Nisma Sociale
Mensat e bamirësisë “Shoqëria e Dashurisë”
Mencat e bamirësisë “Shoqëria e Dashurisë”, po japin një kontribut mjaft të çmuar për të varfërit e shumtë të shoqërisë shqiptare.
Në Tiranë, Korçë, Berat dhe Gjirokastër Kisha Orthodhokse po ndihmon me ushqimin e mjaft njerëzve në nevojë. Kjo veprimtari zhvillohet akoma edhe më shumë, sepse këto qendra kanë si qëllim jo vetëm të ndihmojnë këta njerëz me ushqim të gatuar ditor, por dhe t’u ofrojë atyre një vend të sigurt, ku të ndjejnë dashuri për njeri-tjetrin dhe për jetën. Për të arritur këtë qëllim, besimtarët përpiqen vullnetarisht të sigurojnë një mjedis sa më të pastër, të rehatshëm e mikpritës dhe të shërbejnë drekë të ngrohtë dhe me vlera ushqimore.
Grupet organizuese punojnë në mensa me përkushtim, duke i trajtuar të gjithë këta miq me respekt, dashuri dhe dinjitet. Askush nuk pyetet se cilit besimi i takon, por bëhet përpjekje serioze për të kuptuar nevojat e tyre. Numri i atyre që ushqehen në mensa është rritur, duke arritur në më shumë se 500 veta. Miqtë e këtyre mensave janë njerëz të varfër, me vështirësi të theksuara ekonomike, të cilët janë evidentuar nga besimtarët ose edhe vetë këta njerëz në nevojë kanë trokitur në dyert e Kishës sonë për të kërkuar ndihmë.
Këto mensa shërbejnë drekën në Tiranë 3 ditë në javë, në Korçë 4 ditë në javë, në Berat 2 ditë në javë dhe Gjirokastër 1 ditë në javë. Mensat janë bekuar me mundin e shumë vullnetarëve bamirës, që përpiqen me punën, ndihmën ekonomike dhe kontributin e tyre të realizojnë këtë vepër bamirëse.
Grupet organizuese bëjnë edhe vizita në shtëpitë e tyre për të parë më nga afër nevojat dhe se si mund të ndihmohen edhe më tepër. Hapja e këtyre mensave bëhet e mundur falë kontributit dhe bekimit të Kryepiskopit Anastas. E vërteta është se ka shumë të varfër në Shqipëri, prandaj bashkë me ndihmën materiale orthodhoksët luten që të gjitha përpjekjet të lehtësojnë disa nga vuajtjet e tyre dhe t’i ndihmojnë këta njerëz të shohin dritën e Dashurisë.
Vizita dhe ndihma nëpër familje dhe njerëz në nevojë
Ndihmën e madhe në këtë drejtim e japin prej vitesh aktivistet e Lidhjes së Grave Orthodhokse “Përhapja e Dashurisë”, në Tiranë dhe në rrethe, të cilat me ndihmat e akorduar nga kryepiskopi Anastas por edhe nga besimtarët u gjenden pranë njerëzve dhe familjeve në nevojë. Veprimtaret kanë bërë dhe bëjnë vizita të vazhdueshme, të shoqëruar shpesh edhe nga priftërinjtë e kishës, në shtëpi të të sëmurëve, duke i ndihmuar ato shpirtërisht, me biseda shpirtërore, me shërbesa të ndryshme lutësore për rastet përkatëse dhe me kungime me Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Ndihmë, ngushëllim, miqësi, dashuri e ngrohtësi e shprehur me vepra dhe sinqeritet, që jnaë mjaft të kërkuara nga këta persona dhe familjet e tyre. Mirëpo kjo ndihmë jepet edhe materialisht, me ushqime, ilaçe etj.
