njëri-tjetrit.

    Për pjesëmarrësit u shfaq dhe një film që kishte lidhje me dashurinë dhe martesën.

    Aktivitete në kuadër të javës së martesës janë planifikuar edhe në kisha të tjera orthodhokse në Shqipëri.

Ana Meni