Të hënën në mëngjes, 19 gusht, klerikët e Mitropolisë së Gjirokastrës dhe besimtarë të shumtë nga Përmeti e fshatrat e tij, Këlcyra, Gjirokastra e Saranda, u mblodhën para kishës së Hyjlindëses Mari në Përmet (Shën Maria e Pazarit, siç quhet nga populli). Ata shkuan aty për të protestuar ndaj ngjarjes skandaloze dhe të paprecedent të përdhosjes së gjërave më të shenjta për besimtarët orthodhoksë.
Te ashtuquajturit policë privatë (nga Burreli), njerëzit pa identitet me bluza të zeza, provokuan besimtarët dhe ushtruan dhunë, si dhe përdorën edhe solucione kimike irrituese, duke shkaktuar revoltën e tyre. Pas kësaj klerikët dhe besimtarët hynë me forcë në kishën e zaptuar dhe kryen shërbesë lutjeje.
Nga këto ngjarje u plagosën tre besimtarë. Thanas Thanasi u plagos në mëngjes gjatë konfrontimit, ndërsa Stefan Koti dhe Ilia Mavro, u plagosën nga persona të policisë private për hakmarrje, kur ishin duke iu drejtuar autobusit.
* * *
Natën, sërish godina e zbrazur e kishës së Shën Marisë, u mor nga policia private e ajo bashkiake, me një veprim të tipit komando, sikur të ishin në luftë me besimtarët dhe flakën përsëri në rrugë ikonat që ata kishin lënë aty.