– Ky shkrim u dergua tek gazeta Mapo, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe Shqip, por nuk u botua tek asnjëra. –
Për kë bie kambana e Shën Marisë së Përmetit?
Unë që po ju shkruaj jam lindur e rritur në Përmet deri në moshën 18 vjeçare. Prej 17 vjetësh së bashku me familjen time kam emigruar në Amerikë. Po ulem të shkruaj pasi jam indinjuar jashtëmase me atë që po ngjet në qytetin tim të lindjes dhe është një ngjarje që nuk duhet të shqetësojë vetëm përmetarët, por gjithë shqiptarët paqedashës e liridashës, pa dallim besimi fetar. Një grup “policësh privatë” kanë dhunuar një godinë që shërbente prej 16 vjetësh si Kishë, kanë dhunuar fizikisht klerin që shërbente në atë Kishë, kanë dhunuar të gjitha objektet e shenjta në kishë, që nga Ungjilli, ikonat e deri tek enët e shënjta që kleri përdor gjatë Liturgjisë Hyjnorë. Janë dhunuar edhe njerëzit e mediave të vendit, që erdhën në vendin e ngjarjes për të marrë informacion mbi atë që po ndodhte nga njerëzit e “policisë private”. Këta “policë privatë” pretendojnë se po vinin në vend një vendim gjykate që godina e Kishës ti kthehej në pronësi Bashkisë Përmet, edhe pse ky vendim ishtë marrë mbi 10 vjet më parë. Dita që zgjodhën për të kryer një dhunim të tillë, ishta dita që Kisha dhe gjithë besimtarët orthodhoksë në botë festonin Festën e Fjetjes dhe Lartësimit së Virgjëreshës Mari, në nder të së Cilës është ngritur edhe Kisha në Përmet.
Arsyeja tjetër që mora mundimin të shkruaj ka të bëjë me faktin se është e paimagjinueshme për mua, se si ky sakrilegj kalohet pa vëmendjen e duhur të mediave shqiptare dhe pa reagimin e bashkëqytetarëvë të mi në Shqipëri e në botë. Nuk më takon mua të flas në emrin e Përmetit e përmetarëvë, qytetit me historinë më të lavdishme në historinë e Shqipërisë dhe me njërëzit më paqedashës e të kulturuar të vendit. Por më takon mua si qytetar i atij vendi, si qytetar përmetar, si besimtar i thjeshtë orthodhoks që të ndaj me ju reagimin tim për këtë ngjarje. Dhe uroj që ky reagim i imi të inkurajojë gjithë përmetarët, gjithë shqiptarët, të mëdhenj e të vegjël, që të gjejnë kurajon që të ngrejnë zërin e tyre si qytetarë të atij vendi, sa hërë që shkelen hapur liritë e tyre universale e kushtetuese si njërëz të lirë.
E vërteta historike mbi Kishën e Shën Marisë së Pazarit
Duke qenë së unë i përkas brezit të lindur pas “revolucionit kulturor” të 1967 në Shqipërinë komuniste, unë nuk kam mundur që të shikoj me sytë e mi Kishën e Shën Marisë, apo të mësoj mbi bësimin fetar. Në kohën që unë linda, ishte e ndaluar të përdorje fjalën “Zot” e nuk kish “kisha” apo “xhami” apo “teqe” në Përmet. Por ajo që unë di mbi këtë Kishë, është ajo që kam mësuar nga goja e familjes sime, brezit të gjyshit tim, lindur në fillim të shekullit të XX, brezit të babait e nënës sime, lindur pas çlirimit të Shqipërisë në 1944, të cilët e dëshmuan me sytë e tyre jo vëtëm praninë e Kishës në mes të qytetit, por edhe aktet transformuese që ndodhën me të më pas, me urdhër të rregjimit komunist të kohës në vitin 1967. Në kohën që unë kam lindur e jetuar në Përmet, godina njihej si “shtëpia e kulturës”. Burimi tjetër historik që hedh dritë mbi historikun e kësaj kishe, janë dëshmitë e përmetarëvë të tjerë të vjetër që përkonin plotësisht me dëshmitë e familjes sime dhe librat e shumtë që janë botuar mbi historinë e Përmetit e përmetarëvë në këto 20 vitet e fundit. Këto libra, për herë të parë hidhnin dritë mbi historinë e vërtetë të Përmëtit e përmetarëvë, të çliruar nga diktati dhë frika e rregjimit komunist të kohës, që revizionoi jo vetëm historinë e Përmetit, por revizionoi siç i vinte për mbarë gjithë historinë e popullit shqiptar që nga gjeneza e historisë. Dhe burimi i fundit që hedh dritë janë dëshmitë e vetë Kishës Orthodhokse në Shqipëri që ka mbledhur dhe i ka servirur publikut në këto 20 vjet.
