Kisha jonë Orthodhokse në Elbasan, nëpërmjet famullive të Shën Nikollës dhe Shën Athanasit, morën pjesë në panairin 3 ditor (12-14 mars 2013) të organizuar nga Bashkia e Elbasanit. Ky panair kishte si qëllim shpalosjen dhe paraqitjen e veprimtarive të organizmave sociale, edukues, kulturorë e tregtarë të Elbasanit.
Me iniciativën dhe organizimin e Atë Heliodor Demirit dhe katekistit Armand Oga Kisha jonë u prezantua me botimet e saj, punimet kishtare dhe me ekspozitë fotografike të veprimtarive të ndryshme sociale të saj si: shkollat 9-vjeçare, të mesme e të larta, kontributin publik, kujdesin shëndetësor, përkujdesjet ditore (kopshtet), shtëpinë e fëmijëve “Shpresa”, edukimin e krishterë, kampet, ndërtimet dhe restaurimet e kishave, duke shfaqur kështu një prezantim dinjitoz të ringritjes së Kishës Orthodhokse.
Tenda e Kishës Orthodhokse u vizitua nga shumë pjesëmarrës të panairit, të cilët morën shumë informacione rreth veprimtarive të saj por edhe të 2 famullive tona të Elbasanit, ku një pjesë e vizitorëve nuk i kishin dëgjuar më parë. Vizitorët shprehën shumë mirënjohje për këtë iniciativë prezantuese. Gjithashtu tenda u vizitua edhe nga Zëvendës Kryeministri njëherësh dhe Ministri i Ekonomisë z. Edmond Haxhinasto, nga Kryebashkiaku dhe Prefekti i Elbasanit, por edhe nga deputetë të ndryshëm.
Në zhvillimin e panairit ndihmuan edhe studentët elbasanas të Akademisë Teologjike dhe të rinj orthodhoks të qytetit.
Armand Oga