Mitropolia e Korçës ishte mjaft aktive në parapërgatitjet për festimin sa më shpirtëror të kësaj feste. Shërbesa të ndryshme në të gjitha kishat, ceremoni, aktivitete të ndryshme artistike me temë Krishtlindjen etj, u zhvilluan gjatë gjithë javës para kësaj feste të madhe.
Kështu në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” më datën 17 dhjetor u mbajt një koncert nga shkolla “Sevasti Qiriazi” ndërsa më datën 19 dhjetor u mbajt gjithashtu një koncert mjaft i bukur, me këngë, melodi dhe himne me rastin e Krishtlindjes në të cilin morën pjesë me një bashkëpunim të mrekullueshëm dy shkollat, ajo Artistike “Tefta Tashko” dhe shkolla Greko–Shqiptare “Omiros”. Ky koncert u nderua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga pushteti lokal, nga Konsullatat e huaja në qytet, nga pedagogë por dhe nga shumë qytetarë dhe banorë të zonës së Korçës. Këto koncerte i ndihmuan të gjithë, që të ndjejnë më tepër frymën përulëse dhe të mbushur me dashuri të Krishtlindjes.
Natyrisht në të gjithë dioqezën, në çdo fshat dhe çdo tempull dallohej lehtë atmosfera festive të cilën e bënte më mbresëlënëse pjesëmarrja në shërbesat e Kishës. Të gjitha Kishat ishin të zbukuruara dhe mbi të gjitha Katedralja e Korçës e cila përbën një bukuri të veçantë për qytetin, sidomos kur ai ka ngjyra festive. Kështu në këtë atmosferë festive kaluan ditët dhe mbërritëm më datën 24 ku u meshua në të gjitha kishat e qyteti dhe u krye shërbesa e orëve, e cila nga ana liturgjike është një nga më të bukurat që ka Kisha jonë dhe përbën një rast të shkëlqyer për të ndjekur të gjitha ceremonitë fetare me radhë, ndërsa mbyllja kryhet me Meshën Hyjnore të Shën Vasilit. Ky është çasti kur festimet shpirtërore kulmojnë dhe vazhdojnë me Meshën e mbajtur ditën e Krishtlindjes në të cilën morën pjesë me qindra besimtarë dhe ku Mitropoliti Joan sërish u drejtua besimtarëve si Atë i vërtetë shpirtëror me fjalët që përmendëm në pasazhin e fillimit.
Ndërsa Liturgjia mbaroi, shumë besimtarë, me gëzimin dhe harenë mistike në zemrat e tyre, nxituan që të uronin nga afër Hirësi Joanin në selinë e Mitropolisë. Por urimet nuk ndaluan këtu, mrekullia më e madhe ndodh më pas kur të gjithë besimtarët orthodhoksë marrin urime nga besimtarë të besimeve të tjera për shkak të bashkëjetesës harmonike ndërmjet tyre dhe të mrekullisë së mistershme që mbart kjo festë e cila ndikon tek të gjithë.
Të gjithë me zemër gjatë kësaj feste urojnë që përulësia, dashuria, thjeshtësia dhe të gjitha sa karakterizon, frymëzon dhe mëson lindja e Perëndinjeriut të bëhen pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme.
Themistokli Bambulla
Teolog-Msc Psikopedagogji