Në mjediset e zyrës, pranë Kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, çdo të martë dhe të enjte të çdo muaji, bëhen pritje për njerëzit në nevojë, të besimeve të ndryshme, kushdo që vjen e kërkon ndihmë. Gratë orthodhokse njihen me problemet e tyre dhe shpeshherë i mbështesin me këshilla shpirtërore, sociale, por edhe me ndihma me ushqime dhe veshmbathje. Ndihmohen kështu rreth 200 persona, si dhe shumë të sëmurë mbështeten financiarisht për të blerë ilaçe, ndërsa disa të tjerë të pastrehë ndihmohen për të paguar një pjesë të qerasë mujore etj. Ndihmesë jepet gjithashtu edhe për ato familje që kërkojnë ndihmë me materiale shkollore për fëmijët e tyre. Mendja e tyre nuk është përqendruar vetëm tek ushqimi dhe pjesët e tjera materiale, por kryesorja është dashuria që ata lexojnë në zemrat e tyre.
Gjithashtu edhe të ardhurat e punimeve të dorës të prezantuara në panaire të vogla të komuniteteve kishtare si: ikona, kryqe, komboskinë, triko për bebe, pupa, shall, qëndisje me gjilpërë, reçelësh, ëmbëlsira dhe byrekë etj. u ofrohen familjeve të varfra, të moshuarve të azileve, të burgosurve etj.
Vizita dhe ndihma në azile
Prej syve të vuajtur, prej zemrash me brenga, me shumë halle deri në vitet e fundit të jetës, ravijëzohen në rrudhat e tyre një mijë e një probleme dhe shpresa të pasosura. Gjithësesi ata nuk janë vetëm. Gjithmonë pranë tyre ndodhen njerëz zemërdhembshur, jo thjesht për t’i ngushëlluar në një ditë të zakonshme, duke mposhtur disi vetminë e tyre, por për t’iu treguar dashurinë e vërtetë të krishterë që nis këtu në tokë e përfundon në përjetësi.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është rreshtuar përherë në radhët e para në ndihmë të njerëzve me nevoja të theksuara jetike. Në të kremtet festive të Kishës, madje në cilëndo ditë të vitit, Kryepiskopi Anastas ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me ndihma shpirtërore e materiale. Ndihma me ushqime e veshëmbathje, me dreka dashurie me të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore të azileve të burrave dhe grave në Tiranë. Rreth 60 persona që jetojnë në këto azile e presin përherë dorën e ngrohtë të Kishës. Shumë prej këtyre njerëzve me shpirt të pasur falenderojnë organizatorët, por në veçanti Perëndinë, duke u lutur së bashku për mbarështimin e ushqimit dhe për një jetë të pasosur më Krishtin.
Lidhja e Grave Orthodhokse bashkë me Rininë Orthodhokse kanë një bashkëpunim humanitar mjaft të mirë me azilet në Tiranë, duke ndihmuar njerëz shumë të varfër dhe të sëmurë në çdo formë që të jetë e mundur: me ushqime, veshmbathje, strehime, kurime shëndetësore, ndihmë shpirtërore etj.
Pranë personave me aftësi të kufizuara fizike
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka treguar një vëmendje të veçantë ndaj personave me aftësi të kufizuara mendore, por edhe atyre fizike, duke treguar dashurinë dhe kujdesin e saj. Përmes aktiviteteve në vite është shprehur gatishmëria për të qëndruar pranë në lutje dhe ndihma shpirtërore e materiale ndaj kësaj pjese të shoqërisë, që më shumë se çdo gjë tjetër ka nevojë për dashuri.
Që prej vitit 2002, Zyra e Rinisë organizon veprimtarinë “Fundjava e miqësisë”, si për të treguar një miqësi që ka nisur dhe vazhdon me entuziazëm, duke u bërë edhe më e bukur nga njëri vit në tjetrin. Rreth 40 persona me aftësi të kufizuara nga Tirana, Kukësi, Tropoja, Laçi, Fieri, Berati etj. marrin pjesë çdo vit në këtë veprimtari në qytetin e Durrësit ose në Tiranë. Përvoja e fituar vit pas viti tregon se miqësia mes të rinjve orthodhoksë dhe personave me aftësi të kufizuara fizike është rritur dhe forcuar. Tre ditët e aktivitetit marrin përmasat e një feste të veçantë me lojëra e argëtime, me biseda në grupe, konkurse dijesh dhe vallëzimi.
