Me bekimin e Kryepiskopit Anastas dhe nën përgjegjësinë e Episkop Nikollës, Zyra e Katekizmit organizoi kampin ditor veror në qytetin e Librazhdit, i cili u zhvillua në ambientet e Kishës në këtë qytet. Kjo Kishë është e sapondërtuar dhe do të mbajë emrin “Ngjitja e Zotit në Qiell”.

    Tema e kampit ishte: “Unë jam qytetar i Mbretërisë së Perëndisë”. Kampi kishte një program mjaft të pasur me lutje, këngë të krishtera, mësime katekizmi, lojëra, punë dore dhe koktej. Në kamp fëmijët mësuan udhëtimin për të arritur në shtëpinë e vërtetë, e cila është Mbretëria e Perëndisë, dhe porositë për të qenë qytetar i mbretërisë së Perëndisë. Fëmijët mësuan gjithashtu si të jetojmë jetën në Krishtin të mbushur me dashuri për njëri-tjetrin. Çdo pjesë e programit përcillte një mesazh te fëmijët. Këngët i mësonin ata për dashurinë e Perëndisë, si edhe lavdërimin e Perëndisë nëpërmjet të kënduarit. Lojërat i mësonin fëmijët si të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe puna e dorës ishte e lidhur me mësimin e ditës dhe i bënte fëmijët të mendonin në mënyrë krijuese. Një nga momentet më të bukura të programit të kampit ishte kur fëmijët bënin prezantimet e punëve të tyre. Fëmijët prezantonin para shokëve dhe mësuesve të tyre punën e dorës dhe krijimtarinë e tyre si vjersha, këngë dhe poezi.

    Një nga ditët e kampit ishte mjaft e veçantë pasi u organizua një piknik në natyrën e bukur pranë lumit Shkumbin. Përgjatë kësaj dite fëmijët zhvilluan lojërat olimpike, bënë shëtitje edhe kërcyen valle. Në fund ky kamp u mbyll me falënderim për ata që ndihmuan për realizimin e këtij kampi. Për zhvillimin e këtij kampi ndihmuan Atë Eliodor Demiri dhe drejtueset e kampit të vajzave “Bariu i Mirë” në Shën Joan Vladimir, Elbasan, njëkohësisht studente të Akademisë Theologjike. Përgjegjës i këtij kampi ishte Armand Oga. 

Armand Oga