Më 12 tetor, u mbajt takimi i parë zyrtar i Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë të Kishës sonë. Në të morën pjesë intelektualë nga Kryepiskopata dhe përfaqësues nga mitropolitë. Mori pjesë edhe Kryepiskopi Anastas, anëtarë të Sinodit të Shenjtë etj. Ai u zhvillua në sallën pranë kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë.

    Takimi u hap me lutje dhe më pas foli Kryepiskopi Anastas, i cili e vuri theksin te domosdoshmëria e bashkëpunimit dhe e luftës kundër padrejtësisë. Fortlumturia e Tij përmendi si shembull aktet e padrejta dhe vandale kundër kishës së Përmetit dhe tha se në këto raste duhet të dëgjohet më shumë zëri i intelektualëve orthodhoksë kundër atyre grupeve që synojnë një Kishë dhe komunitet Orthodhoks të dobët, gjë e cila u pa si te Censusi ashtu dhe te sulmet në Përmet e kudo ku Kisha ka detyrat dhe të drejtat e saj.

    Më pas foli prof. Pirro Prifti, i cili përmendi rolin e padiskutueshëm historiko-fetar dhe social të Kishës dhe Komunitetit Orthodhoks në formimin e shtetit shqiptar, kontributin e padiskutueshëm të këtij komuniteti dhe të Kishës që nga Pavarësia e deri në rivendosjen e demokracisë, si dhe gjatë këtyre viteve. Ai vuri në pah rolin e madh të dy korifejve të Kishës Orthodhokse Autoqefale te Shqipërisë, Imzot Theofan Nolit dhe të Kryepiskopit Anastas, ku i pari e bëri Kishën të flasë shqip, kurse i dyti e ringjalli nga vdekja ateiste komuniste Kishën dhe Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë.

     Në takim folën më pas prof. Robert Andoni, Thoma Miço, Theodhor Kota, Stavri Trako, znj. Anastasi Pite etj.

    Pas tij Lidhjes dhe grupit organizator i mbetet një detyrë e madhe përpara, për të përmbushur objektivat dhe detyrat e dala. Në takim u miratua një projekt statuts, në të cilin theksohet se Lidhja funksionon brenda Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si një organizëm që studion, propozon e bën sugjerime për çështjet e ndryshme dhe luan një rol aktiv në mbështetje dhe mbrojtje të Kishës. Aktivizimi i organeve të tjera të saj do të bëhet më vonë, pas organizmit të saj edhe në mitropolitë. Lidhja do të ketë një zyrë koordinimi në selinë e Sinodit të Shenjtë në Tiranë.

    Krijimi i kësaj Lidhjeje u bë i nevojshëm për disa arsye si: forcimi dhe fuqizimi i Komunitetit Orthodhoks nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë midis besimtarëve dhe organizmave të Kishës. Shtrirja e veprimtarisë në të gjitha mitropolitë, duke pasur koordinim mes tyre. Objektivi veçantë i saj është edhe puna me brezin më të ri të intelektualëve orthodhoksë.

    Një synim i veçantë i Lidhjes mendohet se do të jetë edhe krijimi i një arkivi historiko fetar i Komunitetit Orthodhoks dhe nxjerrja në pah e kontributit për Kishën e personaliteteve më të shquara orthodhokse, brenda dhe jashtë vendit.

    Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë do synojë edhe bashkëpunimin me lidhje e organizma të ngjashëm jashtë vendit, në vendet orthodhokse të Ballkanit dhe më gjerë, por edhe me SHBA, Rusinë etj.

    Një objektiv tjetër është edhe bashkëpunimi aktiv me intelektualët e komuniteteve të tjera fetare të vendit tonë, për të diskutuar mënyrën e përballimit të problemeve të ndryshme dhe bashkëpunimin sa më të frytshëm për forcimin e harmonisë fetare, si një vlerë unike për të cilën mburremi, por edhe duhet të punoj më shumë për ta ruajtur të pacënuar.

Edvin Ziso