Me rastin e 1700 vjetorit të shpalljes së lirisë fetare
Sivjet mbushen 1700 vjet nga vendimet historike të Mediolanës, të cilat ishin mjaft të rëndësishme për Kishën dhe Krishterimin. Në këtë artikull do të shohim ngjarjet historike si dhe rëndësinë e këtyre vendimeve për Kishën dhe jetën e saj.
a) Konteksti historik i përndjekjeve
Pas ngjalljes së Tij, Krishti urdhëroi nxënësit e Tij: “shkoni pra mësoni gjithë kombet, pagëzohini ata…mësohuni atyre që të ruajnë të gjitha sa ju kam porositur…”(Mt. 28:19-20). Megjithëse nxënësit e Zotit për të zbatuar porosinë e Mësuesit të tyre të dashur me zell të madh – pas ditës së Pendikostisë – u shpërndanë nëpër kombe për t’ u transmetuar atyre lajmin gazmor të Ngjalljes, Ungjilli në rrugën e tij hasi në shumë probleme, pengesa, kërcënime dhe vështirësi.
Pengesat e para erdhën nga judenjtë. Më pas, nga funksionarët e lartë dhe nga idhtarët e thjeshtë fanatikë të paganizmit. Por kërcënimi më i madh dhe reagimi më i ashpër e më i dhunshëm erdhi kryesisht nga pushteti romak në fuqi. Perandorët e ndryshëm romakë që nga mezi i shek. I e deri në fillim të shek. IV nuk pranuan realitetin e ri, Krishterimin, dhe me mënyra të ndryshme, urdhëra dhe ligje u përpoqën jo vetëm që të pengohej përhapja e Ungjillit në Perandorinë e tyre të stërmadhe, por më tepër që Ai të zhdukej. Për tre shekuj me radhë pushteti romak refuzoi të njihte Krishterimin si fe të ligjshme dhe me këtë preteks përndoqi të krishterët, duke përdorur kundër tyre çdo lloj torture të egër dhe çnjerëzore që ekzistonte, ose që mund të shpikte mendja e shthurur dhe e sëmurë e njeriut. Burgosjet, internimet, konfiskimet e pasurive, torturat dhe vrasjet ishin diçka e zakonshmepër pushtetarët dhe paganët. Për të gjitha këto masa të krishterët kishin dijeni të plotë dhe megjithatë shumica e tyre vazhduan të besonin tek Jisu Krishti dhe i duruan me guxim dhe vendosmëri gjithë padrejtësitë dhe rreziqet, akoma edhe vdekjen.
Siç dihet, perandori i parë romak që përndoqi të krishterët ishte Neroni (viti 64 pas Krishtit). Por nga mezi i shek. III – fillim shek. IV,masat do të ashpërsoheshin shumë. Treperandorë brenda 55 vjetësh do të nxirrnin 7 dekrete (Deki 1, Valeriani 2, Dioklitiani 4) të posatshme kundër krishterëve të gjithë perandorisë. Mjaftonte që dikush të pohonte se ishte i krishter dhe menjëherë arrestohej e torturohejdhe n.q.s. këmbëngulte, vritej. Kjo situatë u bë akoma dhe më e vështirë në dekadën e parë të shek. IV, kur bashkësunduesit e Lindjes Galeri dhe nipi i tij Maksimini shtrënguan masat, duke u përpjekur që të zbatoheshin me përpikmëri ligjet në fuqi kundër Krishterimit. Vetëm në ditët e fundit të jetës së tij Galeri kuptoi se ishte e pamundur të zhdukej Krishterimi dhe më 30 prill 311 nxorri dekret, me të cilin u lejonte të krishterëve të ushtronin lirshëm besimin dhe adhurimin e tyre, pa shkaktuar trazira në shtet dhe pa prishur rendin publik. Ky dekret u zbatua nga Konstandini dhe Likini në krahinat e tyre ku ata sundonin. Një vit më vonë, vegimi i dyfishtë që iu shfaq Konstandinit para betejës me Maksendin (28 tetor 312)si dhe fitorja kundër tij, u bënë shkaqet kryesore që të ndryshonte pozicioni shtetëror ndaj Krishterimit.
