Veçanërisht të ndezë zemrat e të rinjve tanë. Të vijnë shenjtorë të rinj, shenjtorë bashkëkohorë, në mënyrë që dhe në epokën tonë të lavdërohet emri i Perëndisë.” Jemi në atmosferën e gëzueshme të festimit të përvjetorit të 100 të shpalljes së Pavarsisë dhe Ngritjes së Flamurit nga Ismail Qemal Bej Vlora. Kisha Orthodhokse ka një shërbesë të veçantë e cila i dedikohet flamurit kombëtar, Dhoksologjinë e Flamurit dhe që kryhet në të gjitha kishat tona. Pas Liturgjisë Hyjnore, në prani të përfaqësuesve të komuniteteve fetare, të pushtetit lokal, partive politike, intelektualëve dhe shumë besimtarëve u celebrua Shërbesa e Dhoksologjisë së Flamurit. Shërbesa u drejtua nga Imzot Ignati me pjesëmarrjen e klerikëve të Zëvendësisë atë Kostandin Prifti, atë Ilia Qirjo, atë Sotiraq Prifti, atë Dhimitër Kushi, atë Luka Gjergji, atë Spiro Bulika dhe dhjakon Anastas Vrapi. Në përfundim të shërbesës të pranishmit i përshëndeti atë Kostandin Prifti. Emocion të veçantë përcolli tek të pranishmit improvizimi i ngritjes së flamurit nga fëmijët e kopështit të Kishës. Ata kënduan himnin e flamurit dhe disa këngë patriotike. Me veshjet e tyre karakteristike, me zërin e tyre ëngjëllor dhe mënyrën e interpretimit, bënë që pjesëmarrësit ti duartrokisnin e ti përqafonin.
Për të pranishmit u shtrua një koktejl gjatë të cilit pjesëmarësve ju uroi mirëseardhjen Imzot Ignati. Shumë nga të ftuarit e kishin për herë të parë që asistonin në një shërbesë të tillë, madje as nuk e dinin që kjo ekzistonte, por në përfundim ata falenderuan Mitropolitin dhe ishin të gëzuar që kisha orthodhokse ka shërbesë për Flamurin Kombëtar.
Atë Spiro Bulika