KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Zëvendësia Lokale Elbasan
Deklaratë
e Klerikëve Orthodhoksë të Elbasanit
Nikolla Marku nuk është prift, ai është një mashtrues i opinionit publik.
      Elbasan 5 shkurt 2013
      Duke marrë shkas nga një emision televiziv i ditëve të fundit ku u shfaq qytetari Nikolla Marku si “prift” i qytetit të Elbasanit, ne klerikët kanonikë dhe besimtarët e këtij qyteti deklarojmë se:
      Nikolla Marku është vetëshpallur klerik në kundërshtim flagrant me të gjitha rregullat, Traditën dhe Kanonet e Kishës Orthodhokse. Ai nuk është dorëzuar prift nga asnjë Episkop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe as nga ndonjë Kishë tjetër Kanonike Orthodhokse në botë dhe nuk njihet si i tillë prej tyre ose nga Kishat e tjera të krishtera.
    Vetëshpallja e tij klerik dhe uzurpimi i kishës së Shën Marisë në lagjen Kala edhe sot e kësaj dite, është një fyerje e rëndë për ne klerikët dhe besimtarët orthodhoksë të Elbasanit si dhe të gjithë Shqipërisë. Kjo padrejtësi vazhdon ende me mbajtjen padrejtësisht të godinës dykatëshe pranë kësaj kishe që u restaurua me fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Gjendja e mjeruar në të cilën ka katandisur Kisha e Kalasë, njëkohësisht monument kulture, nga pamundësia e realizimit të ndërhyrjeve restauruese aty, rrezikon edhe më tej vlerat saj që edhe kështu janë cenuar e dëmtuar rëndë. Për këto shkelje, kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme të organeve kompetente shtetërore.
    Nga krahu tjetër, lidhur me shpifjet dhe trillimet e Nikolla Markut kundrejt Kryepiskopit Anastas si dhe ndaj klerikëve të Kishës Orthodhokse, iu përgjigjemi se ato janë sa të pavërteta aq edhe qesharake. Kontributi dhe vepra e Kryepiskopit në ringritjen nga themelet të Kishës Orthodhokse në Shqipëri është i pashoq në historinë e saj dhe ato përbëjnë përgjigjen më të mirë ndaj akuzave dhe shpifjeve të ulëta e dashakeqe. Ne klerikët e Elbasanit, që jemi bijë të këtij komuniteti dhe i shërbejmë atij përditë, jemi të gjithë shqiptarë dhe në të gjitha kishat pa përjashtim meshohet vetëm shqip dhe në shërbesa pjesa më e madhe e teksteve liturgjike që përdoren janë përkthime të Imzot Thefoan Nolit. Pretendimet dhe mjegullnaja e dyshimeve të përhapura prej Nikolla Markut dhe të tjerëve, janë lehtësisht të verifikueshme.
   Nikolla Marku, kërkon të fshihet pas retorikës boshe dhe nacionaliste, por i kujtojmë atij dhe atyre që e mbështesin, se ai nuk është aspak më shumë patriot dhe atdhetar se sa ne, klerikët që jemi vazhdimisht pranë besimtarëve dhe  shërbejmë atyre me përkushtim e dashuri. I vetmi ‘kontribut’ i Nikollës për komunitetin orthodhoks të Elbasanit është nami dhe figura e keqe që ai përhap, duke u shtirur si klerik e duke vazhduar me uzurpimin dhe sakrilegjin e vendit të shenjtë dhe figurës së klerikut.
     Ne, kleri dhe besimtarët orthodhoksë të Elbasanit mbështesim Sinodin e Shenjtë dhe  Kryebariun tonë, Imzot + Anastasin.