Nuk është e çuditshme të shikosh se sa bukur dinë të kërcejnë edhe këta individë, të cilët edhe pse ndodhen në karrige me rrota ose në paterica janë të aftë të përshtaten. Madje aftësitë e tyre krijuese i kapërcejnë hamendjet. Në fytyrat e tyre lexohet gëzimi dhe energjia e jetës. Ata kanë potenciale në vetvete dhe një botë shpirtërore që të mahnit.
Ndihma të gjëra sociale dhe projekte zhvilluese
Kisha ka përkrahur një numër të madh programesh, ku përfshihen projekte zhvillimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, programi për edukimin shëndetësor të fëmijëve dhe ngritja e qendrave shëndetësore në fshatra. Shpërndahen ushqime, veshmbathje dhe medikamente në zonat e thella për mijëra familje në nevojë si dhe zhvillohen projekte edukative, trajnime dhe mësime të veçanta për fëmijët dhe të rinjtë për më tepër shih Diakonia Agapes.
Një investim i madh është realizuar edhe në arsim. Është ngritur një sistem i tërë arsimor e edukues në të gjithë ciklet arsimore dhe pothuajse në të gjithë vendin: 17 përkujdesje fëmijësh (kopshte), 1 shtëpi fëmijësh (jetimore), 3 shkolla 9-vjeçare, 3 shkolla të mesme, 1 konvikt për vajza të shkollës së mesme, 2 institute të formimit profesional, Akademinë Teologjike dhe Universitetin “Logos” për më tepër shih Arsimi dhe Edukimi.
Por Kryepiskopi Anastas me fondet e tij ka dhënë mbështetje teknike e materiale shumë shkollave publike. Njëkohësisht ka riparuar ndërtesa të shkatërruara universitare në Tiranë dhe Gjirokastër, ka rikonstruktuar 10 shkolla dhe 7 përkujdesje ditore fëmijësh (kopshte), por edhe mjaft kënde lojërash publike: p.sh. në vitin 1998 dhuroi 1.1 milionë lekë të reja për pajisjet me mobilie në sallat e mësimit dhe laboratorët e informatikës në Universitetin e Gjirokastrës, në vitin 2000 dhuroi 70 mijë dollarë për rikonstruksionin e plotë të shkollës në Ndroq, në vitin 2001 u krye rikonstruksioni i shkollës “Konferenca e Pezës”, në vitin 2002 këndin e lojërave në Përmet, së fundi në vitin 2008 rikonstruksionin e përkujdesjes ditore (kopshtin) e fshatit Muçaj, shkatërruar nga shpërthimet e Gërdecit etj.
Në fushën e shëndetësisë Kisha ka dhënë një kontribut shumë të çmuar, u përveç Klinikës “Ungjillëzimi” në Tiranë, janë hapur janë hapur qendra shëndetësore në Kavajë, Korçë, Jergucat (Gjirokastër) dhe Lushnjë. Vlen të përmendet gjithashtu edhe klinika dentare e lëvizëse, e cila për vite me radhë ka shëtitur në shumë qytete të Shqipërisë, duke shërbyer falas për mijëra persona. Në vite të ndryshme të krizave sociale, kryepiskopi ka siguruar qindra medikamente për të sëmurët, duke ndihmuar spitalet publike dhe familje të shumta në zona të ndryshme të vendit për më tepër shih Kujdesi shëndetësor.
Gjithashtu një numër projektesh të veçanta janë krijuar dhe zbatuar edhe në fushën e infrastrukturës në ura, rrugë dhe ujësjellësa në disa fshatra të Vlorës, Sarandës, Gjirokastrës, Përmetit etj. duke ndihmuar komunikacionin shumë të vështirë të banorëve në mjaft fshatra të thellë, si edhe duke sjellë ujin e pjishëm drejtpërdrejt nga burimet e afërta, që mjaft fshatrave u kishte munguar përgjatë gjithë historisë së tyre.
Vepra ndërtuese dhe restauruese, në 450 godina: jo vetëm kisha të reja dhe të vjetra, por edhe ndërtesa të tjera kishtare, duke shtuar edhe të lartpërmendurat, ofruan një kontribut mjaft të madh ekonomik e social. Me ndërgjegje, siguri dhe objektivitet kjo përpjekje dhe kontribut ka hyrë në histori. për më tepër shih Ndërtimi dhe Restaurimi.
Në fushën e marrëdhënieve me publikun, Kisha i ka dhënë mundësi gazetarëve dhe mediave të ndryshme përmes informacioneve, intervistave, emisioneve dhe trajnimeve formuese të përcjellin realitetin në zhvillim të Kishës dhe Komunitetit Orthodhoks si dhe këndvështrimet teologjike dhe kishtare për çështje të ndryshme.
Vizita dhe ndihma në burg
Motoja “Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; …u sëmura, dhe erdhët të më shihni; isha në burg, dhe erdhët tek unë”, fjalëve të Krishtit në Ungjillin sipas Mattheut 25:35-37udhëhoqi dhe shoqëroi grupin e parë të besimtarëve orthodhoksë, të cilët morën përsipër të fillonin vizitat shpirtërore e sociale dhe ndihma në ushqime në burgun nr. 325 në Tiranë. Këto vizita janë mjaft dobishme si për të burgosurit ashtu edhe për vizitorët tanë besimtarë.
Këto takime datojnë në vitin 1998 dhe që vazhdojnë deri në ditët e sotme. Rëndësia e këtyre takimeve u theksua shumë, dukë qenë se vetë natyra e kësaj plage në shoqërinë shqiptare është e tillë. Gjatë viteve të ndihmës atje, janë parë nevojat e personave që vuajnë dënimin në këtë ambient. Në bashkëpunim me stafin drejtues të burgut nr. 325 është bërë e mundur, që të dërgohet tek këta njerëz ajo që është më emergjentja por edhe ndjenja sociale e humanitare.
Kështu në vitin 2000 në Burgun 325 në Tiranë, filloi punën sera e ndërtuar nga Kryepiskopi në ndihmë të dënuarve. Të ardhurat nga shitja e prodhimeve të kësaj sere që vetëm në vitin e parë të punës sillte rreth 200 000 lekë fitim, nga shitja e luleve, kalonin në ndihmë të vetë të dënuarve. Në këtë serë u punësuan shtatë gra, të cilave iu dhuruan edhe materialet përkatëse për punën atje. Festat e Krishtlindjes dhe Pashkës gjithmonë kanë qenë shumë të dashura për këta njerëz, sepse grupi i Kishës sonë organizonte për të gjithë ata drekë dhe festa të bukura.
Në vitin 2006 nga personeli i këtij burgu u kërkua financimi për ndërtimin e një fushe sportive, për rreth 160 burra që vuajnë dënimin në këtë burg, kryesisht të moshave të reja. Kryepiskopi Anastas, i cili ndodhej për një vizitë në këtë ambient, pranoi këtë kërkesë dhe shumë shpejt filloi puna për ndërtimin e kësaj fushe. Kostoja e saj shkoi rreth 20 mijë USD. Përveç përfitimit në argëtimin e të dënuarve, ndërtimi i kësaj fushe solli edhe një përfitim tjetër social, sepse shumë të dënuar u punësuan gjatë kohës që kjo fushë ndërtohej, duke u paguar për punën e tyre.
Përveç këtyre po në këtë Institucion Kisha jonë ka bërë një investim edhe në libra, kompjutera dhe printera për të burgosurit, së fundmi në fillim të vitit 2010 në një kërkesë drejtuar nga stafi drejtues shprehej nevoja e pajisjes me kompjutera dhe printera, të cilat nevojiten për mësimet dhe kurset e kompjuterit që zhvillohen aty. Iu dhuruan 3 kompjutera dhe 2 printera të një teknologjie të lartë. Gjithashtu iu akordua edhe një fond prej 100.000 lekësh për aktivitete si trainime dhe rregullime të serës.
