Diakonia Agapes, zyra sociale, e zhvillimit dhe emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, po zbaton gjatë periudhës 2011 – dhjetor 2013, projektin “Fuqizimi i fermerëve në zonën e Shpatit”. Ai po realizohet me mbështetjen financiare të Dorcas Aid International Albania, dhe synon përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve të komunave Shushicë, Gjinar dhe Zavalinë, nëpërmjet zhvillimit të biznesit të qëndrueshëm bujqësor.

    Me anë të këtij projekti synohet që fermerët të ofrojnë produkte më cilësore dhe konkurruese në treg, si rezultat i njohurive të fituara nga pjesëmarrja në trajnime, si dhe të zbatojnë në fermat e tyre metoda dhe teknologji bashkëkohore, duke u mbështetur me një kapital fillestar të mundësuar nga projekti.

    Për 4-mujorin e parë të vitit 2013, Diakonia Agapes punoi për zbatimin e projektit në fshatin Polis, komuna Shushicë dhe në 4 mujorin e dytë të vitit është duke punuar në komunën Zavalinë. Disa nga arritjet gjatë muajve të parë të zbatimit të projektit kanë lidhje me 15 fermerë që merren më shumë me aktivitet bujqësor dhe 15 fermerë të tjerë që janë përqendruar në aktivitet blegtoral. Kështu, 15 fermerë dhe fermere nga fshati Polis, komuna Shushicë, janë aftësuar gjatë 5 trajnimeve bujqësore, duke mësuar më shumë për kultivimin e pemëve frutore dhe ullirit nëpërmjet temave lidhur me ngritjen e pemëtoreve të reja, krasitjet në pemët frutore, shërbimet agroteknike të ullirit, mbrojtjen e ullirit nga sëmundjet, si dhe kultivimin e kumbullës, qershisë dhe masat mbrojtëse për to. Ndërsa 15 fermerë të tjerë, po banorë të Polisit, kanë bërë trajnime blegtorie, duke mësuar më shumë mbi ushqyerjen e bagëtive të imta, mbarështimin e lopëve, riprodhimin e gjedhit, për disa sëmundje në shpendë, profilaksinë dhe mbrojtjen e tyre etj.

    Të 30 fermerët kanë marrë pjesë në 3 trajnime për marketingun bujqësor, teknikat e shitjes dhe fillimin e një biznesi, të cilat do t’i ndihmojnë në mënyrën e ofrimit dhe shitjen e prodhimeve. Me rëndësi të veçantë ka qenë angazhimi i fermerëve në demonstrime praktike të realizuara në parcela me pemë frutore, si dhe në ferma të mbarështimit të bagëtive, ku pjesëmarrësit patën mundësi të shihnin në shembuj konkretë tematikat e zhvilluara gjatë. Gjithashtu, informacioni dhe asistenca teknike për blegtorët dhe bujqit e zonës është ofruar rregullisht përmes këshillimit dhe informimit në zyrën rajonale të Diakonia Agapes, në Gjinar dhe në Shushicë, ku specialistë të bujqësisë dhe blegtorisë, u kanë dhënë zgjidhje problematikave me të cilat përballen në ferma.

    Mbas përfundimit të ciklit të trajnimeve në fshatin Polis janë përzgjedhur dhe mbështetur për realizimin e iniciativave të tyre në bujqësi dhe blegtori 11 fermerë dhe ndërkohë 4 janë në proces zbatimi.

    Në fillim të muajit maj filloi dhe është duke vazhduar cikli i dytë i trajnimeve në bujqësi dhe blegtori, me 30 fermerë të tjerë të komunës Zavalinë.
 

Blendi Kaso