Deklaratë e Komuniteteve të Krishtera të Shqipërisë

për ngjarjen në kishën e Përmetit

Tirane, 24 gusht 2013

      Kemi ndjekur me shqetësim dhe indinjatë ngjarjen e fundit në kishën ortodokse Shën Maria e pazarit, të qytetit të Përmetit, ku forcat policore të një shoqërie private përmbarimore nxorën nga objekti i kultit me forcë objekte të shenjta fetare dhe trajtuan në mënyrë të turpshme klerikët dhe besimtarët ortodoksë, të cilët dolën në mbrojtje të kishës së tyre. Pamjet e transmetuara nga mediat na sollën edhe një herë në mendje vitet e persekutimit dhe të luftës ndaj institucioneve fetare dhe objekteve të kultit, ndërkohë që presim ende kthimin e objekteve dhe pronave të komuniteteve tona fetare.

     Me këtë deklaratë duam të shprehim solidaritetin tonë me vëllezërit dhe motrat tanë ortodoksë të qytetit të Përmetit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe urojmë që çështja e kësaj kishe të zgjidhet sa më shpejt dhe objekti i kultit dhe vendi i shenjtë t’i kthehet besimtarëve dhe klerikëve për të kryer shërbesat e shenjta. Me këtë rast do të dëshironim t’i bëjmë thirrje edhe një herë shtetit shqiptar që të angazhohet në zgjidhjen përfundimtare të kthimit të pronave Komuniteteve Fetare në Shqipëri, të cilët edhe pas 23 vitesh demokraci nuk kanë gjetur të drejtën e tyre te ligjshme dhe demokratike.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Kisha Katolike e Shqipërisë

Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë