Më 13 Dhjetor Kisha jonë kremton Pesë Martirët, Eustratin, Auksendin, Eugjenin, Mardharin dhe Orestin. Në Zëvendësinë e Vlorës dhe pikërisht në fshatin Bestrovë ndodhet Kisha që mban emrin e Pesë Martirëve. Për të kremtuar me besimtarët këtë ditë të shenjtë erdhi edhe Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës Imzot Ignati i cili drejtoi edhe Liturgjinë Hyjnore të celebruar me këtë rast i ndihmuar edhe nga klerikët e Zëvendësisë Atë Kostandin Prifti, Atë Ilia Qirjo, Atë Lluka Gjergji, Atë Spiro Bulika dhe Dhjakon Anastas Vrapi. Në përfundim të Liturgjisë Mitropoliti ju foli besimtarëve për jetën e Pesë Martirëve. Ai ju drejtua besimtarëve me fjalët: ”Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, shenjtorët na ndihmojnë me prezencën e tyre të gjallë në jetën tonë. Ndërhyjnë në mënyrë të mrekullueshme dhe na shpëtojnë nga rreziqe të ndryshme. Adhurojnë bashkë me ne Perëndinë në shërbesat kishtare me prezencën e tyre të padukshme. Gjenden bashkë me ne, në diskun e shenjtë, në orën më të shenjtë të Liturgjisë Hyjnore. Na ndihmojnë dhe me fjalën e tyre të fortë, të saktë, të pastër, aktuale dhe të gjallë. Shenjtorët na predikojnë mbi gjithçka dhe na frymëzojnë me jetën e tyre të shenjtë. Jetët e tyre të lavdërueshme janë statuja të gjalla, monumente reale të virtytit që na mësojnë dhe na ftojnë që t’i imitojmë. Shenjtorët tanë! Bota i ndjek dhe i përbuz. Kisha i nderon dhe u falet. Martirizohen dhe lavdërohen. Luftojnë dhe shkëlqejnë. Vdesin dhe ngjallen. Dhe ne i pasojmë. Në një marrshim të larë brenda në gjak dhe në dritë!”
Në Kishën “Pesë Martirët” prehet edhe lipsani i Episkopit të Apollonisë, Imzot Kozmai. Klerikët dhe besimtarët shkuan tek vendi i prehjes dhe psalën së bashku shërbesën e përshpirtjes.
Atë Spiro Bulika