Gjatë pesëmbëdhjetëditëshit të parë të gushtit 2012, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga episkopi ndihmës i Amantias Nathanaili dhe episkopi i Bylisit Asti, zhvilloi dy vizita në mitropolitë e Korçës dhe të Gjirokastrës. Kudo u prit me respekt të veçantë, dashuri dhe entuziazëm nga orthodhoksët e shumtë në numër. Me fjalë direkte dhe të ngrohtë, u dha drejtime, mbështeti, ngushëlloi dhe frymëzoi besimtarët, si në Liturgjitë Hyjnore që kreu, ashtu edhe gjatë Parakliseve, Mbrëmësoreve dhe kontakteve personale.
Në 6 gusht, të kremten e Metamorfozës së Shpëtimtarit, bashkëmeshoi me mitropolitin vendas Joanin në kishën që kremtonte në Polenë të Korçës. Ditën tjetër të tre kryepriftërinjtë bashkëmeshuan në kishën e hirshme të Shën Nikollës të Voskopojës, që është ndërtuar në shekullin e 18-të. Gjithashtu vizituan kishën në ndërtim të shën Nikollës në Boboshticë dhe vendin ku është ndërtuar ndërtesa e parë e manastirit të ri.
Në 13 gusht nisi vizita tjetër në Gjirokastër, i shoqëruar nga mitropoliti, hirësia e tij Dhimitri. Në darkën e asaj dite, u bë shërbesa e Paraklisit në kishën e sapongritur të Ngjalljes të Gjirokastrës, me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve të çdo moshe. Nxënësit e shkollave të kishës kishin bërë programe të veçanta, të cilat u realizuan në mes të një atmosfere gëzimi. Në 14 gusht, kryepriftërinjtë drejtuan shërbesën e Mbrëmësores në Derviçan, në kishën e Fjetjes së Hyjlindëses që kremtonte. Dhe ditën tjetër bashkëmeshuan në Finiq të Sarandës.
Kudo pritja e bërë ishte mjaft e përzemërt. Në fjalën e tij të shkurtër përshëndetëse, përfaqësuesi i enorisë së Finiqit, tha: “Ju dhe të tjerët, mund të prisnit që t’ju uronim mirëseardhjen në fshatin tonë. Nuk e bëmë këtë gjë. Mirësëerdhe u themi të huajve dhe kalimtarëve. Ju nuk jeni asnjë nga këta. Jeni ati ynë shpirtëror, pra gjendeni në shtëpinë tuaj; për më tepër që nuk jeni larguar së këndejmi. Keni gjetur vend në zemrat e të gjithëve ne dhe i mbushni përplot dhe hir dhe hare, nga ato që i keni me bollëk në zemrën tuaj si kryepiskop. Na keni frymëzuar dhe ndihmuar të gjithëve, si shpërblim ju ofrojmë entuziazmin dhe përkushtimin tonë”.
21.8.2013