Kështu, disa muaj më vonë – fund i janarit ose fillim i shkurtit 313 – dy bashkësundimtarët e vetëm, Konstandini dhe Likini, u takuan në qytetin e Mediolanës (Milano e sotme) me rastin e martesës së të dytit me motrën e Konstandinit. Atje, Konstandini e bindi Likinin që jo vetëm të liheshin të krishterët të lirë të adhuronin Perëndinë e tyre (dekreti i vitit 311), por edhe Krishterimi të njihej si fe e ligjshme nga shteti romak.
b) Rëndësia e vendimeve të Mediolanës për Kishën
Megjithëse në gjuhën dhe në rrethet e ndryshme kishtare ka depërtuar dhe përdoret nga shumëpersona shprehja “Edikti i Mediolanës”, shumë historianë dhe studiuesë të historisë së kishës të dy shekujve të fundit pohojnë se nuk është gjetur ndonjë dekret (Edictum) i tillë. Prandaj dhe atapranojnë se në Mediolanë u morrën vendime me gojë dhe nuk u shpall ndonjë dekret. Të dhënat e vetme që na kanë arritur deri në ditët e sotme janë dëshmitë e Laktantit (Lactantius, jetoi derimë320) dhe tëEfsevit të Qesarisë(± 265–340) në latinisht dhe greqishtrespektivisht, ku edhe ata mbase bazohen. I pari, edukatori i Krispit birit të Konstandinit, në veprën e tij “Vdekja e persekutorëve” (De mortibus persecutorum, 48) e shkruar midis viteve 318-320, përmend faktin se Likini në muajin qershor 313 u dërgoi një letër (rescripta) komandatëve të krahinave të Lindjes, me të cilën ata njoftoheshin për vendimet e Mediolanës (për përmbajtjen e kësaj letre shih: Migne, PL 7, 267-270). Të njëjtën gjë përmend edhe Efsevi në Historinë e tij të Kishës (shih: Migne, PG20, 880-885).
Sidoqoftë, vendimet e Mediolanës, padyshim ishin mjaft të rëndësishme për Kishën, sepse me ato:
1) 1) U njoh Krishterimi si fe e ligjshme nga shteti (njohja e parë juridike e Kishës nga shteti).
2) 2) Iu njoh e drejta e pronësisë dhe iu kthyhen pronat (varrezat, kishat etj.) e konfiskuara nga shteti romak gjatë përndjekjeve.
3) 3) Të gjithë banorët e perandorisë ishin të lirë të zgjidhnin fenë që dëshironin të ndiqnin (në këtë rast edhe Krishterimin).
4) 4) Automatikisht u jepeshin fund përndjekjeve ndaj të krishterëve (megjithëse vala e përndjekjeve do të vazhdonte nga Likini pak më vonë e deri në vitin 324 dhe më pas nga Julian Apostati në vitet 360-63).
Sigurisht, këto vendime ndikuan pozitivisht jo vetëm në shoqërinë e atëhershme romake, por kryesisht në jetën e kishës, sepse pati një zhvillim të madh: së pari, adhurimi hyjnor, i cili mundej të kryhej i lirë, së dyti,u shtua numri i qytetarëve që zgjidhnin Krishterimin si fe të tyre, së treti,organizimi administrativ i kishave pati njëhov të madh dhe sëfundmi, arkitektura kishtare, pasi u ndërtuan kisha të mëdha, të bukura dhe madhështore.
Duke përfunduar, mund të themi se me vendimet e Mediolanës u shpall qartë humbja përfundimtare e idhulltarisësi dhe dështimi i politikës fetare që pushteti romak kishte ndjekur për afro tre shekuj me radhë në lidhje me Krishterimin dhe të krishterët. Kështu në fund, Mbretëria e Qesarit u dorëzua dhe triumfoi Mbretëria e Krishtit Perëndisë.
Arkimandrit Kozma Sovjani