Në botën e mrekullueshme që na rrethon, në botën ujore, bimore, shtazore dhe njerëzore, ka një plan të urtë, ku të gjitha lëvizin në mënyrë harmonike, në përputhje me ligjet e natyrës, që ka caktuar Perëndia.
E mendoni vallë se çfarë do të ndodhte nëse disa nga këto ligje do të reshtnin së ekzistuari? P.sh. çfarë do të ndodhte nëse ligji i gravitacionit nuk do të funksiononte më? Njerëzit nuk do të mund të ecnin, as të punonin dhe madje as të merrnin frymë, sepse atmosfera do të shpërndahej tej në hapësirat qiellore. Jeta në planetin tonë do të ishte e pamundur.
Edhe sikur ai të mos funksiononte vetëm për disa minuta (disa mendojnë se ky ligj na pengon të fluturojmë!!!), do të shkonim me siguri drejt një katastrofe.
Harmonia që shikojmë në qiell, bukuria, jeta që mbretëron në botën bimore dhe atë shtazore bazohet pikërisht në faktin se të gjitha lëvizin dhe zhvillohen duke iu bindur ligjeve që ka vendosur Krijuesi.
Përveç ligjeve të natyrës, Perëndia caktoi për krijesat e Tij të lira, njerëzit, edhe disa ligje të tjera, ligjet morale. Edhe këto janë ligje, që nuk na japin thjesht disa udhëzime apo këshilla.
Nga ruajtja e tyre varet e gjithë jeta e njeriut. Moszbatimi i tyre e çon njeriun drejt një katastrofe të tmerrshme. Nga çasti i parë që Perëndia e krijoi njeriun, shkroi thellë këto ligje në ndërgjegjen e tij. Por meqë djalli i turbulloi njeriut mendjen dhe zemrën, shpesh Perëndia ua theksonte këtë njerëzve brez pas brezi. Ai ia dha kodin e ligjit hyjnor një kombi, kombit të Izraelit, që e përzgjodhi për një plan të madh, për t’ia transmetuar në vazhdim të gjithë njerëzimit.
Kështu Perëndia caktoi Ligjin e Tij të jetës morale dhe fetare për njeriun.
Dhjetë porositë dhe shpjegimi i tyre
- Unë jam Zoti, Perëndia yt… nuk do kesh perëndi të tjera përveç meje.
- Mos bëj për veten tënde idhull, as ndonjë shëmbëllesë tjetër nga ato që janë mbi qiell sipër dhe në tokë poshtë, dhe sa janë në ujë nën dhé. Nuk do t’u falesh atyre, as do t’u lutesh, sepse unë jam Zoti, Perëndia yt…
- Mos e përmend kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd…
- Kujto ditën e Sabatit që ta shenjtërosh atë. Gjashtë ditë do të punosh edhe do të bësh të gjitha punët e tua. Po e shtata ditë është sabatë në Zotin, Perëndinë tënd. Në atë ditë nuk do të bësh asnjë lloj pune…
- Ndero babanë dhe nënën tënde, që të të bëhet mirë dhe të jesh jetëgjatë mbi dhenë, që të jep Zoti, Perëndia yt.
- Mos kurvëro.
- Mos vidh.
- Mos vrit.
- Mos jep dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.
- Nuk do të dëshirosh… asgjë që është e të afërmit tënd.
- Urdhërimi i parë dhe i dytë caktojnë adhurimin e një Perëndie të vetëm dhe të vërtetë. I mbrojnë njerëzit nga humbja e tyre në idhujtari dhe në ateizëm.
- Urdhërimi i tretë nënvizon shenjtërinë e emrit të Perëndisë, shenjtërinë e betimit dhe i detyron njerëzit të jenë të drejtë dhe besnikë në premtimet që bëjnë.
- Urdhërimi i katërt vendos pushimin e Sabatit dhe përkushtimin e një dite për Perëndinë. Për të krishterët ditë pushimi u bë dita e Diel, gjatë së cilës u ngjall Zoti Jisu Krisht. Sa shumë e dobishme që është kjo porosi për njeriun! Ai del për pak nga ankthi i përpjekjes për të siguruar jetën dhe fuqitë e tij shpirtërore e trupore ripërtërihen.
- Urdhërimi i pestë thekson autoritetin e prindërve, cakton respektin dhe nderimin ndaj tyre. Është themeli i jetës familjare.
- Urdhërimi i gjashtë mbron jetën morale të njeriut nga vrullet e pakontrolluara të instinkteve të tij. Ata popuj që i injoruan ato, shkuan drejt shthurjes dhe zhdukjes së tyre.
- Urdhërimi i tetë siguron jetën njerëzore. Nuk e lë në dëshirën e njërit apo të tjetrit.
- Urdhërimi i shtatë dhe i dhjetë mbrojnë pronësinë e ligjshme dhe i vë fre grykësisë njerëzore.
