Deklaratë
e Klerikëve të Dioqezës së Korçës
ndaj përdhosjes së turpshme të Kishës së Shën Marisë në Përmet
Me shqetësim dhe indinjim të madh ndoqëm ngjarjen e përdhosjes së turpshme të Kishës së Shën Marisë në Përmet dhe dhunës së shëmtuar ndaj klerikëve orthodhoksë, skena që na sollën ndër mend përsëri persekutimin, jo shumë të largët, të klerikëve dhe besimtarëve nga regjimi komunist.
Gjatë atij persekutimi Komuniteti Orthodhoks pësoi dëme të shumëfishta dhe në disa raste të parikuperueshme. Por edhe gjatë ringritjes së tij nga gërmadhat, për më shumë se dy dekada, Komuniteti Orthodhoks ka qenë përsëri nën sulme, shpifje, sharje dhe denigrime, si edhe vjedhje dhe shkatërrime të trashëgimisë së tij të paçmuar kulturore nga grupime të papërgjegjshme dhe me një axhendë të qartë antiorthodhokse.
Prandaj ne klerikët orthodhoksë të Dioqezës së Korçës, në emër të të gjithë Komunitetit Orthodhoks të Dioqezës sonë, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj këtij agresioni kundër Kishës Orthodhokse, që në ngjarjen e kishës në Përmet mori një përshkallëzim të rrezikshëm, duke lënduar orthodhoksët e Shqipërisë dhe duke dëmtuar imazhin e vendit tonë. Nuk mund të pranohet një sjellje e tillë ndaj Komunitetit Orthodhoks, i cili ka dhënë një kontribut të pashoq në themelimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Këto veprime, nëse nuk ndalen, mund të kenë pasoja të rënda për harmoninë dhe kohezionin e shoqërisë sonë.
Kërkojmë që ngjarja të pasqyrohet me drejtësi dhe vërtetësi. Nuk është Kisha ajo që ka zaptuar pallatin e kulturës, por e kundërta, sepse ai pallat u ndërtua mbi kishën dhe pronën e saj. Kërkojmë që organet shtetërore të jenë të ndjeshme dhe të drejta ndaj Komunitetit Orthodhoks. Nuk mund të tjetërsohen vendet e shenjta me makinacione ligjore duke krijuar ligje që janë në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare.
Ne nuk do të reshtim së mbrojturi dhe së kërkuari të drejtat tona derisa të realizohet përmbushja e tyre. Shprehim mbështetjen tonë të palëkundur ndaj famullisë së Kishës së Shën Marisë në Përmet, si dhe ndaj vëllezërve tanë që shërbejnë atje.
Në emër të Komunitetit Orthodhoks të Korçës
Klerikët e Dioqezës
Korçë, datë 17/08/2013