Budapest, 3-8 korrik
U zhvillua Asambleja e 14-të e Përgjithshme e Konferencës Evropiane të Kishave
Në Budapest, Hungari, u mbajt Asambleja e 14-të e Përgjithshme e Konferencës Evropiane të Kishave, nga 3-8 korrik. Në të morën pjesë rreth 230 përfaqësues nga kishat e krishtera nga e gjithë Evropa. Tema e Asamblesë ishte vargu i shkëputur nga Veprat e Apostujve (22:16), “Dhe tani, çfarë pret? – KEK dhe misioni i saj në një Evropë në ndryshim.”
Gjatë punimeve të Asamblesë së mëparshme, të Lionit, kishat anëtare diskutuan mbi nevojën e riorganizimit të KEK, duke qenë se edhe Evropa është në një ndryshim të vazhdueshëm. Për këtë arsye u zgjodh aty një grup i quajtur “Grupi Rishikues i Punës” (Revision Working Group). Edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përfaqësohej aty nga një anëtar. Ky grup, pas takimeve dhe punës 4-vjeçare, realizoi dhe prezantoi në Budapest një propozim rishikimi, një vizion dhe një strukturë të re, me të cilën KEK do të mund të funksionojë në vazhdim dhe të përmbushë qëllimet, në lidhje me interesat dhe nevojat e kishave anëtare në trupi e tij.
Asambleja e Budapestit në axhendën e punimeve të saj pati si qëllim prezantimin, diskutimin dhe miratimin e kësaj strukture të re paraqitur nga “Grupi Rishikues i Punës”, si edhe miratimin e një kushtetute, e cila do të jetë një drejtues i rëndësishëm për përmbushjen e misionit të KEK.
Pikë shumë e rëndësishme diskutimi ishte edhe çështja e transferimit të zyrave të KEK nga Gjeneva në Bruksel, gjë e cila u aprovua nga të gjithë pjesëmarrësit e Asamblesë, si një domosdoshmëri e menjëhershme.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, si anëtare prej shumë vitesh e këtij organizmi shumë të fuqishëm të krishterë, edhe në këtë Asamble pati përfaqësinë e saj, me tri delegatë dhjak Grigor Pelushi, Elisa Deko dhe Sonila Rëmbeci (ish-anëtare e Presidencës dhe Këshillit Qendror të KEK viti 2009-2013), si edhe dhe një ndihmëse (steward), Xhovana Rusi.
Gjatë punimeve të Asamblesë u zhvilluan takime të ndryshme mes përfaqësuesve të kishave të krishtera pjesëmarrëse në Asamble, si edhe u bënë vizita në kishat lokale të Hungarisë, të cilat ishin edhe mikpritësit e këtij evenimenti të madh dhe shumë të rëndësishëm.
Asambleja përfundoi takimet e saj me një Këshill Qendror të ri, ku në bazë të strukturës së re të KEK janë 17 anëtarë të Këshillit, Presidenti dhe dy zëvendës të tij. Në pozicionin e presidentit u zgjodh episkopi Christopher Hill nga Kisha Anglikane dhe dy zëvendëspresidentë janë Mitropoliti i Francës Emanuel, nga Patriarkana Ekumenike dhe Very Rev. Karin Burstrand, nga Kisha e Suedisë.
Sonila Rëmbeci
Mesazhin përfundimtar të Asamblesë së 14-të të KEK mund ta gjeni duke vizituar adresën http://assembly2013.ceceurope.org/index.php?id=1173&L=0