Dita e Diel, në traditën e Kishës sonë është dita e Zotit, dita e Ngjalljes, dita e krijesës së re, Pashka e përjavshme. Është dita e parë e javës. Me këtë ditë fillon java e besimtarëve dhe rreth saj lëvizin, duke e pasur si qendër adhuruese dhe si qendër të kohës personale.
Kuptimi i vërtetë i së Dielës – ditës së Zotit
Ungjillorët dhe apostujt e shenjtë (Mattheu 28:1; Marku 16:2; Llukai 24:1; Joani 20:1,19), na treguan se Ngjallja e Zotit Jisu Krisht ndodhi “ditën e parë të javës”. Kështu të krishterët filluan ta nderojnë shumë këtë ditë, sepse me ngjalljen u shpartallua pushteti i djallit, u çliruan besimtarët nga vargonjtë e vdekjes dhe filloi një jetë e re për të gjithë njerëzimin, për tërë krijesën, si rrjedhojë kjo u bë ngjarja më e rëndësishme e Krishterimit.
Këtë ditë të javës, paganët ia kishin përkushtuar diellit dhe njihej si “dita e diellit”.
Ndërsa hebrenjtë, kishin si ditë adhurimi të Shtunën (Sabatin) (ditën e shtatë), që i ishte përkushtuar tërësisht Perëndisë dhe nuk bënin absolutisht asnjë punë, veç detyrave të tyre adhuruese.
Caktimi i së shtunës si ditë pushimi, lidhet me faktin se, në këtë ditë kishte përfunduar krijimi i botës “edhe të shtatën ditë Perëndia u preh nga të gjitha punët e tij që bëri” (Gjeneza 2:2). Urdhërimi i katërt nga 10 urdhëresat e Perëndisë thoshte: “Kujto ditën e Shtunë (Sabatin) që ta shenjtërosh atë. Gjashtë ditë do të punosh, edhe do të bësh gjithë punët e tua; Po e shtata ditë është pushim në Zotin, Perëndinë tënd” (Eksodi 20:8-10). Kështu, hebrenjtë dhe sot e kësaj dite ndalojnë çdo punë.
* * *
Shumë herët, që nga koha apostolike, pothuajse menjëherë pas Ngjalljes së Krishtit, të krishterët zëvendësuan ditën e shtunë, si ditë adhurimi dhe pushimi, me ditën e Ngjalljes së Zotit (Veprat e Apostujve 20:7; 1 Korinthianëve 16:2), të cilën edhe e quajtën “e Zotit” (Zbulesa 1:10 “U rrëmbeva nga Shpirti i Shenjtë ditën e Zotit [diel]”).
Shën Justini, në mesin e shek. II, tek “Apologjia” e tij, të cilën ia drejton perandorit idhujtar romak Antonini, e arsyeton kështu këtë zëvendësim: “Dhe ditën e quajtur të diellit (diel) mblidhemi të gjithë bashkë… sepse ajo është dita e parë në të cilën Perëndia, duke shndërruar errësirën dhe lëndën bëri universin dhe Jisu Krishti, Shpëtimtari ynë u ngjall së vdekurish po atë ditë”.
Po kështu edhe Shën Ignat Hyjmbajtësi në letrën drejtuar Magnesianëve thotë: “Çdo krishtdashës e feston ditën e Zotit, ditën e ngjalljes, mbretëreshën, më të lartën e të gjitha ditëve” (9:35-40). Pra, e Diela – dita e Zotit, nderohet sepse është dita e parë e krijimit të botës, por edhe dita e rikrijimit të botës nëpërmjet Ngjalljes së Zotit, dita e parë e “krijesës së re në Krisht”.
* * *
Në lartësimin e ditës së Diel – ditës së Zotit, ndikuan gjithashtu edhe ngjarje të tjera që ndodhën në këtë ditë: shfaqjet e Zotit të ngjallur tek apostujt, si dhe zbritja e Shpirtit të Shenjtë në Pentikosti (Joani 20:19, 26; Veprat e Apostujve 2:1-13).