Me rrënien e komunizmit, pas vitit 1990, ajo që njihej si “shtëpi kulture” e humbi jo vetëm funksionin e saj gjatë kohës së komunizmit, por u transformua në një godinë ku u hapën biznese private nga persona të caktuar që morën ambientet e godinës me qera. U hapën bilardo, lojra fati, lojra argëtimi për fëmijë me pagesë dhe salla e madhe e shtëpisë së kulturës u përdor vetëm për takime elektorale politike të partive politike të kohës. Lulishtet që rrethonin godinën u “pushtuan” po nga lokalet private. I shkruaj të gjitha këto, fakte që i njohin gjithë përmetarët që kanë jetuar në atë qytet, për të bërë transparëncën me publikun e gjerë shqiptar që ka lexuar shumë artikuj në media, por nuk i ka mësuar të gjitha këto fakte.
E vërteta historike për mua është e qartë si drita e diellit: vendi dhe godina që në quanim “shtëpi kulture” ka qënë për 3 shekuj Kishë Orthodhokse, ngritur e trashëguar brez pas brezi nga vetë besimtarët orthodhoksë përmetarë. Nuk ka asnjë dilemë, asnjë hije dyshimi mbi të vërtetën historike. Kushdo që pretendon se nuk është kështu, apo se shteti ka “investuar” e “ndryshuar” strukturën e godinës, është ose duke gënjyer hapur, ose është duke u munduar të shtrembërojë të vërtetën me qëllim.
Çfarë ishte “shtëpia e kulturës” në Përmet?
Kur një diplomat amerikan vizitoi Përmetin në një mision fakt-mbledhës mbi problemin e Kishës së Shën Marisë, kur arriti para Kishës në Përmët, përkthyesi i tij shqiptar i thotë: “Kjo ka qenë shtëpia e kulturës në Përmet dhe tani e ka marrë Kisha”. Diplomati ngriti vetullat dhe iu drejtua përkthyesit të tij shqiptar: “Shtëpi kulture?” Ishte mënyra e tij për të thënë që nuk e kuptoj se çdo të thuash. Përkthyesi i shpjegoi që në komunizëm ajo kish shërbyer si “shtëpi kulture”. Diplomati nuk insistoi më tëj, por e shënoi togëfjalëshin “shtëpi kulture” në bllokun e tij dhe e mbylli atë dilemë me fjalët: “Nuk e dija që kultura kishte një shtëpi, tani e mësova!” Kur u kthye në Tiranë, merr në telefon një intelektual të nderuar dhe e fton për një kafe e bisedë. Misioni i diplomatit: Të zhbirrojë kuptimin e “shtëpisë së kulturës” në Përmët.
