Kreshma është një udhëtim shpirtëror, ku destinacioni i saj është Pashka, jeta e re, e cila për më shumë se 2000 vjet më parë ndriçoi nga varri, dhe na u dha neve, të gjithëve, që besojmë në Krishtin. Vdekja dhe Ngjallja e Krishtit na ka siguruar “kalimin” për në mbretërinë e Perëndisë. Pashka Judaike gjeti plotësimin e saj në Krishtin. Krishti, Qengji i Pashkës u flijua për ne. Nëpërmjet vdekjes së Tij, Krishti ndryshon natyrën e vet vdekjes, e bëri atë një rrugë, – një Kalim – një Pashkë, – për në mbretërinë e Perëndisë, duke transformuar tragjedinë e tragjedive në fitore përfundimtare. Prandaj në Pashkë kremtojmë Ngjalljen e Krishtit si diçka që ndodhi tek të gjithë njerëzit dhe te secili prej nesh (në pagëzim) dhe ende ndodh.
 
    Pagëzimi është Pashka jonë personale. Pagëzimi është misteri i rigjenerimit, rikrijimit, dhe Pentikostia personale e njeriut, integrimi i tij në komunitetin e popullit të Perëndisë, kalimi nga jeta e vjetër në të renë dhe së fundi Epifania (shfaqja) e mbretërisë së Perëndisë.
 
    Tradita liturgjike e Kishës, i gjithë cikli adhurues dhe shërbesat e saj, janë për të na ndihmuar të zbulojmë e të përjetojmë vizionin dhe shijen e kësaj jete të re, të cilën kaq lehtë e humbim dhe e braktisim, që të pendohemi dhe të kthehemi sërish në të. Adhurimi i Kishës, ishte që nga fillimi dhe është ende, hyrja jonë në komunikim (kungim) me jetën e re të mbretërisë. Nëpërmjet jetës liturgjike Kisha na paraqet diçka “që veshi s’e ka dëgjuar, syri s’e ka parë, dhe që ende nuk ka hyrë në zemrën e njeriut, atë që Zoti ka përgatitur për ata që e duan Atë”. Pashka qëndron në zemër dhe në qendër të jetës adhuruese të Kishës Orthodhokse.
 
    Kreshma e Madhe është në të vërtetë shkollë pendimi, të cilën çdo i krishterë duhet ta ndjekë çdo vit që të thellohet në besim, të rivlerësojë, dhe nëse është e mundur të ndryshojë jetën e tij. Është një pelegrinazh i mrekullueshëm nëpër burimet e besimit orthodhoks – rizbulimi i mënyrës orthodhokse të jetës. Pendimi në të cilin na fton Kisha gjatë Kreshmës së Madhe është një kthim në gjendjen e vërtetë të gjërave, rivendosja e këndvështrimit të duhur.
 
    Kremtimi i përvitshëm i Pashkës është kthimi ynë çdo vit te Pagëzimi dhe te kremtimi i tij, ndërsa Kreshma është përgatitja jonë për këtë kthim dhe ripërtëritje. Përpjekja e përditshme dhe e vazhdueshme bëhet për të kryer, në fund të fundit, kalimin ose pashkën tonë në jetën e re në Krishtin.
 
    Kisha mirëpret Kreshmën e Madhe me shpirtin e ngazëllimit. Ajo mirëpret kohën e pendimit me shpresën dhe entuziazmin e një fëmije që hyn në një përvojë të re dhe të mrekullueshme. Tingulli i shërbesave të Kishës është nga më të shkëlqyerit. Fjalët janë një thirrje e mprehtë për një përpjekje shpirtërore, ftesë për ngritje shpirtërore, ftesë për vepra heroike shpirtërore. Nuk ka asgjë të zymtë, asgjë të errët ose me keqardhje, asgjë me ankthe ose sentimentale. Fryma e Kreshmës në Kishë është dritëprurëse dhe e admirueshme. Kisha ngazëllon me ata që përgatiten “për të luftuar luftën e mirë” për Atë që i do dhe ka dhënë veten e Tij për ta dhe për shpëtimin e tyre.
 
    Periudha e Kreshmës dëshmon për gjërat që na ka dhënë Perëndia ynë, Krishti i kryqëzuar, për shpëtimin e shpirtrave tanë. Fatkeqësisht disa e keqkuptojnë dhe ia mohojnë vlerat e saj si një gjë e mbetur prej shekujsh.
 
    Periudha e Kreshmës mirëpritet nga të krishterët në Kishë, jo si koha e agonisë vetndëshkuese ose terapisë vetpërparuese. Ajo pritet si një periudhë e shenjtë, e përkushtuar në korrigjimin, pastrimin dhe ndriçimin e tërë personit nëpërmjet zbatimit të porosive të Zotit të kryqëzuar. Merret si kohë për betejë me frymërat e liga dhe lulëzim me frytet e Shpirtit të Shenjtë: dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi dhe vetëpërmbajtje. “40 ditë të Kreshmës së Madhe” veçohen për përkushtim të plotë dhe absolut në gjërat e Zotit. Është “një e dhjeta e vitit” e cila na tregon që e gjithë koha dhe stinët i përkasin Zotit, i cili ka krijuar dhe shpenguar botën.
 
     Ja si e përshkruan një lutje e Kishës këtë periudhë:
 
O Zot i tërëfuqishëm, që krijove me urtësi tërë krijesën,
që me përkujdesjen tënde të patreguar dhe me mirësinë e pasur
na bëre të arrijmë këto ditë të shenjta,
për të pastruar shpirtrat dhe trupat,
për të frenuar pasionet,
për shpresën në ngjalljen;
që, në dyzet ditë, i dorëzove shërbëtorit tënd Moisi rrasat
e shkruara me shkronjat hyjnore,
falna dhe neve, o i Mirë,
që ndeshjen e bukur ta kryejmë mirë,
të kalojmë udhën e kreshmës,
të ruajmë besën të pandarë,
të dërrmojmë kryet e dragonjve të padukshëm,
të tregohemi mundës të mëkatit,
dhe të arrijmë t’i falemi Ngjalljes së shenjtë pa dënim.
 
Dyert e pendimit hyjnor janë hapur
Le të hyjmë me zell, duke pastruar trupat tanë,
Duke zbatuar maturinë ndaj ushqimeve dhe pasioneve në bindje ndaj Krishtit,
i cili ka thirrur gjithë botën në mbretërinë e tij qiellore.
Duke i ofruar Zotit të të gjithave këtë të dhjetë të vitit,
Që duke kaluar nëpërmjet Kreshmës si nëpër një det të madh
Të arrijmë Ngjalljen e triditshme të Zotit tonë Jisu Krisht, shpëtimtari i shpirtrave tanë. Amin
 
 
Përgatiti: Ana Baba