Kështu, e Diela – dita e Zotit, u bë dita e parë dhe më e rëndësishme e Kishës. Ajo është dita që kremtojmë veçanërisht Ngjalljen e Zotit e më pas ngjalljen dhe lartësimin tonë deri në fronin e Perëndisë. Kisha me misterin e Eukaristisë (Falënderimit Hyjnor), që kryen çdo të Diel – ditë të Zotit, i bashkon besimtarët me këtë Zot të ngjallur, i “shndërron” në popull të Perëndisë dhe vërteton kështu veten e saj, se Ajo është realizuesja e Mbretërisë së Perëndisë mbi dhé.
Prandaj, asnjë veprim i njeriut, sado i madh ose pa vlerë të jetë, asnjë shfuqizim i pushimit të së Dielës – ditës së Zotit ose çdo gjë tjetër, nuk mund të tjetërsojë apo të zvogëlojë rëndësinë e kësaj dite, e cila për ne të krishterët orthodhoksë do të thotë realizim i jetës së re, që populli i Perëndisë rron në Krisht.
* * *
Dita e Diel – dita e Zotit, është gjithashtu dita e tetë dhe e parë, sipas Etërve të Shenjtë të Kishës. Ajo tregon fundin e botës së vjetër (si ditë e tetë) dhe fillimin e botës së re që vjen (si ditë e parë dhe si ditë e përjetësisë). Edhe pse deri në shek. III pas Krishtit nuk ishte as ditë pushimi dhe as çlodhjeje, megjithatë dita e Diel – dita e Zotit [κυριακή – greqisht, Dominica – latinisht], iu zbulua besimtarëve me të gjithë fuqinë dhe hirin transformues të saj.
Dita e Zotit nuk është thjesht një ditë e shenjtë në raport me ditët e tjera, por është dita që i jep kuptim, vlerë dhe rëndësi të gjitha ditëve të tjera të javës, duke shenjtëruar kështu të gjithë javën, e si rrjedhim edhe jetën tonë, sepse me të vërtetë brenda tyre jetojmë jetën tonë, të shndërruar në jetë të re, që buron prej Falënderimit Hyjnor të ditës së Zotit.
* * *
Adhurimi hyjnor i Kishës, i mbështetur në himnet ngjallësore të mbrëmjes të së shtunës dhe të mëngjesit të së dielës, të cilat ndërrohen çdo javë, në bazë të tetë tingujve të muzikës kishtare bizantine (siç tregohet edhe në këtë kalendar), na jep me bukurinë e krijimtarisë poetike, himnografike dhe muzikore dimensionin dhe gëzimin e kësaj dite ngjalljeje. Këtë gëzim na e shpreh gjithashtu edhe leximi i fragmenteve prej ungjijve të Shërbesës së Mëngjesores, duke na shpallur fitoren dhe triumfin e Krishtit ndaj vdekjes.
I gjithë ky adhurim hyjnor kulmohet në vazhdim me Liturgjinë Hyjnore, ku kungohemi me Trupin dhe Gjakun e Tij. Ky është gëzimi i Kishës, ky është Lajmi i Mirë që Kisha i shpall botës. Gëzim që duhet të hyjmë dhe të marrim pjesë, gëzim që fillon dhe nuk mbaron, gëzim i vetë Zotit. Kisha pra, shpall botërisht çdo të Diel – ditë të Zotit, gëzimin e saj të madh, që është gëzim gjithëpërfshirës, gëzim që iu ofrohet të gjithëve.
Pushimi dhe shenjtërimi i së Dielës – ditës së Zotit
Deri në kohën e shën Konstandinit të Madh besimtarët e nderonin këtë ditë dhe përpiqeshin të shmangnin çdo punë të tyre personale. Prandaj, ata e ndienin më të fortë ndikimin dhe rëndësinë transformuese e shenjtëruese të ditës së Zotit. Shën Konstandini i Madh ishte i pari që caktoi ditën e Zotit, pra ditën e Diel, si ditë pushimi për të gjithë Perandorinë Romake. Urdhëresa perandorake, që doli më 3 mars të vitit 321, caktoi pushim të përgjithshëm nga çdo lloj pune. Që prej asaj kohe e deri më sot legjislacionet e të gjitha shteteve të krishtera përcaktojnë të Dielën – ditën e Zotit, ditë pushimi.
