Gjatë korrikut dhe në vazhdim, në dy javët e para të shtatorit, në enoritë e Kryepiskopatës në Tiranë u zhvilluan pesë kampe ditore (në Shtërmen, Shën Vlash, Rrushkull, Durrës dhe Kavajë). Tema e tyre e përbashkët ishte “Udhëtimi im në Mbretërinë e Perëndisë”, duke synuar të shpjegohej se si është Mbretëria e Perëndisë nga vizioni dhe profecia e Isaias  në Dhjatën e Vjetër dhe nga Paravolitë e Mbretërisë në Ungjillin sipas Mateut.

    Duhet veçuar faktin se të gjithë studentët e programit të Edukimit të Krishterë, të Akademisë Teologjike, të cilët, me bekimin dhe mbështetjen e Hirësi Nikollës, dhe nën drejtimin e znj. Pamela Barksdale realizuan temat, zhvilluan në mjediset e saj një workshop paraprak për mësimdhënien me fëmijët. Qëllimi i zhvillimit të kampeve ishte t’i mësonin fëmijët për Mbretërinë e Perëndisë dhe t’i ftonin ata të merrnin pjesë në programin vjetor të katekizmit, por edhe të përmirësonin aftësitë e mësimdhënies së studentëve të teologjisë, në mënyrë që të punonin me strategji të ndryshme dhe metoda mësimdhënieje.

    Çdo ditë të programit të kampeve fëmijët mësuan një paravoli rreth Mbretërisë së Perëndisë: Mbjellësi dhe Fara, Djali Plangprishës, Shërbëtori i Pamëshirshëm dhe i Pasuri dhe Llazari. Studentët dhe fëmijët bënë edhe shfaqje me temat e paravolive dhe krijuan një libër dëshmish për përvojat e tyre në kamp: histori, këngë, lutje etj. Pjesëmarrja ishte e kënaqshme dhe në të pesë kampet ishin gjithsej 185 fëmijë. Për realizimin e këtyre kampeve studentët bashkëpunuan me klerikët e çdo enorie.
 
    Grupet e programit të katekizmit dhe grupet e të rinjve ku japin mësim studentët e Akademisë Teologjike, rifilluan programet më 28 tetor dhe do të vazhdojnë deri në fillim të qershorit 2014, në Durrës, Kavajë, Rrushkull, Shën Vlash, Shtërmen, Divjakë, Berat, Mëtish, Sukth, Rrethgreth, Këmishtaj, Jubë dhe Tiranë.

Anastasia Pamela Barksdale


Drejtuese e punës në terren dhe e Edukimit të Krishterë