Intelektuali shqiptar e sqaroi diplomatin se ato që shqiptarët njohin si “shtëpi kulture” nuk ishin gjë tjetër veçse vatra të indoktrinimit të popullsisë shqiptare me propagandën komuniste të rregjimit komunist. Ato u ngritën në Shqipëri në vitet 60 sipas modelit kinez të revolucionit kulturor komunist të Mao Cen Dun-it në Kinë. Në to nuk prodhohej art e kulturë. Ato shërbenin si vatra të indoktrinimit të fshatrave e qyteteve të vendit, nëpër të cilat kalonin gjithë popullsia e vendit, që nga fëmijët e vegjël në bankat e shkollave, e deri tek pleqtë pensionistë, ku duhet të mësonin “moralin e njeriut të ri komunist”. Dhe nuk ishte rastësi që në shumicën e rasteve, këto “shtëpi kulture” u ngritën mbi godinat e objekteve të kultit të vendit, kishave e xhamive, pasi rregjimi komunist e kish të qartë që duhej të shkatërrohej tradita fetare e shqiptarëve para se shqiptarët të mund të indoktrinoheshin me ideologjinë e re komuniste. Morali i ngritur mbi traditën shekullore fetare të shqiptarëve u zëvendësua me moralin komunist. Ungjilli e Kurani ia lanë vendin “Veprave të Shokut Enver”! Frika ndaj Perëndisë ia la vendin frikës ndaj xhelatëvë të rregjimit komunist, që të vrisnin, burgosnin, internonin, spiunonin për një fjalë goje.
Dhe njerëzit që drejtonin këto “shtëpi kulture” në Përmët e në mbarë qytetet e Shqipërisë nuk ishin njerëz dosido. Këta ishin njerëz të përzgjedhur nga Partia, shumë prej të cilëvë u dërguan edhe në Kinë për të mësuar nga “vëllezërit tanë komunistë kinezë” se si të bënim edhe ne një revolucion kulturor në Shqipëri. Se kush ishin këta përsona në Përmet, i njohin gjithë përmetarët dhë janë të njëjtët persona që mbushin faqet e gazetave shqiptare me artikuj nostalgjikë për të kaluarën komuniste dhe sulme ndaj Kishës Orthodhokse dhe klerit orthodhoks në Përmet e mbarë Shqipërinë. Kjo është mënyra së si ata ruajnë nostalgjinë për të kaluarën në të cilën, u lindën, rritën e thinjën. Dhe më vjen tmerrësisht keq të konstantoj nga larg, se edhe 20 vjet liri nuk kanë ndihmuar këtë kategori njërëzish që të çlirohen nga fryma ateisto-komuniste që propaganduan dhunshëm mbi 2 breza përmetarësh.
Kultura komuniste, njollë e zezë në kulturën shqiptare
Një tjetër aspekt që më irriton jashtëmase është kur lexoj nga përmetarë të ndryshëm, kryesisht nostalgjikë të së shkuarës komuniste, që përpiqen të barazojnë kulturën komuniste me kulturën e traditën shekullore të Përmetit e përmetarëvë. Zotërinj! Nuk ka ngelur kultura përmetare që të barazohet me kulturën komuniste! Përmeti është parajsa shqiptare! Për shekuj përmetarët e besimeve të ndryshme jetojnë në paqe me njeri-tjetrin. Nëse do të mësosh për bashkëjetesën e harmoninë fetare të shqiptarëvë, shkoni e vizitoni Përmetin, qytetin e kishave orthodhokse, xhamive muslimane, teqeve bektashije, bashkësive ungjillore. Revolucioni kulturor komunist i vitit 1967 ishte oguri më i zi në historinë e atij populli që nga gjeneza e tij! Më i rëndë se vetë pushtimi osman, pasi as osmanët nuk iu mohuan shqiptarëve lirinë për të besuar në këtë mënyre! Akte të tilla të dhunshme që ndodhin sot në Përmet nuk kanë se si të mos risjellin në mendjen e përmetarëvë e gjithë shqiptarëvë atë që ngjau me ta në vitin e mbrapshtë 1967. Me këto akte ju nuk po përdhosni një Kishë, ju po përdhosni kulturën përmetare, po shkatërroni bashkëjetesën e harmoninë fetare të qytetit e mbarë Shqipërisë.