* * *
Me kalimin e kohës, urdhëresat, duke u ndikuar nga fryma materialiste, sekulare, si dhe ajo jo e krishterë, ndikuan në tjetërsimin e kuptimit. Në vend të termit “pushim” për ditën e Zotit, që do të thotë pushim nga çdo punë, filloi të përdoret termi “pushim” për çlodhje.
Punëdhënësit, në bazë të ligjeve, nuk sigurojnë pushimin e ditës së Zotit, por “pushim” për çlodhje 24-orëshe për personelin punonjës ose shtesë page për punën gjatë kësaj dite etj. Megjithëse këto përbëjnë arritje sindikaliste të punonjësve dhe u shërbejnë nevojave materiale, janë larg kuptimit të vërtetë të pushimit të kësaj dite. Këto përbëjnë deformim të së Dielës – ditës së Zotit, prej kuptimit të vetëm që ka, se mendimi dhe zemra e njeriut drejtohet te përfitimi material (dyfishimi i pagës ditore) ose te çlodhja, argëtimi etj. Pra, jo vetëm që nuk e shenjtërojnë këtë ditë, përkundrazi, e infektojnë atë.
* * *
Pushim këtë ditë do të thotë lartësim mendor e shpirtëror, intensitet dashurie, kthim i mendjes dhe i zemrës në ngjarje të mëdha dhe unike, që kryhen në adhurim, sidomos në Liturgjinë Hyjnore. Pushim, pra, të Dielën – ditën e Zotit, prej punës e materies, por jo neglizhencë shpirtërore; çlodhje prej mundimeve të përditshme, por jo përtaci e shpirtit; braktisje e përpjekjeve në luftën për ekzistencë, por jo braktisje dhe neglizhencë në jetën e brendshme shpirtërore.
Këtu është thelbi i pushimit. Pushim prej punëve materiale, por veprimtari dhe intensitet në ato shpirtërore, që formojnë me të vërtetë dhe ushqejnë shpirtin. Nëse të krishterët nuk kujdesen për të dhe nuk kuptojnë rëndësinë e saj, devijojnë. Pushim në këtë ditë, nuk do të thotë pasivitet dhe rehati. Madje shpesh shohim njerëz që e nënvlerësojnë ardhjen në kishë, sepse jepen pas punëve shtëpiake apo për të siguruar të mira materiale dhe më keq akoma, në vepra plangprishëse, dehjeje, mëkati e poshtërsie. Marrja me punët materiale këtë ditë duhet të lihet, jo që ato t’i zëvendësojnë të këqijat dhe mëkatet, por që vendin e tyre ta zënë shpirtëroret dhe të pëlqyerat për Perëndinë.
* * *
Veçanërisht shenjtërimi i kësaj dite, arrihet me gatishmërinë për pjesëmarrjen me gjithë shpirt në Liturgjinë Hyjnore dhe në Kungimin e Shenjtë. Në tempullin e krishterë (kishën), do të falënderojmë Perëndinë për të gjitha gjërat e mëdha e shpëtimtare që bëri për ne, por edhe për të gjitha bamirësitë e Tij. Atje do të forcohen më shumë lidhjet vëllazërore ndërmjet njerëzve dhe do të krijohen lidhje të reja.
Të Dielën – ditën e Zotit, do të dëgjojmë dhe do të mësojmë më shumë fjalën e Perëndisë, që ushqen dhe fuqizon shpirtin. Këtë ditë, duke i lënë pas gjërat materiale të përditshme, do të lutemi më intensivisht dhe më nxehtësisht. Do të ushtrojmë virtytin, punët e dashurisë dhe të njeridashjes në mënyrë më aktive. Ky është pushimi i së Dielës, ditës së Zotit, i kësaj dite të madhe, që përbën thelbin e jetës së re në Krishtin.
Të jemi, pra, të krishterë të vërtetë, nëpërmjet përjetimit të besimit dhe Ngjalljes.
Marrë nga libri “Liturgjika Orthodhokse” i Konstandin Athanasopulu (1975)
Botuar te Kalendari Orthodhoks 2010, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.