-21 vjet më parë, Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi, u zgjodh si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë –
Të hënën, 24 qershor, në të kremten e Shpirtit të Shenjtë dhe Lindjes së Shën Joan Pagëzorit, në Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit në Tiranë”, u kremtua edhe 21-vjetori i zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas. Morën pjesë përfaqësues klerikë e laikë nga të gjitha Mitropolitë. Gjithashtu, kjo ditë shënonte edhe 1-vjetorin e përurimit të shkëlqyer të Katedrales madhështore.
Në Liturgjinë Hyjnore të kryer nga Fortlumturia e Tij bashkëmeshuan edhe Mitropoliti i Korçës Joani, Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri, Episkopi i Apollonisë Nikolla, Episkopi i Krujës Andoni, Episkopi i Amantias Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit Asti. Bashkë me ta meshuan edhe 16 priftërinj dhe 2 dhjakonë.
Në fund, Kryepiskopi Anastas iu drejtua të pranishmëve në Liturgji, duke iu folur për të kremten dhe rolin e Shpirtit të Shenjtë në jetët tona. Kryepiskopi u ndal veçanërisht në rrugën e vështirë, por të mbushur me suksese të jashtëzakonshme në të cilën kaloi Kisha jonë që nga liria e besimit. Ky theksim është i nevojshëm edhe sepse më të rinjtë kanë nevojë që t’i njohin ato. Fortlumturia e Tij u ndal edhe tek sulmet e presionet me të cilat përballohet Kisha jonë dhe i gjithë Komuniteti Orthodhoks dhe i ftoi të gjithë që të mos shqetësohen, për të tashmen dhe sidomos për të ardhmen. Perëndia nuk na la deri më sot dhe nuk do të na lërë edhe më tej. Kur themi “O. Zot. O Zot, shtjer syrin prej qiellit…”, themi pikërisht se i Tij është vreshti dhe Ai ka për t’u kujdesur. Kryepiskopi u foli të pranishmëve edhe për një përpjekje të madhe që po kryhet nga Kisha, për një vepër, e cila do kontribuojë në krijimin e të ardhurave dhe që, bashkë me të tjera, do të ndihmojnë në rrugën e pavarësisë ekonomike, e cila i jep kuptimin e plotë autoqefalisë.
Pastaj, në emër të anëtarëve të Sinodit të Shenjtë dhe të klerikëve përshëndeti Hirësi Joani, i cili tha se: “Duhet të falënderojmë së pari njerëzit me anë të të cilëve Perëndia e bëri të mundur këtë punë. Padyshim njeriu qendror i kësaj vepre është Kryepiskopi Anastas dhe unë dëshiroj që në emër të klerikëve që ndodhen këtu dhe të gjithë atyre që nuk janë t’i uroj jetë të gjatë, që Perëndia t’i japë fuqi, t’i japë shëndet, për lavdi të Perëndisë dhe të mirën e Kishës sonë.”
Kryepiskopi mori urime dhe tufa me lule edhe nga besimtarë dhe pas Liturgjisë bëri një bashkëbisedim të ngrohtë me një grup prej tyre në mjediset e Kompleksit të Katedrales.
Thoma Dhima