Përmeti është djepi i rilindjes sonë kombëtare që nxorri më shumë rilindas se gjithë trojet shqiptare të marra së bashku. Përmeti është qyteti i Naim Frashërit që i këndon Përëndisë në vjershat e tij dhe që ju u munduat t’ia redaktonit për t’ia përshtatur propagandës komunisto-ateiste të kohës. Përmeti është vendlindja e Jani Vretos nga Postenani, mikut më të mirë të Naim Frashërit në Stamboll, që i thosh mikut të tij në Stamboll: “As pema nuk lëshon gjethe pa bekimin e Perëndisë!” Çfarë do të thosh Naimi e Jani po të mësonin se përmetarët e tyre të dashur sulmojnë sot me dhunë shtëpinë e Zotit në mes të Përmetit?! Cila është përgjegjësia e këtij brezi përmetarësh sot, që të bëjmë sakrilegje të tilla ndaj Kishës dhe Zotit, apo t’i ruajmë e trashëgojmë këto brezit tjetër që vjen pas nesh?!
Këto Kisha shekullore nuk janë vetëm prona të Kishës Orthodhokse dhe besimtarëvë orthodhoksë. Keto janë edhe kontributi më i madh kulturor shqiptar në kulturën universale të njerëzimit! Ato kishat e shenjta shekullore që gjejmë në Përmët, vizitohen jo vetëm nga përmetarët e vjetër në ditën e festave të tyre, por vizitohen edhe nga turistët e huaj të shumtë që vizitojnë Përmetin, të cilët mrekullohen nga afresket kishtare. Familjet e vjetra përmetare që kanë lëvizur në qytetet e tjera të vendit apo jashtë tij, nuk kthehen në Përmet për tu çmallur me “shtëpinë e kulturës”, vijnë për të vizituar kishat e shenjta të qytetit dhe fshatrave përreth prej nga kanë origjinën. Dhe kjo nuk është vetëm një dëshmi e traditës së tyre fetare familjare, kjo është një dëshmi se shpirti i shqiptarit ishtë kalaja e vetme që komunistët nuk arritën ta pushtojnë dot. Përmetarët e gjithë shqiptarët po u rikthehen traditës së tyre fetare në liri të plotë. Atë që e mbolli dhuna, po e shkatërron sot liria!
Për veshët e kujt bie kambana e Shën Marisë së Përmetit?
Bie për veshët e besimtarëvë të thjeshtë orthodhoksë në mbarë Shqipërinë dhë në botë. Eshtë detyra jonë si besimtarë që të lutemi për Kishën, lutje drejtuar Zotit tonë Krisht e Nënës sonë të Tërëshënjtë, Virgjërëshës Mari. Duhet t’Iu lutemi jo vëtëm që të mbrojnë Kishën tonë nga i ligu, t’iu japi forcë e besim klerit orthodhoks, por duhet të lutemi edhe që të ndriçojë ërrësirën shpirtërorë të atyre njërëzve që bëjnë akte të tilla. Siç na mëson Zoti ynë Krisht, kush vë dorë mbi Kishën, kush vë dorë mbi shërbëtorët që Perëndia ka thirrur për të shërbyer në atë Kishë, kush vë dorë mbi besimtarët që mblidhen të adhurojnë Zotin në atë Kishë, ka bërë mëkatin që nuk falet e nuk njeh mëshirën e Zotit. Mëkatin ndaj Frymës së Shenjtë që gjen strehë në atë Kishë dhe që e shenjtëron e mbron atë Kishë, atë qytet, atë popull. Një mëkat që do të rëndojë mbi shpirtrat e tyre, mbi shpirtrat e familjarëvë të tyre, mbi shpirtrat e fëmijëve të fëmijëvë të tyre në përjetësi. Kjo është arsyeja pse besimtarët orthodhoksë hyjnë në Kishë me frikë dhe besim Perëndie. Nuk duhet të dëshpërohemi për këto që ndodhin pasi Perëndia është gjithmonë me ne! Asnjëhërë nuk ka braktisur dhë asnjëherë nuk do të na braktisi. Ky është dhe një test për besimin tonë, një test që Vetë Perëndia lejon të ndodhi, për të parë nëse ne do të jemi gati të dëshmojmë atë që besojmë jo vëtëm në kohë paqeje, por edhe kur e gjejmë veten nën sulmet e dhunshme të demonëvë me fytyrë njeriu.