- Urdhërimi i nëntë siguron mundësinë e mbarëvajtjes së njerëzve midis tyre, besimin reciprok, bashkëpunimin e mirë, mbi të cilat mbështetet shoqëria.
Pasojat e tmerrshme të shkeljes së tyre
Nëse këto dhjetë porosi nuk kanë më vlerë dhe reshtin së ekzistuari, nuk janë më themelet e legjislacionit të popujve të ndryshëm, a mund të imagjinoni se çfarë gjendjeje do të ekzistonte në mbarë globin? Edhe fantazia më e guximshme e ka të vështirë për ta rrokur se çfarë do të thotë lënia mënjanë e këtyre dhjetë urdhërimeve.
Së pari do të zhyteshim në një idhujtari të tmerrshme. Kujtoni pak panteonin e Romës me 30.000 hyjnitë e tij. Sillni ndër mend hyjnizimin e kafshëve, të bimëve e të njerëzve…
Një shoqëri e tillë do të jepte shpirt në një kohë të shkurtër. Në një shoqëri të tillë dikush do të vidhte, një tjetër do të çnderonte, një i tretë do të vriste. Pra, jeta do të ishte e pasigurt. Do të ishte i pamundur çdo lloj bashkëpunimi dhe planifikimi sa i takon zhvillimit të shkencës, kulturës, ekonomisë apo familjes. Çdo lloj bashkëpunimi që kryhet parakërkon marrëdhënie të mira midis njerëzve, mirëkuptim dhe besim reciprok. Pa këto asgjë nuk mund të ekzistojë dhe çdo gjë do të shkatërrohet.
Pak dobësohet ky Ligj Hyjnor në ndërgjegjen e disa njerëzve dhe krijohet një trazirë e frikshme. Ka me mijëra ligje nëpër shtete të ndryshme të botës. E megjithatë krimet që ndodhin në to janë me mijëra çdo javë. Përse ndodh një gjë e tillë? Sepse këto dhjetë urdhërime janë zbehur në shpirtrat e atyre njerëzve që kryejnë krime. Kur Ligji i Perëndisë resht së udhëhequri jetën tonë, atëherë ne ecim në terrin më të errët dhe si përfundim, rrëzohemi në humnerë.
Kundërshtimet për ruajtjen e porosive dhe përballimi i tyre
Disa reagojnë kur dëgjojnë argumentet e mësipërme dhe thonë se këto urdhërime nuk mund të zbatohen siç janë, fjalë për fjalë. Nxjerrin si shkak se këto janë thënë para shumë shekujsh dhe se tani gjërat kanë ndryshuar. Por a mund të pohohet se, meqë shekujt kanë kaluar, është e nevojshme që të ndryshohen edhe këto urdhërime? A mund që çdo njeri të zgjedhë vetë porosinë që i pëlqen dhe të mos zbatojë atë që ia bën jetën të vështirë, duke e quajtur si të pazbatueshme?
a) Fakti se këto urdhërime janë në fuqi prej kaq shumë shekujsh, na nxjerr në pah pikërisht rëndësinë e tyre. Mos vallë forca e rëndesës, që është zbuluar prej kohësh nuk ka vlerë ende sot? Vallë dielli nuk na ndriçon për kaq shumë mijëvjeçarë? Sigurisht, të gjitha këto nuk reshtin së qenuri të domosdoshme për jetën njerëzore, edhe pse përdoren në mënyrë të vazhdueshme. Do të ishte marrëzi që t’i linim mënjanë si të vjetruara pra, të dala jashtë mode.
b) Mjerë kushdo, nëse do të ndryshonte këto dhjetë porosi sipas parapëlqimeve dhe interesave të tij. Nëse themi se mund të vjedhim ose të themi gënjeshtra kur është e nevojshme… atëherë çdo gjë shkatërrohet. Përse ti të vjedhësh dhe unë nuk kam të drejtë të bëj të njëjtën gjë? Ose këto urdhërime kanë vlerë të njëjtë për të gjithë dhe në çdo kohë, ose nuk kanë dhe atëherë të gjithë kanë të drejtë t’i shkelin ato siç duan. Nuk ka një të mesme. Ato janë të përjetshme dhe me vlerë për të gjithë njësoj.
Nëse dikush mendon se Perëndia na e kufizon lirinë duke dhënë këto urdhërime-porosi, le t’i themi se Ligji i Perëndisë ndihmon lirinë tonë dhe nuk e kufizon aspak atë. Ai që mëson muzikë, a nuk duhet të zbatojë ligjet e harmonisë? Mos vallë duke i zbatuar ato, ai humbet lirinë e tij? Aspak, madje ndodh e kundërta. Nëse dëshiron, sigurisht që ka të drejtën të mos i ruajë ato, por në këtë rast, në vend të kompozojë një pjesë melodike, do të bëjë një shëmti që asnjë vesh nuk do ta durojë dot ta dëgjojë. Sigurisht, dikush mund të jetojë në kundërshtim me ligjet hyjnore të jetës. Por, jeta e tij do të jetë një shëmti e tmerrshme dhe nuk do të durohet si nga Perëndia, ashtu dhe nga njerëzit e tjerë. Por kush guxon të propozojë shfuqizimin e Dekalogut?
