“Java e Martesës” është një lëvizje ndërkombëtare e krishterë e përhapur në 25 vende, duke përfshirë edhe vendin tonë. Rreth 2 milion njerëz, nga 20 vende të kontinentit, morën pjesë në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të saj. Në këto veprimtari u përfshinë aktivisht edhe besimtarët orthodhoksë, për të afirmuar vlerat dhe rëndësinë e saj. Në Kishën tonë martesa është një nga shtatë misteret kryesore dhe vazhdimisht besimtarët thirren që të kenë një martesë siç Perëndia e ka themeluar që ajo të jetë.
    Gjatë fundjavës që kaloi (9-10 shkurt 2013), me bekimin e Kryepiskopit Anastas u zhvilluan disa veprimtari në këtë kuadër. Një aktivitet i tillë u bë në Manastirin e ri të Shën Vlashit, ku të rinjtë nga Tirana, Durrësi dhe studentët e Akademisë Theologjike morën pjesë në një trajnim njëditor. Programi ishte mjaft i larmishëm dhe të gjithë morën të qartë mesazhin se martesa duhet të ketë në qendër të saj Perëndinë dhe përkushtimin tek njëri-tjetri.
    Aktivitet në kuadër të “Javës së Martesës” u zhvillua edhe në Durrës, të dielën, 10 shkurt, në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit, me çiftet e martuara, të cilat pas Liturgjisë Hyjnore u mblodhën dhe ndanë së bashku rëndësinë dhe bukurinë e martesës. Edhe predikimi në Liturgjinë Hyjnore e së dielës u fokusua pikërisht mbi rëndësinë e këtij misteri të madh. Hirësi Nikolla theksoi para besimtarëve bukurinë dhe madhështinë e martesës, si edhe përpjekjen dhe përkushtimin serioz që ajo kërkon.
    Po të dielën, 10 shkurt, pas Liturgjisë, edhe në Tiranë  u mblodhën së bashku shumë çifte të martuara, në aktivitetin e organizuar te Qendra Kulturore e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Atë Jani Trebicka u foli atyre për martesën nga pikëpamja e krishterë orthodhokse, si edhe rëndësinë që ajo ka për harmoninë e çiftit dhe rritjen e fëmijëve.
    Në veprimtari mori pjesë edhe Kryepiskopi Anastas, i cili tha se kjo javë ka një rëndësi të veçantë në të gjithë Evropën, ku aktivitete nga më të ndryshmet organizohen në shumë vende, për të theksuar rëndësinë e përkushtimit në martesës. Kryepiskopi theksoi gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së familjes në jetën liturgjike, si një burim jetëdhënës në martesë.
Çiftet pjesëmarrës patën mundësinë të kalonin disa çaste të bukura në sallën e zbukuruar të Katedrales dhe gjithçka që në këtë veprimtari i nxiti të reflektojnë dhe meditojnë edhe më shumë mbi përkushtimin në martesë.
    Të gjithë pjesëmarrësit në këto aktivitete morën materialet e përgatitura mbi martesën. Gjithashtu, për të gjithë të interesuarit, Radio “Ngjallja” (FM. 88.5), ofroi dhe ofron gjatë gjithë kësaj jave, deri më 14 shkurt, emisione mbi këtë temë.

Ana Meni

 

Biseda mbi martes τn by KishaOrthodhokse

 

Shoq τri dashurie by KishaOrthodhokse

 

MBI MARTESEN by KishaOrthodhokse