Vizita të tilla dhe ndihma shpirtërore, sociale e materiale kryhen rregullisht edhe në Durrës në Qendrën e Paraburgimit të zonës, të Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës. Ndihma në këtë institucion dhe në të tjera të këtij lloji, asnjëherë nuk ka rreshtur. Gjithmonë është parë me prioritet ky aktivitet, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe një komunikim sa më të mirë dhe njohje me njerëzit në nevojë.
Dhurimi i gjakut për talasemikët
Gjatë këtyre viteve, në Kishën Orthodhokse, dhurimi vullnetar i gjakut është përsëritur disa herë me një pjesëmarrje aktive të të rinjve orthodhoksë si dhe grupmoshave të tjera.
Sesionet e dhurimit të gjakut janë zhvilluar vit për vit edhe në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit, në qendrat rinore orthodhokse në Tiranë, Elbasan etj.
Me moton “Dhuro gjak, shpëto jetë”, Kisha i është përgjigjur nevojave emergjente të fëmijëve talasemikë, duke iu bërë thirrje besimtarëve gjatë shërbesave kishtare si edhe në aktivitete të tjera që organizon, për dhurimin e jetës në dobi të shpëtimit të jetës. Besimtarët shprehin mirënjohje ndaj Perëndisë për mundësinë e ndihmës ndaj vëllezërve që kanë probleme shëndetësore.
Krahas shumë besimtarëve dhe të rinjve, të pranishëm kanë qenë edhe klerikët, duke u bërë shembull të dhurimit dhe duke sjellë mesazhe shumë të bukura e mbresëlënëse për të gjithë ata njerëz të cilët dhurojnë gjak. Por më tepër për të gjithë njerëzit kudo që ndodhen, në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se çfarë do të thotë të dhurosh nga vetja jote. “Më i lumtur është ai që dhuron sesa ai që merr”.
Vetë jeta e njeriut është dhuratë nga Perëndia. Trupi dhe gjaku ynë është dhuratë nga Perëndia për ne. Besimtarët orthodhoksë me këtë akt humanitar kujtojnë veprën hyjnore të Zotit tonë Jisu Krisht, i Cili me gjakun e tij në Kryq lau mëkatet tona dhe na shpengoi nga mëkati, duke na blerë me gjakun e Tij.
Ndihma në raste fatkeqësish
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë iu është përgjigjur gjithmonë krizave sociale në fatkeqësi natyrore. Rasti më i fundit i Shkodrës në janar të vitit 2010 tregoi solidarizimin dhe përkrahjen shpirtërore e monetare të Kishës dhe besnikëve të saj. Por ky kontribut ka nisur më herët. Në nëntor 1992, Kisha jonë dhuroi 1.7 milionë lekë për zonat e përmbytura në veri të vendit. Në vitin 2002 në rrethet e Lezhës, Beratit e Gjirokastrës pati të tjera përmbytje dhe fatkeqësi natyrore dhe Kisha ishte prezente përmes ndihmave të saj në këto bashki, duke dhuruar elementë jetikë si ushqime, veshmbathje dhe vendqëndrime. Që në çastet e para, nevojave të zonave që u goditën nga përmbytjet iu përgjigj vetë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, i cili bashkë me lutjet e tij, u bëri thirrje besimtarëve të dhuronin sa të kishin mundësi, duke dhënë shembullin e tij personal.
Në vitin 2010 në përmbytjen pranë qytetit të Shkodrës për t’u solidarizuar me vëllezërit e tyre të goditur nga kjo fatkeqësi, besimtarët kanë dhënë kontribute personale, duke mbledhur 613 520 mijë lekë. Kjo ishte ndihma e dytë e dhuruar prej Kishës Orthodhokse për zonën e përmbytur të Shkodrës brenda një kohe të shkurtër. Ndihmesa e parë ishte ajo e dhënë që në çastet e para në Shtabin e Emergjencës së këtij qyteti, me 5 tonë ndihma, të cilat përmbanin ushqime, veshmbathje, shtresa, etj. Gjithashtu edhe gjatë përmbyjtjes tjetër në nëntor po të 2010 Kisha jonë përsëri siguroi 5 tonë ndihma ushqimore, që iu dërguan banorëve me varka.