Vetëshqyrtim dhe përpjekje për t’u përmirësuar
Le të pyesim veten nëse i zbatojmë këto porosi me besnikëri apo jo. Shpeshherë edhe ne i shkelim ato. Ky është ndryshimi mes ligjeve morale dhe atyre fizike. E gjithë bota e pajetë lëviz me ashpërsi të madhe mbi ligjet fizike. Por njeriu nga ana e vet, është i lirë të zbatojë ose jo ligjet morale, që i ka caktuar Perëndia. Zoti i gjithësisë i dha mundësinë që të bëjë zgjedhje i lirë. Por edhe i ka bërë të ditur, se nëse shkel një nga këto ligje, do të shkojë drejt humbjes.
Për të pasur mundësinë e korrigjimit të sjelljes sonë, le të qëndrojmë të qetë për një orë, në një vend pa shumë zhurmë, për të parë veten si në pasqyrë dhe le të analizojmë shpirtin tonë. P.sh. Perëndia na urdhëron të mos bëjmë idhuj për veten. Mos vallë kam bërë idhuj për veten time njerëz të tjerë si politikanë, sportistë, artistë apo të pasur dhe përpiqem të imitoj sjelljen e tyre të pamend? “Ndero atin dhe nënën tënde”. Vallë i nderoj njerëzit e mi apo i hidhëroj duke qenë inatçi dhe kokëfortë me ta? Ligji i Perëndisë na thotë: “Mos merr nëpër gojë ose mos e përmend kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd”. Mos vallë unë bëj betime, përdor sa për sy e faqe emrin e shenjtë të Perëndisë? Mos ndoshta më pëlqen të kem gjëra të të tjerëve dhe përpiqem të pasurohem duke i vjedhur ata?
Pasi të kemi parë me pastërti se në cilin nga urdhërimet e Zotit kemi mëkatuar dhe kemi kryer shkelje, le të bëjmë një përpjekje më sistematike për t’u korrigjuar.
* * *
Një shkrimtar, për të treguar se ku shkon një shoqëri, që nuk i zbaton të dhjetë urdhërimet, përdor alegorinë e mëposhtme: Një pronar i madh vreshtash, kishte në qilarin e tij një fuçi të madhe me verë të vjetër e të një cilësie shumë të mirë. Ai ishte kujdesur që asnjë pikë pije të mos rridhte jashtë fuçisë. Por vera nisi të mendojë me shumë egoizëm: “Pa shiko se sa shumë vlerë që kam! Jap fuqi, gëzim, lumturi. Po përse më mbajnë këtu të mbyllur me këta rrathë hekuri, që shtrëngojnë fuçinë?”. Përditë ajo ndihej e shtrënguar dhe e lodhur nga ajo gjendje që për të, ishte fare e padurueshme. Një ditë vendosi të arratisej së andejmi dhe të çlirohej nga fuçia që e mbante të lidhur. Nisi të fryhej, të fryhej pa pushim që të pëlciste fuçinë e drunjtë. Në fillim nisi me drojë, por në fund mori sillë dhe fuqi të madhe. Rrathët prej hekuri nisën të kërcejnë nga trupi i fuçisë dhe pas pak u krijuan të çarat e para. Rrathët e fundit u rrokullisën dhe në atë çast, kur po mendonte se tanimë liria ishte afër, dërrasat u shkëputën njëra nga tjetra dhe vera, krenare, për fuqinë dhe gëzimin që jepte, u derdh e u bë një me dheun e lagur.”
Kjo histori simbolike ka një të vërtetë të madhe në vetvete. Njeriu i dehur nga përparimi i qytetërimit, tërhiqet në egoizmin e tij dhe përpiqet të çlirohet nga rrathët, që e rrethojnë dhe e mbrojnë, nga dhjetë porositë e Perëndisë. Këtë e bën sa herë që përpiqet t’i lërë mënjanë, sepse shqetësojnë jetën e tij individuale, sociale dhe familjare. Në këtë rast nuk bën asgjë tjetër veçse përgatit me dorën e tij shkatërrimin e vetes.
Si ligjet fizike, ashtu edhe ato shpirtërore, nuk u bënë kurrë nga Perëndia për të mbytur lirinë tonë, por për të mbrojtur jetën tonë nga shpërbërja dhe për ta rregulluar në mënyrë të atillë, që për njeriun t’ia vlejë ta jetojë.
Shkëputur nga libri “Udhëtim shpirtëror” i Kryepiskopit Anastas, Tiranë, 2011.
Botuar në Kalendarin Orthodhoks 2013, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.