Më 20 korrik 1998, në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, u krye dorëzimi në gradën episkopale të Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Korçës, Hirësi Joanit, nga Kryepiskopi Anastas dhe dy Mitropolitët përfaqësues të Patriarkanës Ekumenike. Bashkë me Hirësi Ignatin dhe Hirësi Kozmain ata plotësuan të parin Sinod të Shenjtë të Kishës sonë pas persekutimit ateist. Fronëzimi i Hirësisë së Tij Joanit u krye më 25 korrik, në katedralen e “Burimit Jetëdhënës.”
Më 21 korrik, u përkujtua kjo ngjarje e shënuar dhe kaq e rëndësishme për besimtarët orthodhoksë së Mitropolisë së Korçës, por dhe të gjithë Shqipërisë. Ky përvjetor ishte i veçantë, sepse Hirësia e Tij Joani mbushi plot 15 vjet në fronin e Kryebariut shpirtëror të Korçës. Në Liturgjinë Hyjnore që u mbajt në Kishën e “Burimit Jetëdhënës” morën pjesë të gjithë klerikët e Mitropolisë, por dhe shumë besimtarë orthodhoksë nga e gjithë dioqeza. Me këtë rast, Hirësi Joani nderoi disa nga klerikët më të vjetër të kësaj mitropolie me tituj nderi. Pak para fundit të Meshës, Atë Ilia Kotnani, si përfaqësues i klerikëve, falënderoi Mitropolitin për të gjitha ato sa ai ka ofruar me shërbesën e tij. Hirësi Joani filloi fjalën e tij falënderuese duke përmendur rëndësinë që kanë pasur përvjetorët në jetën e kishës sonë që kryesisht na kujtojnë ato sa ka bërë Perëndia për ne, të gjitha ato sa bëri për ta ringritur këtë kishë, por dhe të gjithë personat që përdori për ta arritur këtë. Në radhë të parë Kryepiskopin Anastas, i cili dha gjithçka për të ringritur kishën tonë. Kjo ringjallje duket më tepër tek personat që vizitojnë Shqipërinë. Të gjithë ata që bëjnë diçka për Kishën e bëjnë vetëm me ndihmën e Zotit, sepse Ai thotë që pa “Mua nuk mund të bëni dot gjë”. Nëse mendojmë se mund të bëjmë gjithçka duke u bazuar në forcat tona, ne do të biem, sepse forca jonë qëndron tek Zoti. Kështu në çdo përvjetor duke kujtuar këtë, të falënderojmë Zotin për të gjitha ato që ka bërë për ne, por dhe njerëzit me anën e të cilëve Zoti ka realizuar gjithçka.
Gjithashtu, Hirësi Joani falënderoi të gjithë klerikët e dioqezës, por dhe popullin besimtar për ndihmën dhe mbështetjen që i kanë dhënë gjatë të gjitha këtyre viteve në kryerjen e funksionit të tij. Pa ndihmën dhe pjesëmarrjen e të gjithëve asgjë nuk mund të realizohet. Uroi sërish dhe këshilloi që të gjithë të përpiqen që ta mbrojnë Kishën, sepse duke bërë këtë ne mbrojmë veten tonë. Pas Liturgjisë Hyjnore në mjediset e Kishës Hirësi Joani priti urime të shumta dhe të ngrohta nga besimtarët. Pasdite, në mjediset e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” u mbajt një koncert me rastin e këtij përvjetori.
Themistokli Bambulla