Më herët, gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi ynë (1992, 1994, 1997), Kisha jonë ka zhvilluar veprimtari të gjera sociale e humanitare, duke siguruar e shpërndarë mijëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe, rikonstruksione ndërtesash, mbështetje shpirtërore e sociale etj.
Gjithashtu, vlen të përmendet edhe ndihma e dhënë pas shpërthimit të depo mucionesh në fshatin Gërdec të Tiranës në vitin 2008 ku e gjithë zona rrotull pati dëmtime të rënda, si në objektete private edhe në ato publike. Menjëherë iu dhanë disa tonë ndihma ushqimore, veshmbathjeje dhe monetare Shtabit të Emergjencës në Vorë si dhe vetë të dëmtuarve të strehuar përkohësisht në Kampin e Ministrisë së Mbrojtjes në Plazh të Durrësit. po kështu edhe disa fshatrave përqark që kishin pësuar dëmtime iu dhanë ndihma nga studentë të Akademisë Teologjike dhe besimtarë të Kishës Orthodhokse të Durrësit. Ditën kur ndodhi tragjedia të rinjtë orthodhoksë të Kryeqytetit rendën në spitale dhe pikat e emergjencës për të dhuruar gjak, duke dhënë një kontribut të çmuar për shërimin e tyre edhe në vizitat e shpeshta që realizuan në vendstrehimet e tyre. Përgjatë disa muajve studentët e Akademisë bashkë me të rinjë të tjerë nga Tirana dhe Durrësi organizuan në Kampin e Ministrisë së Mbrojtjes në Plazh të Durrësit vizita dhe lojra për fëmijët e traumatizuar nga shpërthimet e Gërdecit.
Gjithashtu, një nga objektet e prekura të këtyre shpërthimeve ishte edhe përkujdesja ditore për fëmijë (kopshti) e fshatit Muçaj, i cila edhe më përpara nuk kishte kushte të përshtatshme për këtë lloj veprimtarie edukuese me moshat e vogla. Në kuadrin e ndihmës që Kisha jonë dha që në çastet e para të fatkeqësisë, ishte edhe interesi i Kryepiskopit Anastas për të ndihmuar në rivënien në punë të institucioneve arsimore të zonës. Kështu, me një fond prej rreth 3.2 milionë lekë të dhëna nga Fortlumturia e Tij, u bë i mundur projektimi dhe realizimi i rikonstruksionit të kopshtit të Muçajt. Praktikisht çdo gjë u bë nga e para, ku mbetën vetëm muret ekzistuese.U bë suvatimi i plotë i jashtëm dhe i brendshëm, u bë izolimi dhe shtrimi me pllaka, çati e re, dyer dhe dritare të reja, instalimet elektrike dhe ndriçimi, instalime plotësisht të reja hidraulike dhe hidrosanitare, u bënë rregullime të territorit, u vendosën kangjella etj.
Kontribut pajtues në situata dhe probleme në vend dhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi
Gjatë krizave të ndryshme të vendit tonë 1994, 1997, 1999, Kisha nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas ka qenë ndërmjetës në zgjidhjet e problemeve të krijuara në vend, në këtë kohë, duke përmendur: sensibilizimet e shumta publike në kisha dhe media për qetësi, larg dhunës në vitet 1997-1998, takimet e përbashkëta të kryetarëve të komuniteteve fetare me drejtuesit e qeverisë lokale dhe qendrore në stabilizimin e vendit, në vitin 1999 me shprehjen e klasike të kryepiskopit “Vaji i fesë nuk duhet të përdoret për të ndezur urrejtjen, por që të zbusë zemrat dhe të shërojë plagët”.
