Java e Madhe dhe e Shenjtë, që kulmoi me Ngjalljen e Zotit u kremtua madhërishëm edhe në qytetin e Durrësit. Kisha katedrale “Apostull Pavli & Shën Asti” e zbukuruar me degë palmash dhe dafinash, priti besimtarët e shumtë të Dielën e Dafinave. Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla. Pas Meshës Hyjnore besimtarët morën si bekim dafina për t’i mbajtur në shtëpi, duke përtërirë kështu betimin e tyre tek Mbreti ynë dhe duke pohuar se jetojnë në Mbretërinë e Tij.
Të dielën, të hënën dhe të martën pasdite u krye Shërbesa e Dhëndrit. Ikona e Dhëndrit me kurorën e gjëmbave mbi krye e vendosur në mes të Kishës, e zbukuruar hijshëm me trëndafila i ftonte të gjithë të pranishmit të luteshin e të meditonin qoftë edhe për pak çaste.
Të Mërkurën e Madhe, në të cilën kujtojmë lyerjen e këmbëve të Zotit Krisht me miro nga gruaja mëkatare, u krye Misteri i Efqelisë. Besimtarët me shprestari u lyen me Vajin e shenjtëruar për shërim shpirti dhe trupi.
“Shumë persona para dhe pas Krishtit janë kryqëzuar, por kryqëzimi i Krishtit ka dy veçanti. Cilat janë këto? Veçantia e parë është që Krishti u kryqëzua me dashjen e Tij. Dëshiroi, pa u kryqëzua. Veçantia e dytë është se ky ishte kryqëzimi i një personi të pafajshëm. I vetmi i pamëkatshëm ishte Zoti Jisu Krisht. Pra u flijua i Pamëkatshmi me dashje. Krishti pagoi çlirimin tonë me gjakun e Tij, me dëshirën e Tij. Ai është gati të na falë gjithçka. Këto ditë kujtojmë me mirënjohje e falenderim mirëbërjen e Tij.” :- ky ishte një fragment i shkëputur nga predikimi i Episkopit të Apollonisë të mbajtur të Enjten e Madhe në Shërbesën e 12 Ungjijve. Momentet e kësaj shërbese ishin jashtëzakonisht shumë prekëse, sidomos kur Krishti u vendos në Kryqin në mes të kishës. Besimtarët duke mbajtur lule në dorë iu falën Zotit të kryqëzuar. Një pjesë e besimtarëve qëndroi në kishë deri në të gdhirë duke u lutur.
Që herët në mëngjesin e ditës së premte gratë shprestare dhe të rinjtë e kishës zbukuruan me lule shumëngjyrëshe Epitafin. Pasi u krye Shërbesa e Orëve, e zbritjes së Krishtit nga Kryqi dhe varrimi i Tij, besimtarët filluan të kalojnë nën Epitaf me shpresë e besim. Kështu vazhdoi gjatë gjithë ditës. Rënia vajtuese e kambanave shoqëroi këtë ditë që ndryshe quhet e Premte e Zezë. Pasdite, në shërbesën që u drejtua nga Episkopi i Apollonisë Hirësi Nikolla, u psalën Vajtimet e Përmbivarrëshme të Zotit nga klerikët, kori dhe besimtarët. Litania e Epitafit në qytet u shoqërua nga Banda Frymore nën tingujt e stancave të vajtimeve. Pas procesionit klerikët dhe besimtarët u kthyen në kishë për të përfunduar shërbesën dhe për të marrë lulet e Epitafit.
Të Shtunën e Madhe në mbrëmje u krye Shërbesa e Ngjalljes dhe Liturgjia Hyjnore, që zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Kështu pas një jave pësimesh, vuajtjesh dhe përjetimesh të veçanta, mbërriti çasti më shpresëdhënës në gjithë historinë e njerëzimit. Më në fund vdekja u mposht. Kur priftërinjtë psalën himnin “Eni merrni dritë nga drita që s’perëndon…” besimtarët rendën të merrnin Flakën e Shenjtë, të cilën e çuan në shtëpitë e tyre për mbarësi e bekim. Në momentin e shpalljes së Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Krishtit në podiumin e improvizuar përballë kishës, kambanat dhe fishekzjarret hareshëm lajmëruan “KRISHTI U NGJALL”. Të gjithë njëzëri psalën troparin triumfal të Panairit të Panaireve “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje, vdekjen shkeli edhe të varrosurve, jetën u fali”. Pas Liturgjisë Hyjnore klerikët ndanë naforën dhe simbolin e Pashkës, vezën e kuqe.
Ajo që të bënte përshtypje gjatë këtyre ditëve ka qenë pjesëmarrja e madhe e besimtarëve dhe prania e të rinjve të shumtë. Këto ditë në kishë nuk vijnë vetëm besimtarët orthodhoksë, por edhe besimtarë të feve të tjera.
Të dielën në mëngjes nga ora 10:00 – 13:00 u krye pritja e përvitshme e autoriteteve lokale e fetare të qytetit, e dhuruesve të ndryshëm, e përfaqësuesve të partive politike, organizatave dhe shoqatave joqeveritare. Erdhën për të uruar në kishën tonë Kryetari i Bashkisë së Durrësit z. Vangjush Dako, Ministri i Drejtësisë z. Eduart Halimi, drejtori i Postës Kombëtare z. Arqile Goreja, kryetari i Këshillit të Qarkut, Prefekti, deputetë të qytetit etj.
Gjithashtu me rastin e Pashkëve u ndanë tek familjet e të varfërve 80 pako ushqimore të përgatitura me fondet e mbledhura nga besimtarët. Të rinjtë dhe fëmijët e katekizmit kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm duke shërbyer në hierore, psaltir, dyqan dhe duke ruajtur qetësinë në kishë.
Përgatiti: Theano Kostoli