Tashmë është bërë traditë që pas Festave të Mëdha të kalendarit kishtar, fëmijët së bashku me prindërit e tyre marrin pjesë në një festë të organizuar me këtë rast. Me bekimin e Kryepiskopit Anastas dhe me organizimin e Zyrës së Fëmijëve, Pashka, si festa e festave, mblodhi së bashku shumë fëmijë dhe prindër në qendrat e fëmijëve në Bathore, Thavor dhe tek Kisha e Ungjillëzimit në Tiranë. Në këtë festë merrnin pjesë prindër dhe fëmijë të qendrës së fëmijëve pranë kësaj Kishe dhe fëmijë nga qendra e fëmijëve në Astir.
Programi ishte mjaft i larmishëm. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të këndonin së bashku troparin madhështor të kësaj feste, “Krishti u Ngjall”, të këndonin këngë të tjera në lidhje me Pashkën, të kërcenin, të shikonin dramën e luajtur nga fëmijët për Ngjalljen e Zotit, të recitonin, të luanin së bashku etj. Për më tepër për ata ishte shtruar edhe nje koktej. Fëmijët gjithë gëzim trokisnin vezët e kuqe duke i thënë njëri-tjetrit “Krishti u Ngjall”. Gëzimi ndjehej kudo. Fytyrat ishin të qeshura dhe stafi i kësaj zyre shërbente plot zell. Pjesëmarrësit në fund të festës falenderuan Perëndinë dhe gjithashtu i ishin mirënjohës Kryepiskopit për të gjitha aktivitetet e fëmijëve përgjatë vitit në këto qendra. Në fund të festës prindërit kishin mundësi të merrnin një material të printuar që kishte lidhje me Javën e Madhe dhe që mund të përdorej për festën e Pashkës në vitet në vijim.
Ana Meni