Kryepiskopi Anastas ka ndërmjetësuar mjaft herë për çtensionimet e krijuara në 1993, 1994, 1996 në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi: p.sh. për çështjen e dëbimit të emigrantëve shqiptarë nga Greqia (e ashtuquajtura “fshesa”), për çështjen e respektimit dhe mbështetjes së tyre në Greqi, në burgjet e saj dhe kufi, duke patur takime me personalitete shtetërore greke e shqiptare si edhe mediatike.
Po kështu Kryepiskopi Anastas ndërmjetësoi edhe për ndihmesën në zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike në vitin 2005, ku zhvilloi një takim të posaçëm me ministrin grek të Energjetikës për të ndihmuar vendin tonë në tejkalimin e problemit.
Kontribute sociale, kulturore dhe arsimore në Kosovë
Që prej kohës së luftës në vitin 1999 kur vendi ynë priti valët e refugjatëve kosovarë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në bashkëpunim me donatorë dhe organizma fetare ndërkombëtare (sidomos me programin ACT, të Këshillit Botëror të Kishave) organizoi një program të gjerë ndihme, prej më shumë se 12 milion dollarësh. U bë e mundur t’u qëndrohej afër më shumë se 33 mijë të ardhurve, nga Kosova, me ushqime, veshmbathje, ndihma shtëpiake, mjekësore, strehim (në dy kampe) etj. Kampi i fundit për strehimin e tyre, që u mbyll në qershor 2001, administrohej nga Kisha.
Kështu tradita e bashkëpunimit mes të rinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe mësuesve kosovarë bashkë me nxënësit e tyre ka përcjellë mesazhe frytdhënëse. Bashkëpunimi ka thelluar edhe më tej miqësinë vit pas viti, duke u zgjeruar dhe duke u konkretizuar edhe në ndihma të rëndësishme materiale e logjistike për zhvillimin e kulturës dhe arsimit në Kosovë.
Përveç kampeve verore me natyrë edukative e argëtuese që zhvillohen çdo vit me rreth 1800 fëmijë kosovarë, festivale e aktiviteteve të shumta kulturore, kontributi i Kishës sonë është shtrirë edhe në dhënien e disa kompjuterave për laboratorët e këtyre shkollave, pajisjen me materiale didaktike, metoda bashkëkohore e punës me fëmijët si dhe puna në grupe, investime në infrastrukturën shkollore të programeve dhe projekteve të veçanta.
Duke qenë nënshkrues të Kartës së Bolonjës duhej që puna e procesit mësimor të bëhej në grupe, të rritej niveli arsimor, kështu në këtë sektor dha ndihmesën edhe Kisha jonë. Gjithashtu, çdo vit një grup mësuesish nga Kosova vijnë në Shqipëri me ftesë të Kishës sonë për t’u trajnuar në seminaret me temë “Metodat bashkëkohore të mësimdhënies” me lektore amerikanë me eksperiencë dhe kualifikime të ndryshme në arsim.
Kontribute sociale edhe nga të rinjtë
Enoritë e zonave të ndryshme, zyrat që punojnë me të rinjtë dhe fëmijët nëpërmjet aktiviteteve dhe projekteve të mëdha: kampet për djem e vajza, konferencat rinore, ekskursionet sociale, i kanë orientuar të rinjtë edhe në veprime humanitare. Shpesh të rinjtë dhe studentët e Tiranës, Durrësit, Korçës, Gjirokastrës, studentët e Akademisë Teologjike etj. kanë vizituar në spitale, në shtëpira, të sëmurë të gradave të ndryshme, të moshave të ndryshme, azilantë, fëmijë jetimë, duke iu ofruar atyre dashuri, bashkë me dhurata dhe ndihma materiale.
Kontributi ekonomik
E gjithë kjo përpjekje sociale, përkrah përpjekjeve të tjera, kanë ofruar deri tani mundësi të madhe punësimi të mijëra njerëzve në vendin tonë, pa harruar se e gjithë kjo është zhvilluar gjatë kohës së gjatë të tranzicionit dhe vështirësive sociale, ekonomike, politike të vendit tonë.