Himnet e Krishtlindjeve u dëgjuan edhe në të gjithë periferinë Episkopale të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Atmosfera ishte e gjallë për ditë me radhë dhe përtej zymtësisë që shoqëria kalon, edhe për shkak të kushteve ekonomike, erdhën Krishtlindjet, që të na kujtojnë të gjithëve se ka shpresë.

    Krishtlindjet janë kryesisht festë e fëmijëve. Janë disa shkolla të themeluara nga Kryepiskopi Anastas që funksionojnë në Mitropoli, nxënësit e të cilave, me shfaqjet që dhanë, bënë që të ndihet atmosfera festive jo vetëm në mjediset kishtare. Kështu, Shkolla 9-vjeçare Shqiptaro–Greke “Frymë Dashurie” organizoi festën e saj të Krishtlindjeve në Teatrin “Zihni Sako” të qytetit të Gjirokastrës, ndërsa ajo e Mesme Profesionale “Apostull Pavli” në Kinoteatrin e qytetit të Sarandës.  

    Festa të bukura organizuan edhe fëmijët e të gjitha kopshteve të Mitropolisë, ku vogëlushët patën rastin të këndojnë dhe recitojnë për Krishtin Perëndinë tonë, por edhe t’u tregojnë prindërve përparimin që ata bëjnë. Është emocionuese përkushtimi që ata tregojnë në krijimin e Grazhdit në mjediset e  tyre dhe krijimin e atmosferës festive, që reflekton edhe në shtëpitë dhe familjet e tyre. Kështu e gjithë shoqëria ndriçohet dhe dëgjon nga gojët e dlirta të tyre Kolendrat. Lajmin e madh të ardhjes së Zotit në tokë…

    Seriozitet dhe entuziazëm rinor pati edhe festa që kishin organizuar në sallën e aktiviteteve të shkollës së tyre, nxënësit e Liceut Kishtar Kryqi i Nderuar. Pas Liturgjisë Hyjnore paraqitën program artistik në praninë e Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësisë së Tij z. Dhimitër, të pedagogëve dhe prindërve të tyre. Mitropoliti Dhimitër, duke i përgëzuar për gjithçka që kishin përgatitur, zellin që tregojnë në ngritjen e tyre shpirtërore dhe përparimin në mësime, i nxiti ata që pikërisht këtë entuziazëm që rrezatojnë Krishtlindjet ta mbajnë gjallë përditë dhe në ambientin e tyre shoqëror. Duke u kujtuar gjithçka që Kisha jonë dhe Kryepiskopi Anastas bëjnë për ata, i porositi që pikërisht mesazhin më të thellë të mishërimit të Zotit dhe Perëndisë sonë dhe lindjes së tij si njeri ta përjetojnë me akte dashurie, pajtimi dhe përulësie.

    Liturgjia Hyjnore e Krishtlindjeve u krye nga Mitropoliti Dhimitër në Kishën e vjetër të Metamorfozës së Zotit, me pjesëmarrjen e besimtarëve të qytetit të Gjirokastrës dhe në veçanti të të rinjve të grupeve të katekizmit Orthodhoks. Ndërkaq që Liturgji u kryen jo vetëm në qendrat e mëdha të qyteteve që përfshihen në Mitropoli: Përmet, Sarandë, Delvinë, Himarë, Tepelenë etj., por edhe në fshatra, aty ku ka mundësi për prift. Në të gjitha kishat ku u meshua dhe në ditët në vijim u lexua Mesazhi i Krishtlindjeve i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.

    Gjatë gjithë javëve të para Krishtlindjeve, me kujdesin e veçantë të Mitropolitit ishin kryer Liturgji dhe shërbesa të tjera të Kishës sonë në të gjitha fshatrat të mëdha apo të vogla qofshin.  

    Korresp. i “Ngjallja”