Bie për veshët e shqiptarëvë të të gjitha besimeve fetare në vend. Sot dhunohet një Kishë në Përmet, nësër do të dhunohet një xhami, pasnesër një teqe apo një bashkësi ungjillore. Ky nuk është një sulm vetëm ndaj Kishës Orthodhokse apo komunitetit orthodhoks, ky është një sulm ndaj lirisë fetare të gjithë shqiptarëvë që zgjedhin të praktikojnë në liri besimin e tyre. Të gjithë duhet të ngrejmë zërin së bashku, që nga krerët e komuniteteve fetare, e deri tek besimtarët e thjeshtë. Ky është një sulm dhe padrejtësi që nuk i bëhet vetëm Kishës Orthodhokse por gjithë komuniteteve fetare të vendit. Ka ardhur koha që të ngrejmë zërin të gjithë së bashku, për të mbrojtur liritë tona kushtetuese që kërcënohen nga i njëjti pushtet, nga të njëjtat gjykata që janë ngritur për të na mbrojtur ne qytetarëvë këto liri.
Bie për veshët e gjithë inteligjencës shqiptare, si brenda edhe jashtë vendit. Të gjithë asaj inteligjence në vend që nuk ka kurajon të vrasi heshtjen pasi i tremben raprezaljes së njerëzve me pushtet që orkestrojnë akte të tilla. Po zgjodhët të heshtni, nuk jeni qytetarë të lirë, jeni skllevër të atij rregjimi e atij sistemi aspak demokratik. Dhe heshtja është thjeshtë një ftesë për rikthimin e tiranisë ateisto-komuniste në Shqipëri. Edhe inteligjenca shqiptare që jeton jashtë Shqipërisë nuk është pa faj, përfshi unë që po iu shkruaj. Jeta në mërgim me rutinat dhe problematikën e vetë na ka kthyer në indiferentë për atë që ngjet në Shqipëri. Eshtë detyra jonë që të ngrejmë zërin tonë për probleme të tilla dhe të mos mjaftohemi vëtëm me kaq, pasi jemi në pozita për të bërë shumë më shumë se ngritja e zërit. Injoranca triumfon vetëm në ato vende ku inteligjenca zgjedh të heshti.
Bie edhe për veshët e gjithë shqiptarëvë të thjështë liridashës. Shteti e gjykatat janë ngritur për t’iu shërbyer ju, e jo ju atyre! Në komunizëm sovrani ishte diktatori dhe partia-shtet, në demokraci ne jemi sovrani. Secili prej nesh dhe të gjithë së bashku. Sa herë që shikoni sulme të tilla mbi liritë kushtetuese tuaja, sa herë shikoni padrejtësi ku prona nuk shkon tek pronari i ligjshëm por vidhet me dhunë, duhet të protestoni jo vetëm me zë por edhe me votën tuaj. Të gjithë ata pushtetarë që prishin paqen dhe dhunojnë hapur liritë tuaja për të besuar e praktikuar këtë bësim, të gjithë ata gjyqtarë të korruptuar që marrin vendime të tilla arbitrare me pasoja për gjithë shoqërinë, të gjithë ata burra shteti që zgjedhin të heshtin, meritojnë ndëshkimin me votën tuaj. Duhet t’iu shkruani letra e dërgoni email të gjithë përfaqësuesve tuaj për deputet, pushtetarëvë lokalë, që t’iu bëni të qartë indinjimin tuaj dhe humbjen e mbështetjes suaj me votë. Vëtëm nëse e bëjmë këtë gjë, klasa jonë politike dhe pushtetarët do të mësojnë se çdo të thotë të jetosh me frikën e sovranit, më frikën e votës së lirë.
Po e mbyll me një lutje drejtuar Nënës së Tërëshenjtë të Zotit, Virgjëreshës Mari: Mbroje o Nënë e Tërëshenjtë Kishën Orthodhokse dhe ndiçoje errësirën shpirtërorë të popullit tim me lutjet e Tua drejtuar Zotit tonë Krisht!
Ilirjan Papa
* Autori është themeluesi e drejtuesi i komunitetit të parë e më të vjetër në gjuhën shqipe në Internet, Albasoul.com dhe ForumiShqiptar.com