Më 20 dhjetor 2013, Kisha jonë e shenjtë kremton Shën Ignat Hyjmbajtësin. Emrin e këtij shenjtori të madh e mban edhe Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati.
    Për të marrë pjesë në gëzimin e kësaj dite e për t’i uruar Kryebariut të Mitropolisë sonë vite të shumta, ishin të pranishëm shumë klerikë e besimtarë nga Zëvendësitë Lokale të Vlorës, Fierit dhe Lushnjës.
    Në ditën e festimit të shën Ignatit, një tjetër ngjarje e rëndësishme zuri vend në Mitropolinë e Beratit. Z. Joan Qako u pranua në radhën e klerikëve për t’i shërbyer Perëndisë në gradën e dhjakonit.
    Joani është nga lagjja Goricë e Beratit. Që në moshë të vogël ai u bë pjesë e Kishës duke marrë pjesë në katekizëm e në aktivitete që organizonte Mitropolia e Beratit. Ai vazhdoi Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës dhe më pas nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas vazhdoi studimet për pesë vjet në Universitetin  e Lartë të Athinës në degën e Theologjisë.
    Në përfundim të Shërbesës së Mëngjesores në Katedralen e Shën Dhimitrit, Mitropoliti Ignat filloi shërbesën e dorëzimit (hirotonisjes) në nëndhjakon, duke lexuar dëshminë e atit shpirtëror i cili jepte bekimin që kandidati të pranohej në radhët e shërbëtorëve të Perëndisë. Më pas ai qëndroi përpara ikonës së Krishtit për t’ju lutur Perëndisë që t’i shërbejë Atij me denjësi.
    Në vazhdim u celebrua Liturgjia Hyjnore, e cila u drejtua nga vetë mitropoliti së bashku me shumë klerikë të tjerë të kësaj mitropolie. Gjatë Liturgjisë u bë edhe shërbesa e dorëzimit të kandidatit në gradën e dhjakonit.
    Emocione të forta krijoi ky moment jo vetëm për kandidatin por edhe për besimtarët e pranishëm në këtë shërbesë. Prekëse dhe plot kuptim ishin edhe fjalët e dhjakonit Joan drejtuar mitropolitit që po e hirotoniste dhe besimtarëve që kishin ardhur për të marrë pjesë.
    Ai tha: “Hirësi, sot me frikë qëndroj para Perëndisë dhe para jush. Dua të pohoj se prej vitesh të tëra brenda meje ka ekzistuar dëshira që një ditë të isha klerik, por gjithmonë më ka shoqëruar edhe pasiguria se mos mosha dhe padenjësia ime do të bëheshin pengesë për këtë shërbesë të shenjtë, për këtë mister të frikshëm. Gjithmonë në lutjet e mia i kam kërkuar Zotit të mos më dhuronte këtë hir nëse nuk do të isha i aftë të mbaja një barrë të tillë, por gjithnjë e më tepër dëshira dhe thirrja rritej brenda meje.”
    Më pas ai vazhdoi: “Sot qëndroj përpara Jush Hirësi dhe ju premtoj se këshillat e Apostull Pavlit në Letrën e parë drejtuar Timoteut do të jenë gjithmonë parimet e mia. Sot pasi kam marrë vendim për t’i shërbyer Zotit dua të falënderoj të gjithë ata të cilët më kanë shoqëruar përgjatë gjithë jetës time, të gjithë ata që më kanë rritur shpirtërisht si dhe ata të cilët më kanë frymëzuar për të marrë këtë shërbesë.”
     Në përfundim ai shtoi duke thënë: “Hirësi, unë ju premtoj se do t’ju bindem ashtu si Shën Ignati na këshillon, dhe deri në fund të jetës time do të përpiqem dhe si shembull imitimi do t’ju kem pikërisht juve.”
     Pas këtij premtimi të marrë nga dhjakoni, Mitropoliti u drejtua atij duke i thënë: ”Kjo është një ditë është shumë e veçantë në jetën tënde, sepse po merr ftesën nga Zoti ynë Jisu Krisht që të regjistrohesh në katalogun e shërbëtorëve të Kishës sonë Orthodhokse, në gradën e parë të priftërisë. Bashkë me ftesën e Zotit ke edhe dëshminë e besimtarëve të krishterë që përputhet me dëshminë e klerikëve. Të kemi njohur që nga fëmijëria dhe rinia jote, kur Zoti, së pari, të ftoi nëpërmjet katekizmit dhe kryerjes së Misterit të madh, të shenjtë dhe mbiqiellor të Pagëzimit, duke u bërë gjymtyrë e trupit të Krishtit, domethënë e Kishës.”
    Mitropoliti në fund të fjalës së tij e porositi: “Jeta e brendshme e bariut është sekreti i veprës së tij baritore. Qëndro vigjilues si atlet i Perëndisë, në garën e vazhdueshme për të pastruar shpirtin nga mendimet, ndjenjat dhe dëshirat mëkatare. Kjo do të thotë që bariu duhet të ketë frymë asketike në kuptimin e gjerë të fjalës. Krishterimi është i thurur me asketizmin, siç pasqyrohet në jetët e të gjithë shenjtorëve. Me këtë armatim shpirtëror, Zoti do të bekojë përpjekjet e tua dhe do t’i shumëfishojë dhuntitë e tua, duke dhënë maksimumin në mangësitë e tua, kur ti me gjithë shpirt e me besë ia kërkon. Prandaj do të denjësohesh të dëgjosh zërin e Zotit, i cili të fton duke thënë: ‘Të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e Zotit tënd!’(Mat.25:21)”
    Pas porosive të Mitropolitit, Kisha ushtoi nga thirrjet “I denjë”. Populli i Perëndisë miratonte dhe pranonte që biri i tyre Joan t’u shërbente si dhjakon. Më pas i shoqëruar nga klerikët ai u shpu në ajodhimë ku do të kryente shërbesën e tij të shërbëtorit të Perëndisë. Pas Liturgjisë përshëndeti në emër të studentëve të Akademisë Theologjike profesori Dhimitër Qosja, i cili i uroi vite të shumta mitropolitit dhe gjithashtu uroi edhe dhjakonin e ri.
    Pjesë e këtyre ceremonive ishin edhe studentët e shkollës së Muzikës Bizantine të drejtuar nga pedagogu Theodhor Peci, të cilët me zërat e tyre krijuan një atmosferë të bukur shpirtërore.
    Në përfundim mitropoliti i falënderoi të gjithë klerikët dhe besimtarët që kishin ardhur për t’u lutur e për të marrë pjesë në gëzimin e festimit të emrit të Shën Ignatit. Pas ceremonive në kishë, Imzot Ignati organizoi një pritje në ambientet e Mitropolisë ku shkuan për ta uruar klerikët, besimtarët dhe përfaqësues të pushtetit lokal. Pjesë e urimit u bënë edhe fëmijët e kopshtit të Kishës të cilët e përshëndetën Mitropolitin dhe recituan përpara tij disa vjersha për Krishtlindjet.
    I urojmë Mitropolitit vite të shumta në krye të grigjës së Perëndisë.

     Atë Spiro Bulika