DEKLARATË PËR SHTYP

DHUNIMI I INSTITUCIONIT TË KISHËS SË SHËN MËRISË NË PËRMET ËSHTË NJË PREÇEDENT I RREZIKSHËM I URREJTJES FETARE

    GSHDNJ përcjell me shqetësim dhe indinjatë ngjarjen e disa ditëve më parë ku punonjës të  Zyrës së Ekzekutimit të Vendimeve Gjyqësore (Përmbarimit) ushtruan forcë fizike, psikologjike dhe egërsi ndaj përfaqësuesve të kishës së Shën Marisë në Përmet.

    Ngjarja është e lidhur me  veprimet e Përmbarimit për të kthyer ambjentet e Kishës së Shën Marisë në Përmet  në shërbim të Bashkisë me destinacion Pallat të Kulturës, sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës.  

    Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut e ka ndjekur prej disa vitesh konfliktin gjyqësor mes Kishës Ortodokse të rrethit të Përmetit dhe institucionit të Bashkisë Përmet dhe është në djeni të plotë të gjithë situatës që ka përfunduar me një vendim gjyqësor të diskutueshëm në favor të palës së Bashkisë.

   Ajo çka është në shqetësimin tonë është qëndrimi agresiv kundër Kishës Ortodokse i Zyrës Private të Përmbarimit Gjyqësor , përfaqësuesit e së cilës zbatuan vendimin duke dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht komunitetin ortodoks në zonën e Permetit dhe paralelisht edhe me gjerë edhe vetë ortodoksët e Shqipërisë. Prifti i Kishës është shtyrë dhe goditur, ndërsa shumë objekte të kultit janë nxjerrë jashtë forcërisht. Mënyra brutale fizike që punonjësit e përmbarimit ushtruan mbi shërbyesit e kishës, i ngjan kujtimeve të hidhura të luftës që bëri qeveria komuniste kundër fesë, duke rrënuar një nga të drejtat themelore të individit në Shqipëri.

    Ky akt nuk është vetëm një ekzekutim rutinë i një vendimi gjyqësor, por dëshmon haptazi një proçedurë tipike nën frymën e urrejtjes fetare për këtë komunitet.

   Ironikisht dhe jo rastësisht, dita e realizimit të këtyre akteve brutale ka përkuar me festen e Shën Marisë, shenjt i rëndësishëm për komunitetin kristian, emrin e të cilit mbante kjo kishë, çka tregon hapur mungesën e tolerancës fetare dhe dëshirën për të përdhosur vendin e shënjtë të tempullit fetar ortodoks në zonën e Përmetit.

    GSHDNJ kërkon që këto veprime, që synojnë goditjen e institucioneve fetare të komunitetit ortodoks duhet të ndërpriten sepse mund të kenë pasoja të rënda për harmoninë fetare te shqiptarëve.

   GSHDNJ kërkon që drejtuesit e Zyrës së Përmbarimit në Përmet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale për veprimet e kryera dhe të marrin masa për të mos përsëritur raste të tilla. Ata duhet të udhëhiqen nga parime profesionale të cilat nuk lejojnë shkelje të të drejtave të individit dhe aq më shumë të respektit ndaj besimeve fetare.

   GSHDNJ vlerëson se fryma e mirëkuptimit dhe respektimi të lirisë së besimit fetar është domosdoshmëri për zhvillimin e vendit tonë dhe kusht domethënës në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe një frymë negative e këtij lloji, do të sillte pasoja në qëllimet që shteti shqiptar i ka vënë vetes në këtë drejtim.
 

Tirane me 18 gusht 2013